Vendet europiane kanë bashkuar forcat për të mbështetur UEFA-n në luftën ligjore për të shmangur kërcënimin e një Super League të ndarë.
Të martën, në ditën e dytë të seancës në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Europian (CJEU), Shtetet e BE-së theksuan interesat e larta dhe mbështetën UEFA-n në thirrjen për ruajtjen e status quo-së.
UEFA u dërgua në CJEU pasi klubet e mbetura rebele të Super League e akuzuan se ka abuzuar me pushtetin duke penguar kompeticione rivale dhe duke penalizuar lojtarët dhe klubet.
Vendet e BE-së theksuan se si të ardhurat nga UEFA ndihmojnë në financimin e futbollit dhe ajo çfarë është më e rëndësishme, ndihmojnë klubet e vogla të hyjnë në kompeticionet më të rëndësishme.
“Këto janë vlerat që ndjekin UEFA dhe FIFA, si në organizimin e sportit, si në ndarjen e të ardhurave” – deklaroi avokati hungarez, Ester Gyarmati, në komisionin me 15 gjyqtarë.
21 vende paraqitën propozimet e tyre, mes tyre edhe Republika Çeke, e cila prezantoi zëvendësministrin e Jashtëm, Martin Smolek, pasi ndryshoi ide se cilën palë të mbështesë.
Avokati i Austrisë, Franz Koppensteiner, argumentoi se kufizimet e UEFA, edhe pse shkelin qartësisht të drejtën e konkurrencës në BE, janë të justifikuara për të mbrojtur integritetin sportiv, ndërsa avokati nga Malta dha një përgjigje të ashpër kundër Super League.
“Super League mori në konsideratë vetëm interesat e ngushta të klubeve të saj, duke shpërfillur natyrën e hapur të kompeticionit që bazohet në merita” – deklaroi avokati Andria Buhagiar.
UEFA është akuzuar nga ekipi ligjor i Super League për “një konflikt radikal interesi” për shkak të rolit të dyfishtë si rregullator dhe operator.
Por UEFA është kundërpërgjigjur duke theksuar se Super League, e cila u shpërbë në harkun e 72 orëve vitin e kaluar, e ka bërë sepse “tifozët europianë e duan sistemin aktual dhe vlerat me meritë sportive që ai përfaqëson”.
Avokati i përgjithshëm i gjykatës tha se ai do të jepte mendim më 15 dhjetor, por vendimi përfundimtar pritet të dalë disa javë më vonë, rezultati i të cilit do të ndikojë në të gjithë të ardhmen e kompeticioneve europian të klubeve.
/ Inside World Football