Rënia e të ardhurave për disa bashki të prekura nga tërmeti, mospërfundimi i kadastrës fiskale, borxhet e larta që kanë bashkitë më të mëdha të vendit, niveli i ulët i transfertës të pakushtëzuar, janë ndër shqetësimit kryesore që ngrihen për pushtetin vendor në raportin e 2020-s nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë.
Vitin e kaluar sipas raportit 30 nga 61 bashki të Shqipërisë, kanë arritur që të kenë një performancë pozitive të të ardhurave, por që nuk kanë mundur të neutralizojnë rënien e të ardhurave nga burimet e veta. Në vitin 2020, sipas Shoqatës të Bashkive, të ardhurat nga burimet e veta vendore (taksa dhe tarifa vendore, veprimtari me asete dhe të tjera) për të gjitha bashkitë e vendit regjistruan një vlerë prej rreth 24.2 miliardë lekë, me një zvogëlim prej rreth 5.3% në terma vjetorë, ose rreth 1.4 miliardë lekë më pak nga niveli i regjistruar në vitin e mëparshëm.
Shoqata e Bashkive të Shqipërisë rekomandon që qeveria të përmbyllë kadastrën fiskale prej mungesës së të cilës bashkitë s’po realizojnë të ardhura. Niveli i rentës në favor të bashkive duhet të rritet nga 5% që është aktualisht në të paktën 25-35% dhe ideale do ishte ndarja 50% me 50%.
Sipas kategorive përbërëse, performanca negative e të ardhurave nga burime të veta është përcaktuar kryesisht nga kontributi i të ardhurave nga taksat (-5%) dhe tarifat (-6.6%) vendore në këtë periudhë.
“Efektet e tërmetit dhe pandemisë përpos vështirësive institucionale ku u ndodhën bashkitë u ndjenë në tërë arkitekturën institucionale të vendit. Ato sollën vështirësi të mëdha edhe për taksapaguesit në nivel vendor. Dy grupet kryesore takspaguese: biznesi dhe qytetarët u ndjenë në pozita të vështira lidhur me fuqinë paguese, krahasuar me vullnetin për të paguar. Kjo bëri që bashkitë të ndesheshin me probleme financiare nga mungesa e të ardhurave të planifikuara nga disa burime, sikundër mbanin mbi supe detyrime të prapambetura dhe borxhe të reja të krijuara gjatë vitit 2020.
Disa nga bashkitë e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, shfaqin rënie të theksuar të të ardhurave, si Bashkia Durrës, Krujë, Kurbin e Shijak. Nga ana tjetër, vlen për t’u përmendur performanca pozitive e Bashkive Sarandë, Himarë e Pogradec, e cila mund t’i atribuohet dhe lehtësimit të masave kufizuese prej pandemisë gjatë sezonit veror 2020, duke qenë së këto bashki janë destinacione turistike”, thekson raporti vjetor.
Detyrimet e prapambetura
Detyrimet e prapambetura të Njësive të Qeverisjes Vendore (NJQV) referuar të dhënave të Ministrisë të Financave arrin 6.930 miliardë lekë, duke shënuar njëkohësisht një ulje të konsiderueshme prej 1.239 miliardë lekë krahasuar me vitin e kaluar.
Shoqata e Bashkive thekson se borxhi në total i bashkive për vitin 2020 ka një shpërndarje jo propocionale. “Borxhi më i lartë është akumuluar nga 3 bashki, Tirana, (761.8 mln) Kavaja (727.8 mln) dhe Vora (702.6 mln) ku secila prej tyre mban më shumë se 10% të borxhit total vendor. Ky grup pasohet nga tre bashki të tjera, Pogradeci (338.7 mln), Lezha (308.4 mln) dhe Roskoveci (302.2 mln), të cilat kanë secila afro 5% të borxhit total vendor.”
Performanca e 61 bashkive në këtë aspekt është mikse, ku referuar të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë vërehet se 16 prej 61 bashkive e kanë shtuar vlerën e detyrimeve të prapambetura ku spikasin Bashkia Vorë (+687.9 milionë lekë), Bashkia Malësi e Madhe (+204.4 milionë lekë), Bashkia Roskovec (+156.8 milionë lekë), Bashkia Belsh (+87.8 milionë lekë), Bashkia Divjakë (+62.7 milionë lekë)dhe Bashkia Kuçovë (+92.2 milionë lekë).
Nga ana tjetër, vërehet një ecuri tejet pozitive në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nga Bashkia Tiranë (-996.1miliardë lekë), Bashkia Kukës (-206.1 milionë lekë), Bashkia Kamëz (-143 milionë lekë), dhe Bashkia Bulqizë (-121.9 milionë lekë). Vlen për t’u theksuar se Bashkia Patos ka detyrimet më të ulta në fund të vitit 2020.
Rekomandimet e Shoqatës të Bashkive të Shqipërisë:
-Qeveria qendrore nuk duhet të ndërhyjë në ndryshime ligjore në mes të vitit buxhetor (financiare kryesisht por jo vetëm që efektojnë bashkitë).
-Buxheti nga transferta e pakushtëzuar për bashkitë duhet dyfishuar nga 1% në 2 % minimalisht, dhe kjo të fillojë të zbatohet në 2022.
-Buxheti sektorial duhet të jetë pjesë integrale e tërë buxheti të bashkisë. Fondet për investime tashmë të administruara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit duhet t’ju jepen direkt bashkive.
-Bashkitë nuk duhet të aplikojnë edhe konkurrojnë te pushteti qendror për shërbimet e tyre.
-Qeveria duhet të përgatisë kuadrin ligjor funksional sa më të qartë, të thjeshtë, të kuptueshëm dhe zbatueshëm në nivel vendor, për funksionet dhe përgjegjësitë aktuale, të reja dhe ato që potencialisht ndikojnë në nivel vendor.
-Për bashkitë rekomandojmë një qasje më demokratike në vetvete; më shumë decentralizim ndër institucionet e saj si psh me njësitë administrative.
– Politikat fiskale të bashkive duhet jenë të orientuara nga nevoja e komunitetit më së shumti se sa nga nevoja për të rritur buxhetin e bashkisë./ D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.