Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, ka konfirmuar se tarifat e reja për energjinë elektrike llogariten nga data 9 shkurt, ashtu siç ishte marrë vendim më herët. Gjatë kësaj jave do të publikohet raporti për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Nga 9 shkurti, qytetarët e Kosovës do të paguajnë më shtrenjtë për shpenzimet mbi 800 kilovatë për muaj, pas vendosjes së bllok-tarifës.
Tarifat për konsumatorët familjarë, për nivelin e konsumit deri në 800 kWh në muaj, do të mbesin të njëjta, ndërsa diferenca e konsumit mbi 800 kWh për muaj, do të faturohet me tarifën e ulët (gjatë natës) prej 5.9 dhe tarifën e lartë (gjatë ditës) prej 12.52 cent.
Për ata që shpenzojnë mbi 800 kilovatë tarifa e lartë ka çmim prej 12 centë dhe ajo e ulëta prej 6 centësh.
Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Ymer Fejzullahu ka konfirmuar se tarifat e reja të rrymës do të hyjnë fuqi që nga 9 shkurti i këtij viti.
Fejzullahu ka theksuar se është detyrë e KESCO-s që ta zbatoj këtë vendim.
“Ne e kemi thënë në mbledhje, por edhe në takimet që kemi pasur me ta që vendimi hyn në fuqi më 9 shkurt. Është detyrë e KESCO-s ta implementojë këtë vendim të Bordit të ZRRE-së”, ka thënë Fejzullahu.
Fejzullahu po ashtu ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të publikohet raporti i ZRrE për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
“Ne e kemi thënë që vendimi hyn në fuqi prej datës 9 shkurt. E kemi thënë se sipas legjislacionit në fuqi ky vendim duhet të publikohet brenda 30 ditëah. Jemi zotuar që ky vendim të publikohet gjatë kësaj jave. Ne e kemi thënë se meqenëse Qeveria ka ndarë subvencionimin prej 100 milionë, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 faturat e tyre kalkulohen duke përfshirë edhe zbritjen që ka rezultuar nga subvencionimi i qeverisë. Sipas kalkulimeve pa subvencionimin e Qeverisë do të kishte rritje edhe për ata në 800. Subvencioni shkon direkt te konsumatori meqenëse ata kanë përfituar subvencion për tarifa”, u shpreh Fejzullahu.
Më tutje, kryesuesi i Bordit të ZRrE-së siguroi se për personat që konsumojnë deri në 800 kWh energji elektrike, s’do të ketë rritje të çmimit të energjisë.
“Ne edhe në raport i kemi përgjigjet që meqenëse Qeveria ka ndarë një subvencion prej 100 mijë euro. Ai ka ndikuar që të gjithë konsumatorët që konsumojnë deri në 800 kWh nuk do të kenë rritje apo do të faturohen me tarifat ekzistuese. Pra faturat e tyre do të kalkulohen duke përfshirë edhe zbritjen që ka rezultuar nga fondi apo subvencionimi i Qeverisë”, tha ai.
Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ditë më parë kishte miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike për të gjithë ata që harxhojnë më shumë se 800kËh.
Sipas ZRRE-së, të gjithë konsumatorët që shpenzojmë më shumë se kjo bllok tarifë do të paguajnë me dy çmime të reja.
“Vendosja e bllok tarifave nuk është diskriminues. Disa nga komentet kanë qenë se a duhet të jetë rritje lineare. ZRRE-ja konstaton se pa një mbështetje nuk mund t’i arrij synimet. ZRRE propozon që blloku të zhvendoset në 800 kWh, me dy tarifa prej 12.5 cent dhe 5.9 cent. Të gjithë konsumatorët komercial dhe të amvisëritë, ZRRE-ja propozon që për 800 kWh të ketë zero rritje”, është thënë nga Departamenti i Tarifave të ZRRE-së.
Pra, konsumatorët mbi këtë bllok do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 cent dhe 5.9 cent për tarifën e ulët, ndërsa ata që shpenzojnë deri në 800kWh, tarifa e lartë do të jetë 6.75 cent e ajo e ulëta prej 2.89 cent.
Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.
Në lidhje me shtrenjtimin e tarifave të rrymës, komente në ZRrE kanë dërguar Presidenca e Kosovës, Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Kujtojmë se ZRrE-ja në raportin e fundit konsultativ ka bërë shqyrtimin për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë, duke thënë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 600kWh energji elektrike në muaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.