Biznesi i vogël me xhiro deri në 10 milionë lekë do të përjashtohet nga skema e TVSH-së. Nga marsi i 2018-s, biznesi me xhiro mbi 2 milionë lekë në vit është përfshirë në skemën e pagesës të TVSH-së. Zëvendësministrja e Financave, Vasilika Vjero në një intervistë për “News 24” thotë se masa e propozuar do të lehtësojë tatimpaguesit e vegjël dhe do t’i japë më shumë frymëmarrje administratës tatimore të jetë e fokusuar te kontrolli i biznesit të madh. Vendimi nuk kufizon edhe përfshirjen vullnetare në skemën e TVSH-së të bizneseve me xhiro vjetore deri në 5 mln lekë. Vjero shpjegon se heqja e TVSH-së dhe tatimfitimi i miratuar dje nga qeveria, do të jenë masa të përkohshme deri sa bizneset të fitojnë qëndrueshmëri dhe të rifitojnë gjendjen pozitive financiare që gëzonin para tërmetit dhe pandemisë.
“Nisur nga eksperienca e viteve të kaluara, ku u ul pragu i regjistrimit të TVSH në 2 milionë lekë, por edhe nga të ardhurat e realizuara në këto 2 vite, për t’u ardhur në ndihmë tatimpaguesve të vegjël që janë ndjerë në vështirësi, sidomos në këtë periudhë pandemie, por edhe për shkak të asaj që kaluan nga tërmeti është bërë propozimi që do të kalojë me vendim të këshillit të Ministrave për ndryshimin e pragut të TVSH-së. Gjatë pandemisë shumë biznese u detyruan të pezullonin aktivitetin e tyre për gati 3 muaj. Mbi 90 mijë biznese dhe rreth 230 mijë individë përfituan ndihmën financiare nga qeveria. Është propozuar që edhe tatimi mbi vlerën e shtuar të pësojë një ndryshim, pra niveli i regjistrimit të TVSH-së nuk do të jetë më 2 milionë lekë, por 10 milionë lekë. Ka një kapërcim përtej asaj që ka propozuar dhe këshilluar ndër vite Fondi Monetar Ndërkombëtar që niveli i TVSH-së të ishte 8 milionë lekë. Ndërkohë që me propozimet e qeverisë do të jetë 10 milionë lekë. Ne u jemi përmbajtur edhe këshillave të FMN-së, ku nëse një tatimpagues kërkon vullnetarisht të hyjë në skemën e TVSH-së duhet të ketë një xhiro të deklaruar prej 5 mln lekë.”
Heqja e tatimfitimit
Qeveria miratoi dje vendimin për heqjen e tatimfitimit të bizneseve me xhiro nga 5 milionë lekë deri në 14 mln lekë. Zv/ministrja e financave deklaroi se nga heqja e tatimfitimit të thjeshtuar 5% do të përfitojnë 12 mijë biznese.
“Kategoritë që përfitojnë nga heqja e tatimfitimit janë ata tatimpagues që kanë një qarkullim vjetor nga 5 mln deri në 14 mln lekë në vit. Norma e tatimfitimit për bizneset me xhiro nga 5 mln deri në 10 mln është një normë e reduktuar 5%, ndërsa për bizneset me xhiro nga 10 mln deri në 14 mln lekë norma e tatimfitimit është 15%. Është parashikuar që tatimpaguesit me xhiro 5 mln deri në 14 mln lekë të mos paguajnë tatimfitim, të jetë zero. Janë 12 mijë tatimpagues që do të përfitojnë nga masa lehtësuese dhe nuk do të paguajnë këtë detyrim për një kohë të gjatë”, pohoi Vjero.
Fiskalizimi
Vasilika Vjero nënvizon se vendimi i qeverisë për të shtyrë edhe 1 vit nisjen e procesit të fiskalizimit u mor për të lehtësuar biznesin e vogël dhe të mesëm të cilët janë të fokusuar drejt rimëkëmbjes të aktivitetit të tyre për shkak të Covid-19.
“Me ndryshimet e ligjit që pritet të kalojnë në Parlament është parashikuar shtyrje e afateve për zbatimin e procesit të fiskalizimit, për shkak të pandemisë. Ndryshimet bëhen për të lehtësuar biznesin, për të mos i shtuar barrën e faturimit elektronik, që do të kërkonte kohë për t’u mësuar nga ata. Këto janë arsyet pse është parashikuar që periudha e nisjes të fiskalizimit të shtyhet 1 vit për tatimpaguesit që kryejnë transaksione me para në dorë. Ndërsa për ata tatimpagues që kryejnë transaksione pa para në dorë me qeverinë nuk do të ketë shtyrje të procesit do të nisë më 1 janar 2021. Për transaksionet mes tatimpaguesve pa para në dorë do të jetë më 1 korrik 2021 ashtu siç ka qenë i parashikuar. “
Kjo është hera e katërt që qeveria ndryshon afatet e fiskalizimit, një proces që do të ndryshonte tërësisht mënyrën se si bizneset e bëjnë procesin e faturimit dhe do i detyronte bizneset të përshtateshin me teknologjinë e re.
E parashikuar të niste më janar 2020, me kërkesë të bizneseve për shkak të kohës së paktë që kishin në dispozicion, fiskalizimi u shty për në mars 2020. Më pas u shty për herë të tretë për të nisur më 1 shtator 2020 për transaksionet me para në dorë nga bizneset me të ardhura mbi 8 milionë lekë.
Për më tepër lexo këtu:
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.