Vëmendja e BE-së përqendrohet në rritjen e ndikimit kinez në Rajonin e Ballkanit

07/06/2019 10:05 PM 0 komente

Kandidatët kryesorë të Rajonit të Ballkanit, që synojnë të jenë pjesë e zgjerimit të BE-së janë: Bosnjë – Hercegovina, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Turqia.

Ndërkohë që bisedimet me Turqinë kanë ndaluar, katër shtetet e mbetura mund të jenë vendimtare për BE-në në drejtim të vazhdimit të politikës së saj të zgjerimit dhe të bashkimit të tregjeve demokratike. A mos ndoshta, ajo duhet të kishte vepruar që më parë, sepse ndoshta tani është tepër vonë dhe Kina ka fituar terren brenda Ballkanit, si financiarisht ashtu edhe politikisht?

Edhe pse në Samitin e Këshillit Europian të vitit 2003, u ra dakord se përfshirja e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, ishte një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të stabilizimit të këtyre rajoneve të paqëndrueshme politike, kjo nuk është realizuar. Edhe në fillim të këtij viti dhe në vazhdim të tij, politika e zgjerimit e BE-së vazhdon ta citojë Ballkanin Perëndimor si një prej çështjeve parësore, por që nga viti 2013, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht, vëmendja e saj është devijuar nga dështimet strukturore të Eurozonës, si në Greqi, Portugali, Irlandë dhe Itali.

Buxheti i Italisë mori kritika të ashpra nga BE në 2018, duke e detyruar atë që të ndryshonte. Greqia arriti të dalë nga programi i shpëtimit trevjeçar të Eurozonës vetëm vitin e kaluar, siç tregohet edhe në të dhënat e publikuara nga DailyFX mbi krizën e borxhit të Eurozonës. Negociatat e Brexit në dy vitet e fundit, e kanë larguar vëmendjen e BE-së nga rajoni i Ballkanit. Nëse BE do të vazhdojë të shpërfillë thirrjet e shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë e saj, atëherë padyshim që ndikimi i Kinës në këtë rajon do të rritet.

Si nga ana politike, ashtu edhe nga ajo sociale, BE së bashku me ndihmën e shteteve të tjera si Gjermania dhe Franca, vazhdon të nxisë zbatimin e reformave të ndryshme në Rajonin e Ballkanit, siç ishte edhe zhvillimi i referendumit vitin e kaluar në Maqedoninë e Veriut, ku ajo ndryshoi emrin e saj.

Kina e ka shprehur prej kohësh interesin ndaj Rajonit të Ballkanit, duke e konsideruar këtë të fundit si një prej mundësive më të mira për t’iu afruar Europës dhe si një zonë që ka nevojë për investime të konsiderueshme në krahasim me shtetet e pasura të Europës Perëndimore. Rajoni i Ballkanit është një zonë me nivel të lartë papunësie, institucione të dobëta demokratike, nivel të lartë korrupsioni dhe ka nevojë të domosdoshme për zhvillimin e infrastrukturës. Në vitin 2013, Presidenti Xi Jinping njoftoi nismën kineze “Një Rrip, Një Rrugë”, e cila synonte të forconte tregtinë me Lindjen e Mesme, Afrikën dhe Europën. Prania e Kinës në rajonin e Ballkanit është rritur nga viti në vit.

Në Kroaci, financimi kinez po ndihmon në ndërtimin e infrastrukturës, duke filluar që nga autostradat e deri te termocentralet. Por pa dyshimin më të vogël, të gjitha këto investime janë të shoqëruara edhe me kushte të veçanta, edhe me kufizime të ndryshme. Ato ndikojnë në rritjen e nivelit të borxhit publik kroat dhe në rritjen e varësisë ndaj shtetit kinez.

Marrëveshjet për investime që Kina ka nënshkruar aktualisht me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnjë – Hercegovinën arrijnë vlerën prej afërsisht, 5 miliardë dollarësh amerikanë, një vlerë investimi kjo shumë e lartë për ekonomi relativisht të vogla. Ndërtimi i një autostrade mes kryeqytetit serb të Beogradit dhe bregdetit malazez shoqërohet me një kosto të caktuar. Politika e Kinës për kreditë e shtetit dhe investimi në projektet e infrastrukturës përherë ka qenë i shoqëruar me kushte të tjera shtesë.

Blerja e uzinave të çelikut në Serbi, nga ana Kinës, e shoqëruar kjo edhe me projekte të tjera të mëdha si ndërtimi i Urës së Peljesaçit në Kroaci, nënkupton që huamarrja publike e këtyre shteteve është rritur shumë. Nëse BE-ja ka qenë e shqetësuar për krizën e borxhit në Greqi, Portugali dhe Itali, ajo duhet të ishte edhe më e shqetësuar për nivelin në rritje të borxhit publik të shteteve të rajonit të Ballkanit.

BE-ja gjithmonë e ka theksuar faktin se vizioni i saj për rajonin e Ballkanit ka qenë krijimi i një bashkimi demokracish, por duke pranuar mbi të gjitha nevojën e këtyre shteteve për reforma të rëndësishme politike, financiare dhe infrastrukturore. Ndërkohë që politika e zgjerimit të BE-së ka mbetur vetëm në nivel politik, Kina po bën hapa të mëdha nëpërmjet investimeve financiare dhe atyre infrastrukturore. /novinite.com

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of