Vendosja e matësve inteligjentë në sektorin e ujit duhet të bëhet pas një vlerësimi të plotë ekonomik mbi kostot që paraqet kjo sipërmarrje si dhe përfitimet në afatmesme dhe afatgjatë.
Të paktën kështu gjykon raporti i auditimit i Kontrollit të Lartë të Shtetit pas vlerësimit të aktivitetit të Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a.
Dokumenti nënvizon se gjatë vitit 2021 u instaluan 4776 matës inteligjentë dhe kjo është bërë pa llogaritur eficiencën ekonomike.
“Shoqëria “UKT” Sh.a për periudhën 2021, ka instaluar 4776 matës inteligjent të ujit të pijshëm. Instalim i matësve inteligjent është realizuar pa kryer më par, vlerësim ekonomik, i cili duhet të kishte marrë në konsideratë të gjitha kostot afatgjata dhe përfitimet që do të ketë tregu dhe klientët, duke përfshirë gjithashtu edhe formën e matjes inteligjente që do të përzgjidhej/përzgjidhet, e cila duhet të jetë ekonomikisht më efektive dhe me afatin kohor më të përshtatshëm për implementimin e këtij sistemi matjeje” thuhet në auditim.
Pas kësaj raporti vlerëson se ERRU duhet të siguronte/siguroj ndërveprimin e sistemeve të ndryshme matëse, që do të implementohen në të gjithë territorin e vendit.
I njëjti raport se në bazë të këtij vlerësimi ekonomik shoqëria duhet të kishte propozuar më pas pranë Entit Rregullator të Ujit ndryshimet përkatëse ligjore dhe rregullatore, si dhe mbas miratimit të tyre duhet të përgatiste një kalendar për implementimin brenda një periudhë 10-vjeçare të sistemeve inteligjente të matjes.
Po kështu audituesit nënvizojnë se në instalimin e matësve nuk është dokumentuar testimi i kryer pas verifikimit periodik, me rezultatin që matësi nuk kryen funksionet e matjes (Verifikimit periodik të ujëmatësve i nënshtrohen të gjithë ujëmatësit që kanë plotësuar kriterin e datës së vendosjes së tyre 60 muaj, dëmtimi/ose jo fizikisht i tij, kalimi/ose jo j jetëgjatësisë së tij, matësi nuk kryen funksionet e tij etj).
Në këtë kontekst Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nënvizuar se “në rastet e vendosjes së matëseve inteligjent të ujit të pijshëm nga Shoqëria “UKT Tiranë” SHA, të merren masa për të përgatitur paraprakisht vlerësimin ekonomik, i cili duhet të marrë në konsideratë të gjitha kostot afatgjata dhe përfitimet që do të ketë tregu dhe klientët, duke përfshirë gjithashtu edhe formën e matjes inteligjente që do të përzgjidhej/përzgjidhet, e cila duhet të jetë ekonomikisht më efektive dhe me afatin kohor më të përshtatshëm për implementimin e këtij sistemi matjeje”.
Sipas raportit në bazë të vlerësimit ekonomik të përcaktuar Shoqëria, duhet ti propozoj në ERU ndryshimet përkatëse ligjore dhe rregullatore, si dhe mbas miratimit të tyre duhet të përgatit një kalendar për implementimin brenda një periudhë 10-vjeçare të sistemeve inteligjente të matjes.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.