Megjithatë, vetëm një elitë e vogël do të jetë në gjendje ta mësojnë sekretin.
Zyrtarët e turizmit në vendin nordik, i cili është kurorëzuar si “vendi më i lumtur në botë” për të pestin vit radhazi, nga Raporti Botëror i Lumturisë, kanë ndërmarrë një hap unik, në një përpjekje për të ndihmuar njerëzit të rigjejnë lumturinë e tyre.
Pjesëmarrësit do të udhëtojnë në rajonin Lakeland të Finlandës, ku do të qëndrojnë në resortin me gjithcka të përfshirë, Kuru.
Gjatë qëndrimit, të ftuarit do të mësojnë për zanatet e natyrës, do të kryejnë aktivitet fizik në pyje dhe liqene, do të shijojnë “tinguj dhe muzikë qetësuese”, do të hanë “ushqim për shpirtin dhe trupin” dhe do të përjetojnë mënyrën finlandeze të jetës, të ofruar me mirësjellje nga “ekspertë që do të jenë trajnerët tuaj personalë.”
Po ju zgjohet interesi? Kjo përvojë katërditore, fillimisht është e disponueshme vetëm për 10 njerëz, përmes një procesi aplikimi me dy faza, por ka plane që kjo masterclass, të jetë online më vonë gjatë vitit.
“Masterclass of Happiness”, do të mbulojë shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit gjatë qëndrimit tuaj dhe pjesëmarrësit do të kenë dhomat e tyre private.
Sipas Visit Finland, aplikantët idealë do të jenë “njerëzit e shoqërueshëm, të interesuar për mirëqenien dhe natyrën finlandeze”.
Gjithçka që nevojitet për t’u përzgjedhur, është një mendje e hapur.
Aplikantët e interesuar, duhet të plotësojnë formularin e aplikimit dhe një lloj sfide në mediat sociale, për krijimin e postimeve që tregojnë se çfarë gjërash ju bëjnë të besoni se mund të jeni finlandez “në shpirt”, si dhe pse dëshironi të bashkoheni në Masterclass of Happiness.
Drejtuesja e lartë i Business Finland, Heli Jimenez, tha se “masterclass” synon të ndihmojë njerëzit të përdorin lumturinë.
“Një pyetje që na e bëjnë shpesh është: “Si je kaq e lumtur?”.
“Ne besojmë se lumturia finlandeze, buron nga një marrëdhënie e ngushtë me natyrën dhe stili i jetës sonë me këmbë në tokë: nuk është një gjendje mistike, por një aftësi që mund të mësohet dhe të ndahet.”
“Ne duam t’i ndihmojmë njerëzit, të gjejnë dhe të zotërojnë atë gjendje shpirtërore finlandeze. Ne kemi zgjedhur trajnerët më të mirë, një nga resortet që të lë pa frymë në Finlandë dhe një kohë në fillim të verës, mes natyrës së bukur finlandeze, për masterclassin tonë.”
Aplikimet janë hapur dhe mbyllen më 2 prill 2023.
Sipas Raportit të Lumturisë Botërore, i cili publikohet çdo pranverë nga Rrjeti i Zgjidhjeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së (UN Sustainable Development Solutions Network), duke përdorur të dhëna nga Gallup World Poll, shkalla e ulët e krimit, bukuritë e shumta natyrore, me theksin në komunitet dhe bashkëpunim, kujdesi shëndetësor universal, dhe pak njerëz që jetojnë në varfëri, mendohet se të gjitha këto ndihmojnë në lumturinë e kombit finlandez. / Independent