Pas 9 muaj nga nisja e pandemisë, qeveria kujtohet të ndryshojë përbërjen e organit më të lartë që koordinon veprimtarinë e institucioneve në rast fatkeqësish natyrore (si situata me Covid-19), emergjencash civile dhe krize.
Me ndryshimet autoriteti më i lartë i përhershëm i ngritur pranë Këshillit të Ministrave do të jetë Komiteti i Mbrojtjes Civile (KMC) dhe do të drejtohet nga ministri i Mbrojtjes.
Qeveria shfuqizoi vendimin e miratuar në vitin 2015 për drejtimin e strukturave që do të menaxhonin emergjencat civile. Sipas ndryshimeve të miratuara në krye të komitetit të ngritur pranë Këshillit të Ministrave nuk do të jetë Zëvendëskryeministri, siç parashikohej në vendimin e mëparshëm, por ministrja e Mbrojtjes.
Sakaq ndryshimet parashikojnë që në përbërje të organit më të lartë që do të zbatojë politikat për zvogëlimin e riskut, në rast fatkeqësish të mos jenë përfaqësues të pushtetit vendor, për të cilët parashikohej pjesëmarrja me vendimin e mëparshëm. Në përbërjen e KMC për herë të parë, në përputhje dhe me situatën epidemiologjike që po kalon Shqipëria përfshin drejtorin e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, drejtori i Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe kryetari i Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha.
Vendimi i miratuar nga qeveria përditëson edhe përbërjen e anëtarëve të komitetit të Mbrojtjes Civile, për shkak të shkrirjes të disa ministrive, si ajo e Tregtisë, inovacionit, Zhvillimit Urban, Mjedisit, Për Çështjet Vendore etj., që i parashikonte vendimi i 2015.
Vendimi
-Pranë Këshillit të Ministrave krijohet e funksionon Komiteti i Mbrojtjes Civile (në vijim, KMC), i cili është organi më i lartë, i përhershëm, përgjegjës për zbatimin e politikave për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile në Republikën e Shqipërisë.
-KMC-ja kryesohet nga ministri i Mbrojtjes dhe ka në përbërje:
– ministrin e Brendshëm;
– ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme;
– ministrin e Financave dhe Ekonomisë;
– ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë;
– ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
– ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
– ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
– ministrin e Turizmit dhe Mjedisit;
– ministrin e Drejtësisë;
– ministrin e Kulturës;
– drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile;
– drejtorin e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore;
– drejtorin e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore;
– kryetarin e Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha.
Në varësi të nevojave, në mbledhjet e KMC-së ftohen edhe përfaqësues nga institucione shkencore dhe monitoruese, drejtues të strukturave qendrore, organizata joqeveritare etj.
– KMC-ja mblidhet, sa herë gjykohet e nevojshme nga kryetari i tij, për çështje që kanë të bëjnë me zbatimin e politikave në bashkërendimin e punës për zvogëlimin e riskut ndaj fatkeqësive dhe mbrojtjen civile. Të drejtën e propozimit për thirrjen e mbledhjes së KMC-së, përveç kryetarit të tij, e ka edhe çdo ministër, sipas fushës së përgjegjësisë dhe llojit të fatkeqësisë.
-KMC-ja zbaton politikat që kanë të bëjnë me vlerësimin e riskut nga fatkeqësitë në nivel qendror, Strategjinë Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë dhe Planin Kombëtar të Emergjencave Civile dhe, nëpërmjet ministrit përgjegjës për mbrojtjen civile, propozon ndryshime apo përditësime të tyre.
-KMC-ja është autoriteti më i lartë i përhershëm që bashkërendon e koordinon veprimtaritë dhe aktivitetet ndërinstitucionale të institucioneve e të strukturave dhe të të gjitha subjekteve të përfshira në mbrojtjen civile.
-KMC-ja, me kërkesë të prefektit, në rast se vlera e kompensimit tejkalon 8 (tetë) % të buxhetit të bashkisë, merr vendim për kompensimin e dëmeve nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
-Pranë AKMC-së ngrihet e funksionon sekretariati teknik i KMC-së, i cili është përgjegjës për përgatitjen e materialeve të mbledhjes dhe për njoftimin e anëtarëve të KMC-së për mbledhjen e radhës, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë përpara datës së zhvillimit të saj. Përbërja e sekretariatit teknik të KMC-së përcaktohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
-Çdo ministër është përgjegjës për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile në fushën e përgjegjësisë shtetërore të institucionit që drejton, nëpërmjet sektorit për mbrojtjen civile. Ministritë hartojnë plane, programe e dokumente të tjera që kanë për qëllim zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, sipas llojit të veprimtarisë e përgjegjësisë së tyre.
-AKMC-ja koordinon në mënyrë të përqendruar shpërndarjen e kapaciteteve logjistike dhe njerëzore, të caktuara për përballimin e emergjencave civile apo të fatkeqësive.
10. Sektorët për mbrojtjen civile pranë ministrive duhet të zbatojnë me shpejtësi dhe efektivitet kërkesat e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për përballimin e emergjencave civile apo të fatkeqësive.
– Sektorët për mbrojtjen civile në ministritë përkatëse aktivizojnë, me kërkesë të AKMC-së, kapacitetet e parashikuara për emergjencë civile, për të reaguar me shpejtësi dhe efektivitet në rastin më të parë të mundshëm, por asnjëherë më vonë se 2 (dy) orë.
-Në situatat e emergjencave civile, komunikimi ndërinstitucional mbahet duke përdorur kanalet zyrtare të komunikimit. Në rastet e komunikimit verbal, sektorët për mbrojtjen civile pranë ministrive regjistrojnë dhe ruajnë përmbajtjen e bisedave, të njoftimeve apo të kërkesave të marra e të dhëna përmes përdorimit të mjeteve të teknologjisë së informacionit.
-Institucionet dhe strukturat operacionale kryesore shtetërore, përgjegjëse për përballimin e emergjencave civile apo të fatkeqësive, janë ato të përcaktuara në lidhjen 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të cilat angazhohen menjëherë me kërkesë të AKMC-së.
-Për përballimin e emergjencave civile me specifika të veçanta, me kërkesë të AKMC-së, mund të angazhohen edhe autoritete e institucione të tjera shtetërore, përveç atyre të parashikuara në lidhjen 1 të këtij vendimi.
-Institucionet e strukturat vendore, që bashkëpunojnë me institucionet dhe strukturat qendrore dhe të tjera për mbrojtjen civile, janë komisionet e mbrojtjes civile në nivel qarku e bashkie, të cilat veprojnë nën drejtimin e prefektit të qarkut e të kryetarit të bashkisë.
-Në përbërje të strukturës së administratës së prefektit funksionon sektori i Planifikimit dhe Mbrojtjes Civile. Prefekti bashkërendon me bashkitë brenda territorit administrativ të tij për planifikimin pranë tyre të strukturave të përhershme të planifikimit e të mbrojtjes civile.
-Komunikimi me publikun, në rastet e fatkeqësive natyrore/fatkeqësive, kryhet nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen civile.
-Vendimi nr.965, datë 2.12.2015, i Këshillit të Ministrave, “Për bashkëpunimin ndërinstitucional të strukturave të drejtimit, në rastet e emergjencave civile dhe krizave”, shfuqizohet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.