Vdesin edhe dy pacientë në Kosovë: Njëri me koronavirus, për tjetrin pritet konfirmimi

22/06/2020 9:55 PM 0 komente

Kanë vdekur edhe dy persona në Kosovë, njëri me koronavirus, dhe tjetri pritet të konfirmohet.
“Klinika e Pulmologjisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se sot më 22 qershor 2020, në orët e vona të pasdites në këtë klinikë kanë vdekur dy pacientë”, thuhet në njoftimin e MSH-së
Njëri është nga Gjilani, e tjetri nga Prishtina.
“Pacienti i parë, Xh.R. (1946) nga komuna e Gjilanit, përveç sëmundjeve të tjera, ishte i diagnostikuar edhe me Covid-19. Pacienti i dytë që ka vdekur, I.B.(1949) nga komuna e Prishtinës, në Klinikën e Pulmologjisë është pranuar sot pasdite dhe i është marrë mostra për testim për Covid-19 dhe mbetet të konfirmohet nga laboratori nëse i njëjti kishte edhe Covid-19 apo jo, krahas dy sëmundjeve të tjera shoqëruese”, thuhet në njoftim.
Kurse, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka njoftuar se të hënën janë konfirmuar edhe 47 raste me koronavirus.
Sipas njoftimit, gjatë periudhës 24 orëshe janë shëruar edhe 22 pacientë.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, që prej shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë më 13 mars dhe deri më tani, janë regjistruar 2.216 raste me COVID-19, prej të cilëve 1069 janë shëruar.
Ndërkohë Klinika Infektive në Kosovë ka njoftuar se janë duke u trajtuar 97 pacientë, prej tyre 93 të infektuar me koronavirus.
Sipas zyrtarëve të Klinikës, pesë pacientë janë në gjendje kritike, derisa 41 pacientë janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of