Në mbledhjen e parë të këtij viti, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori një vendim të ri që kufizon shpërndarjen e fitimeve të bankave tregtare në vend.
Ky vendim pason ato të vitit 2020, që patën pezulluar shpërndarjen e fitimeve fillimisht deri në fund të 6-mujorit e më pas për të gjithë vitin financiar.
Megjithatë, vendimi i ri, i marrë në 13 janar të këtij viti, ka si objekt vetëm fitimet e vitit 2020 dhe ato që do të krijohen gjatë vitit 2021. Banka e Shqipërisë sqaron për revistën Monitor se ky vendim nuk prek fitimet e pashpërndara që i takojnë periudhave ushtrimore para vitit 2020. Kjo nënkupton se me vendimin e ri bankat do të jenë të lira të shpërndajnë dividendë me fitimet e viteve 2019 dhe periudhave më të hershme.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë të fundit të tremujorit të tretë 2020, fitimet e pashpërndara nga vitet e mëparshme ishin rreth 19 miliardë lekë ose rreth 155 milionë euro. Ndërkohë, fitimet e realizuara gjatë vitit 2020, deri në fund të muajit nëntor kishin vlerën e 14.35 miliardë lekëve ose rreth 117 milionë euro. Kjo shumë është objekt i vendimit të ri të Bankës së Shqipërisë dhe bankat nuk mund ta shpërndajnë, të paktën deri në fund të këtij viti.
Viti 2020 është karakterizuar nga një performancë financiare pozitive, megjithëse fitimet neto ishin më të ulëta krahasuar me tre vitet e mëparshme. Pavarësisht nga kjo, bankat kanë krijuar fitime që, në gjykimin e Bankës së Shqipërisë, janë të mjaftueshme për të përballuar pasoja eventuale negative të krizës. Aksionerëve të bankave u është kthyer kështu e drejta e pezulluar përkohësisht për të shpërndarë fitimet e viteve të mëparshme.
Megjithatë, në kushtet kur efektet reale të krizës në sektorin bankar ngelen ende pjesërisht të paqarta, nuk pritet që bankat të rendin drejt shpërndarjeve masive të fitimeve për aksionerët. Për më tepër, duhet konsideruar që në vlerë absolute fitimet janë mjaft të përqendruara në dy ose tre banka të përmasave të mëdha.
Edhe shtesat makroprudenciale, që nisën të aplikohen nga viti 2020, shtojnë kërkesat rregullatore për kapital ndaj bankave. Nivelit minimal prej 12% të mjaftueshmërisë së kapitalit i është bashkangjitur edhe shtesa konservuese në masën 1%. Ndërkohë, për bankat me rëndësi sistemike kanë nisur të aplikohen edhe shtesa të posaçme që aktalisht janë në intervalin mes 0.5% dhe 1%. Në total, niveli minimal i mjaftueshmërisë së kapitalit tashmë është rritur në 13% deri në 14%, në varësi të përmasës dhe rëndësisë sistemike të bankës.
Raporti i fundit i Stabilitetit Financiar i Bankës së Shqipërisë, ai i gjashtëmujorit të parë 2020, konfirmon gjendjen e mirë të kapitalizimit të sistemit bankar. Raporti nënvizon se nga 12 banka të pranishme në treg, 10 prej tyre e kanë raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit sipër nivelit të 15%, ndërsa dy prej tyre janë në intervalin me 14% dhe 15%. Kjo tregon se shumica e bankave është gjerësisht brenda kërkesave rregullatore, ndërsa në vlerë mesatare raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sistemit është 18.6%./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.