Gjykata Kushtetuese të martën ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në sektorin publik, duke e pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit pas ankesave të disa sindikatave.
Pas dy pezullimeve, Gjykata ka vendosur që ky ligj në tërësi nuk është në përpuethshmëri me disa nene të Kushtetutës së Kosovës. Gjykata ka thënë se ka ardhur në përfundim se ligji i kontestuar nuk kishte harmonizuar pagat në nivel të të gjithë sektorëve.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e shpalli të pavlefshëm Ligjin për Paga në Sektorin Privat.
Hoti në mbledhjen e fundit të Qeverisë, ka thënë se, rishikimi dhe adresimi i vërejtjeve të Gjykatës do të bëhet me një proces të konsultimit të ngushtë me të gjitha sindikatat përkatëse në sektorin publik.
“Qeveria obligohet që t’i respektoj të gjitha aktgjykimet që dalin nga Gjykata Kushtetuese, pa përjashtim dhe pa i diskutuar ato. Ne shprehim zotimin të fillimit të shpejtë të procedurave ashtu siç ka deklaruar dje zëvendëskryeministri [Besnik Tahiri], që menjëherë të hyjmë në proces të adresimit të vërejtjeve karshi Gjykatës Kushtetuese të këtij Ligji dhe të adresoj së shpejti në Kuvendin e Kosovës. Rishikimi dhe adresimi i vërejtjeve të Gjykatës do të bëhet me një proces të konsultimit të ngushtë me të gjitha sindikatat përkatëse në sektorin publik, sepse Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për trajtim dinjitoz të të gjithë të punësuarve në sektorin publik por edhe në atë privat”, tha Hoti.
Kurse, zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri, e ka quajtur shokues vendimin e Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Ligjit për Paga.
Tahiri, përmes një postimi në Facebook ka thënë se ky është mohim i të drejtës në përfitim nga puna për mbi 62 mijë shërbyes civilë.
“Shokues vendimi i Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Ligjit të Pagave, pa lënë hapësirë për korrigjimin e tij në ato pak pjesë kontestuese. Ky është mohim të drejtës në përfitim nga puna për mbi 62000 shërbyes civilë. Policët, punëtorët shëndetësorë, punëtorët e arsimit, e shumë kategori të tjera meritojnë paga, ashtu siç janë paraparë nga Qeveria Haradinaj. Posa ta pranojmë vendimin, ne do të evitojmë lëshimet që kanë sjellë deri te anulimi i këtij ligji dhe me ngulm insistojmë që i njëjti me plotësimet e kërkuara të votohet dhe të hyjë në zbatim me urgjencë!”, ka shkruar Tahiri.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Sindikatave të Kosovës.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, shpalljen të pavlefshëm të Ligjit, e ka quajtur lajm të keq dhe se fillimi i vitit shkollor do të ketë probleme.
“Do të takohemi me përfaqësuesit e sindikatave, ne kemi pritur që të hiqet pezullimi dhe të fillojë implementimi i këtij ligj dhe jo të shpallet i pavlefshëm. Kam frikë se edhe viti i ri shkollor do të sjell probleme, sepse mësimdhënësit kanë pritur që ky ligj të hyjë në fuqi. Është lajm i keq se Ligji për Pagat është shpallur i pavlefshëm”.
Po ashtu, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat, duke paralajmëruar bojkotim të punës nga mantelbardhët.
“Vendimi është skandaloz, në kohën më të keqe ku do të ketë pasoja. Unë do të thërras për bojkot të punës dhe për këtë jam i gatshëm të përballem me ligjin”.
Kurse, ministria e Shëndetësisë ka shprehur keqardhjen për shpalljen nga Gjykata Kushtetuese si të pavlefshëm të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, me të cilin parashihej ngritja e pagave për profesionistët shëndetësorë të sektorit publik shëndetësor.
“Shpallja e këtij ligji si të pavlefshëm, ndonëse kundërshtimet lidheshin më shumë me sektorët e tjerë, përbën një lajm jo të mirë dhe dekurajues për profesionistët shëndetësor. Ne e kuptojmë këtë edhe sikur ata të mos e shprehin vet”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie.
Shefi i kësaj dikasteri qeveritar Armend Zemaj megjithatë thotë se do të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Megjithatë, me gjithë mirëkuptimin e plotë ndaj zhgënjimit që mund ta kenë profesionistët shëndetësorë me epilogun e këtij ligji, si institucione dhe shoqëri jemi të obliguara që të zbatojmë vendimet e institucioneve tona shtetërore, në këtë rast vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në sektorin publik, duke e pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit pas ankesave të disa sindikatave.
Gjykata Kushtetuese më 30 qershor, ka ardhur në përfundim se Ligji i kontestuar nuk kishte harmonizuar pagat në nivel të të gjithë sektorëve. Aty ka theksuar se ka pasur përjashtime arbitrare dhe të paarsyetuara për disa institucione, përfshirë: Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Bankën Qendrore të Kosovës dhe vet Kuvendin.
Kujtojmë se, deputetët e legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, në muajin shkurt të vitit 2019, kishin miratuar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Deputetët e legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, në muajin shkurt të vitit 2019, kishin miratuar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Ligji pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit. Vlera e pagës bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit prej 239 euro për vitin e parë. Raporti i koeficienteve është një me dhjetë të shpërndarë në 69 nivele të koeficienteve. Koeficienti më i lartë është 10, pozitë kjo që e mban vetëm Presidenti i Kosovës, më pas është niveli i 9, ku bëjnë pjesë kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese.
Pra, Ligji rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind e tyre mbetën jashtë. Por, punëtorë në sektorë të ndryshëm publikë, kishin shprehur pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligj.
Lidhur më këtë, më 6 dhjetor të vitit të kaluar institucioni i Avokatit të Popullit e kishte dërguar Ligjin në Gjykatë Kushtetuese, për “vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën”.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari pati thënë se, “ankesat e paraqitura tek Avokati i Popullit janë të ndryshme, varësisht nga pozita dhe institucionet që kanë paraqitur ankesë, përmes së cilave shfaqen pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik”.
Gjykata Kushtetuese në njoftimin e bërë për media ka thënë se ka ardhur në përfundim se Ligji i kontestuar nuk kishte harmonizuar pagat në nivel të të gjithë sektorëve. Aty ka theksuar se ka pasur përjashtime arbitrare dhe të paarsyetuara për disa institucione, përfshirë: Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Bankën Qendrore të Kosovës dhe vet Kuvendin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.