Pas njoftimit që të gjitha shërbimet nga 1 maji do të ofrohen online, qeveria ka miratuar reduktimin e zyrave të gjendjes civile.
“Sot miratuam reduktimin e zyrave të gjendjes civile, do ketë vetëm 150 zyra si pasojë e revolucionit digital për dhënien e shërbimeve publike, shërbimet do ofrohen vetëm online. Do ketë 150 sportele për të marrë vetëm ato shërbime që duhet të jetë i pranishëm qytetari, të tjerat online”, tha ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.
Këshilli i Ministrave ka miratuar gjithashtu një projektligj për autonominë spitalore, si dhe një program për politikat e punësimit me vlerë 8 milionë euro.
“Miratohet projektligji për shërbimin spitalor, ku synohet të kalojmë në një nivel të ri transformimi të shërbimit spitalor. Ishte koha që ky projektligj të vinte, do kalojë për diskutime në komisionet parlamentare dhe do të sjellë një model të ri të shërbimit spitalor, atë të autonomisë spitalore. Autonomia spitalore vjen përmes kartës së performancës që plotësohet sipas kritereve që do vendosen nga këshilli i ministrave nga spitalet që kanë aftësi për ta përfituar kartën e performancës dhe të autonomisë spitalore. I hap rrugën autonomisë menaxheriale dhe financiare të spitaleve. Qëllimi është përmirësimi i shërbimeve të kujdesit spitalor. Do të çojë në një eficienë më të mirë të fondeve, duke angazhuar të gjitha fondet dhe struktura të tjera dhe të gjithë strukturat e spitaleve në vend. Do kemi një planifikim spitalor kombëtar nëpërmjet një komiteti ekspertësh që do e hartojnë. Do kemi organizim duke filluar nga spitalet ditore, në ato bashkiakë, rajonalë, qendrat rajonale të spitaleve, do kemi spitale me shërbime të dedikuara me bazë rajoni. Do krijojmë polet rajonale të shërbimit spitalor në vend. Do jetë pikë kthese aplikimi i autonomisë spitalore, do fillojë me Spitalin Memorial në Fier. Vlerësojmë se do të fillojë brenda këtij viti”, njoftoi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
“Ne miratuar sot një program, programin ProSeed në bashkëpunim me GIZ. është një program që ka një kosto rreth 8 milionë euro që dikton politikat e punësimit, dikton politikat e përmirësimit të nxitjes së punësimit. Do ti shërbejë të gjithë punëkërkuesve të papunë me qëllim përmirësimin e nivelit të tyre”, deklaroi ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.