Janë rreth 3920 familje për të cilat Agjencia e Trajtimit të Pronave ka përfunduar vlerësimin financiar dhe ka dalë me një faturë për secilën prej tyre.
Bëhet fjalë për vendimet e dhëna në periudhën 1993 dhe 1994, nga ku më herët u publikuan 3750 emra. Por së fundmi, ajo që vihet re është se lista e përfituesve është zgjeruar pasi në skemë janë përfshirë rishtazi 170 vendime të tjera, për të cilat ATP ka përfunduar vlerësimin financiar. Gazeta boton sot listën e pronarëve, dosja e të cilëve është shqyrtuar dhe për secilin prej tyre është përcaktuar masa e përfitimit. Tabelat e përditësuara janë edhe në faqen zyrtare të agjencisë në internet. Qytetarët që kanë emrin në listë gëzojnë të drejtën e aplikimit për t’u trajtuar me një nga skemat e kompensimit, përkatësisht financiar dhe fizik. Për një pjesë prej tyre ende nuk ka një faturë, kjo për shkak të mangësive të konstatuara në dokumentacion. Duke qenë se është tejkaluar afti për plotësimin e dosjes, ligji përcakton se vendimi i kompensimit vlerësohet financiarisht me çmimin minimal të përcaktuar në hartën e vlerës për atë njësi administrative dhe për atë kategori prone. Çka do të thotë se ATP-ja, në bazë të atij dokumentacioni që disponohet në dosje, do të përcaktojë vlerën për pronën që do të kompensohet. Nga ana tjetër, për një pjesë prej tyre, përbri emrit është shënuar “ezauruar”, kjo do të thotë që për këtë kategori kapitulli i kompensimit është mbyllur.
APLIKIMET
Zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku kërkohej shfuqizimi i pikës 3 dhe 5 të nenit 6 në ligjin “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e kompensimit”, nuk e ka bllokuar punën në ATP. Drejtoresha e këtij institucioni, Sonila Qato, më herët ka pohuar se nga vendimi preken vetëm dosjet që janë në shqyrtim dhe jo vendimet e formës së prerë. Në këtë mënyrë, puna për ndarjen e fondit vazhdon. Vitin e kaluar, edhe pse ishin 24 milionë dollarë në arkën e Agjencisë së Pronave, u arrit që të ndahej vetëm 60% e fondit vjetor, nga ku përfituan 220 familje. Pjesa tjetër e parave të mbetura është transferuar dhe do të përdoret këtë vit bashkë me fondin 30 milionë dollarë, që është planifikuar në buxhetin e shtetit për 2017-n. Pra, gjithsej janë 40 milionë dollarë, që parashikohet të ndahen për kompensimin financiar të pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist. Krahas fondit financiar, janë edhe 23 mijë ha tokë bujqësore, prej të cilave vitin e kaluar u arrit që të ndahej vetëm 58 ha. Nisur nga numri i ulët i aplikimeve, u pa e nevojshme rishikimi i dokumenteve. Kështu, me ndryshimet e bëra së fundmi, nuk do të jetë më e nevojshme që pronarët të shkojnë në gjykatë apo në njësinë administrative, në të cilën kanë banuar deri në vitin 1991. Kjo gjë shmanget pasi, për të vërtetuar nëse një vendim është ankimuar apo jo në rrugë gjyqësore, nuk nevojitet shkresë zyrtare, mjafton vetëm një deklaratë noteriale, e cila do të ketë të njëjtin funksion. Nga ana tjetër, as për faktin nëse është përfituar nga ndarja e tokës në 1991 nuk duhet më vërtitim, por vetëm deklaratë noteriale, në të cilën pronari apo përfaqësuesi me prokurë vetëdeklaron nëse ka përfituar nga ndarja e tokës me ligjin 7501.
VENDIMET ’95-’96
Pas përfundimit të vlerësimit ekonomik për vendimet para ’94, Agjencia e Trajtimit të Pronave ka nisur nga puna për vlerësimin e vendimeve që i takojnë periudhës ’95 dhe ’96. Burime nga ATP bëjnë me dije se është drejt përfundimit procesi për vendimet që datojnë në vitin 1995, të cilat shumë shpejt do të bëhen edhe publike. Ligji i ri përcakton një afat 3-vjeçar për vlerësimin financiar të 26 mijë vendimeve që janë të arkivuara në ATP. Kjo do të thotë që deri në vitin 2019, ky proces duhet të jetë përmbyllur.
/Panorama
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Sa është vlerësimi financiar i përcaktuar nga Agjensia e trajtimit të pronave viti 94′ 95′