Kontratat e subjekteve eksportuese që kryejnë kalimin transit të mbetjeve jo të rrezikshme dhe atyre inerte do të jenë efektive që nga data e aplikimit të autorizimit deri në përfundim të vlefshmërisë. Autorizimi për lejimin e eksportit të mbetjeve miratohet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Afati i vlefshmërisë të autorizimit është 1 vit.
Ndryshimet janë botuar në Fletoren Zyrtare në vendimin për rregullat e eksportit të mbetjeve dhe kalimit transit të mbetjeve jo të rrezikshme dhe atyre inerte.
Sipërmarrësit që kërkojnë të pajisen me autorizim për kalimin transit të mbetjeve jo të rrezikshme dhe mbetjeve inerte nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë, dorëzojnë në ministrinë përgjegjëse për mjedisin disa dokumente. Sipas vendimit të ndryshuar përcaktohet që në kërkesë duhet të shprehen, si: një përshkrim i shkurtër i mbetjeve që do të tranzitohen, ku të përcaktohen lloji mbetjeve, sipas kodit tarifor, dhe sasia, e cila duhet të jetë në përputhje me sasinë e përcaktuar në kontratën; vendi nga i cili merret sasia e mbetjeve; pika kufitare e hyrjes dhe e daljes nga territori i Republikës së Shqipërisë, si dhe shtetet nëpër të cilat do të kalojë mjeti me të cilin do të transportohen mbetjet.
Subjekteve eksportuese të inerteve ndër dokumentacionet e mësipërme u kërkohet edhe kopje e përkthyer dhe të noterizuar në gjuhën shqipe të kontratës së lidhur midis personit që eksporton dhe personit që merr në dorëzim mbetjet për menaxhimin e integruar të tyre. Vendimi i ndryshuar për rregullat e eksportit përcakton se kontrata të jetë efektive që nga data e aplikimit për autorizimin për eksport deri në përfundim të vlefshmërisë së autorizimit, për të gjithë kohëzgjatjen e transfertave të mbetjeve”, përcaktohet në vendim.
Personi, që kërkon të pajiset me autorizim për eksport të mbetjeve, vendos një garanci financiare në një prej bankave në territorin e Republikës së Shqipërisë ose një sigurim ekuivalent në një prej kompanive të sigurimit që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Republikën e Shqipërisë.
Garancia financiare apo sigurimi ekuivalent është për llogari të ministrisë përgjegjëse për mjedisin për periudhën e vlefshmërisë së autorizimit për eksport.
Në vendimin e ndryshuar përcaktohet se garancia duhet jetë efektive për të gjithë kohëzgjatjen e transfertave. Garancia financiare ka për qëllim të mbulojë shpenzimet që dalin në rastet kur një transfertë e mbetjeve nuk përfundon siç parashikohet në autorizimin për eksport apo në rastet kur sjell ndotje a dëmtim të mjedisit dhe/ose shëndetit të njerëzve gjatë eksportit nga vendi i daljes deri në vendin e destinacionit, duke mbuluar:
a) kostot e transportit;
b) kostot e rikuperimit ose asgjësimit, përfshirë çdo operacion të nevojshëm të përkohshëm;
c) kostot për ruajtjen e tyre për 90 ditë. Vlera e garancisë financiare ose sigurimit ekuivalent përllogaritet në bazë të vlerës së kontratës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.