Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, në Konferencën Rajonale të Inspektoriateve të Punës, me përfaqësues të inspektorateve të punës nga rajoni – nga Bullgaria, Kosova, Mali i Zi dhe Rumania ka folur lidhur me standardet dhe sigurinë në punë.
“Promovimi i sigurisë në punë dhe shëndetit, i kushteve të mira të punës dhe mbrojtjen e të punësuarve është në të njëjtën kohë pjesë e programit të Qeverisë së re shqiptare, dhe pjesë integrale e politikave strategjike të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë”, shtoi ai.
“Siguria dhe shëndeti në punë është jo vetëm një kërkesë e panegociueshme e dinjitetit njerëzor dhe vlerës së jetës, por edhe një standard që i shërben rritjes së konkurrueshmërisë dhe produktivitetit afatgjatë të një ndërmarrje”.
Arritja e këtyre standardeve mbetet një sfidë reale jo vetëm për Shqipërinë dhe vendet e rajonit. Vetëm në Bashkimin Evropian raportohen mbi 8000 raste në vit me pasojë vdekjen dhe mijëra të tjera më shumë për shkak të sëmundjeve profesionale.
“Nga njëra anë, përballemi me nevojën për të parandaluar aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale dhe pasojat e tyre negative. Nga ana tjetër, për të krijuar kushte të denja punësimi, marrëdhënieve të drejta të punës, të cilat mund të kontribuojnë në motivimin, interesin e të punësuarve, rritjen e produktivitetit, efektivitetit dhe cilësisë së punës dhe më në fund, të konkurrencës së ndërmarrjeve”, pohoi ministri.
Veliaj theksoi se ndërsa përparimi në miratimin e standardeve më të fundit në këtë fushë në Shqipëri ka qenë i shpejtë vazhdojmë të përballemi me sfidën e njohjes dhe respektimit të këtij legjislacioni në praktikë.
“Na mbetet shumë për të bërë për të ndryshuar sjelljen e të punësuarve dhe të punëdhënësve dhe natyrisht, për të ndryshuar opinionin publik mbi sigurinë dhe shëndetin në punë. Këtu inspektimi i punës luan një rol të rëndësishëm.
Një inspektorat pune modern nuk do të thotë vetëm sigurimin e zbatimit të rregullave në rolin e policit, por një partner i punëdhënësve, këshilltar se si të zbatojnë kërkesat ligjore, për të parandaluar rreziqet, të jetë nxitës në transferimin e praktikave të mira në ndërmarrjet e tyre. Inspektimi i Punës duhet të ketë një reputacion të mirë, besim serioz, por në të njëjtën kohë edhe një respekt të fortë”, tha z.Veliaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.