Këshilli i ministrave ka miratuar në mbledhjen e fundit 3 vendime për shpronësimet që lidhen me ndërtimet në Vlorë, Patos dhe Roskovec.
“Kaloi 3 akte që janë të lidhur me shpronësimet në Bypass e Vlorës për të përfunduar punën e nisur në fillim sezonit veror 2022, shpronësimet në Patos për të vazhduar me projektin e rivilatizimit të qytetit, për një shëtitore që do të ndërtohet aty në kuadër të rilindjes së qytetit. Dhe njëkohësisht edhe një shpronësim në zonën e Roskovecit që lidhet me vazhdimin e punimeve përsa i përket ujësjellësve.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u ndal edhe te reforma në sektorin e ujësjellësve, e cila synon një mënyrë të re menaxhimi në të gjitha bashkitë e vendit, dhe pritet të përfundojë brenda 12 muajsh.
“Në Roskovec është pjesë e strategjisë për të investuar në të gjithë ujësjellësit në Shqipëri. Ne kemi nisur një reforme të thellë të sektorit që do të përfundojë brenda 12 muajsh dhe synon startimin e një mënyre të re menaxhimi. Fondet e investuara në sektorin e ujit në tre vitet e fundit, rreth 900 milionë euro, sigurisht kanë rritur kushtet teknik të ujësjellësve, por nuk janë indikatorët që ne prisnin pas punës dhe shumës të madhe të investuar. Pa cenuar pushtetin vendor, por duke pasur parasysh që shërbimet cilësore për qytetarët janë prioritet dhe do të nisim intesivisht reformën në sektorin e ujit për të rritur mirëmenaxhimin në secilën bashki’, tha Balluku.
Vullnetarët që ndihmojnë ushtrinë në emergjenca civile do të paguhen
Kushdo që do të marrë pjesë në mënyrë vullnetare në aksionet e ushtrisë sidomos në drejtim të përballjes me fatkeqësitë natyrore do të marrin trajtim financiar, deklaroi ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.
“Nxitje vullnetarizmit. Ne jemi krenarë për dhjetëra dhe qindra vullnetarë në përpjekjet tona, jo vetëm në sigurinë kombëtare por edhe në përballjen me emergjencat civile. Me këtë vendim në i japim mundësi vullnetarëve që të ketë më shumë vëmendje ndaj tyre. Do të trajtohen me transport, ushqim, akomodim dhe pagesë dinjitoze”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.