Një vendim i hershëm i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare lejonte kompanitë e sigurimit që pavarësisht se në çfarë ore të ditës kishin bërë shitjen e një police kufitare, raportimin ta bënin brenda një afati 24 orësh. Por duket se një situatë e tillë ka lënë vend që kompanitë në shumë raste të bënin manovrime nga më të ndryshmet.
Me një vendim të fundit Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka vendosur që t’i japë fund praktikës duke kërkuar që çdo shitje të raportohet online në kohë reale.
“Raportimi dhe identifikimi i policave kufitare të shitura të kryhet në kohë reale nëpërmjet regjistrit elektronik online të shitjeve të sigurimit të detyrueshëm motorik, miratuar me Rregulloren nr. 3, datë 03.10.2007 “Për regjistrin elektronik online të shitjeve të sigurimit të detyrueshëm motorik”, e ndryshuar” thuhet në vendimin e AMF-së që mban datën 20 tetor 2017.
Gjatë këtij viti situata me policat kufitare ka shfaqur dy tendenca. E para, kompanitë nën presionin për të përfituar nga situata që krijohet çdo verë kur kthehen emigrantët, kanë ulur herë pas here çmimet që aplikojnë për policat. Së dyti, një pjesë e tyre nisën të shisnin polica kufitare të plotësuara me dorë në Itali.
Kjo situatë alarmoi në atë kohë edhe vetë Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare i cili u kërkoi kompanive që të respektojnë kushtet ligjore si dhe kreu një seri inspektimesh në dy portet kryesore në vend Durrës dhe Vlorë.
Raportimi në kohë reale i shitjes së këtyre policave kufitare pritet që të minimizojë problematikat e kësaj natyre por kjo mbetet për t’u parë gjatë zbatimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.