Grupi i Shtatë fuqive të mëdha botërore (G7) ka paralajmëruar Rusinë se do të vazhdojnë të shtojnë sanksionet derisa trupat e saj të largohen nga Ukraina, dhe se ata janë përgjegjës për e krimet e luftës, të cilat do të ndiqen penalisht.
Ministrat e Jashtëm të G7 u zotuan të enjten të “mbështesin dhe rrisin presionin ndaj Rusisë duke vendosur masa shtesë të koordinuara kufizuese për të penguar efektivisht aftësitë ruse për të vazhduar agresionin kundër Ukrainës”.
Vendet perëndimore kanë vendosur tashmë disa paketa sanksionesh ndaj Rusisë, duke përfshirë Presidentin Vladimir Putin, familjen dhe bashkëpunëtorët e tij, por kanë hezituar të godasin sektorin energjetik të vendit.
Ministrat e G7, të mbledhur në Bruksel, thanë se “po marrin hapa të mëtejshëm për të përshpejtuar planet për të reduktuar varësinë nga energjia ruse dhe do të punojnë së bashku për këtë qëllim”.
Ata gjithashtu përsëritën paralajmërimet për përdorimin e armëve kimike, biologjike ose bërthamore, duke thënë se “çdo përdorim nga Rusia i një arme të tillë do të ishte i papranueshëm dhe do të rezultonte me pasoja të rënda”./ Associated Press