Në mesin e këtij viti, sektori bankar në Shqipëri kishte rreth 225 miliardë Lekë fonde të painvestuara, të mbajtura në formën e vendosjes në banka dhe institucione të tjera financiare.
Të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se vlera e këtyre fondeve paraqitet në rritje me 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo shumë përbën 12.4% të aktiveve dhe 14.8% të totalit të depozitave të sektorit. Vlera e mësipërme nuk përfshin rezervat e detyrueshme ligjore që bankat duhet të mbajnë pranë Bankës së Shqipërisë.
Mbajtja e një sasie të madhe të fondeve të painvestuara krijon siguri në situata që mund të vendosin nën stres likuiditetin e sektorit bankar. Por, nga ana tjetër, një përqindje e lartë e fondeve të painvestuara ka një ndikim negativ në eficiencën dhe përfitueshmërinë e biznesit.
Ajo çka është më e rëndësishme, pesha e vendosjeve kundrejt totalit të aktiveve ka diferenca shumë të mëdha mes bankave të ndryshme. Kjo në thelb tregon se banka të ndryshme kanë një qasje të ndryshme në biznes dhe sidomos në oreksin për rrezik.
Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se banka që ka peshën më të madhe të vendosjeve me bankat kundrejt totalit të aktiveve është Intesa Sanpaolo Bank Albania. Në mesin e këtij viti, vendosjet me bankat përbënin 30.3% të totalit të aktiveve të bankës. Pas Intesa Sanpaolo, vijon Raiffeisen me 22.6%, Alpha Bank Albania, me 14.6% dhe Banka Kombëtare Tregtare, me 13.6%, ProCredit Bank me 8.2% dhe ABI Bank me 7%.
Ndërkohë, bankat me peshën më të vogël të vendosjeve kundrejt totalit të aktiveve janë OTP Albania me 0.6% dhe Union Bank me 0.1%.
Këto diferenca dëshmojnë, mes të tjerash, se shumë prej bankave të sektorit dhe në veçanti ato më të mëdhatë zotërojnë sasi shumë të mëdha depozitash, në përpjestim me gatishmërinë e tyre për të investuar dhe për të marrë përsipër rrezik.
Një element specifik që duhet të konsideruar është edhe pesha e lartë e depozitave në valutë të huaj. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregeojnë se pesha e depozitave në valutë ndaj totalit është në rritje të mëtejshme dhe arriti në 53.2% në mesin e këtij viti.
Euroizimi i lartë i depozitave është një problem edhe për sektorin bankar, sepse kuadri rregullator nuk e favorizon dhënien e kredisë në valutë për subjektet që kanë të ardhurat në lekë dhe që në ekonominë shqiptare përbëjnë edhe pjesën më të madhe të klientëve potencialë. Në këto kushte, një pjesë e madhe e depozitave në valutë dhe sidomos në Euro “parkohet” në formën e vendosjeve jashtë vendit, sidomos tek grupet bankare mëmë. Pesha e lartë e vendosjeve në bilance nuk është shumë e leverdisshme, edhe duke pasur parasysh edhe nivelin e ulët historik të normave të interesit në vitet e fundit.
Në teori, një faktor tjetër që mund t’i orientojë më shumë bankave drejt vendosjeve apo aktiveve të tjera me rrezik të ulët është edhe rritja graduale e kërkesave për kapitalizim. Kreditë, por në shumicën e rasteve edhe investimet në letra me vlerë, janë asete që kërkojnë një mbulim të caktuar me kapital, në varësi të koeficientëve të përcaktuar nga rregulloret e Bankës së Shqipërisë. Për të ruajtur nivelet e mjaftueshmërisë së kapitalit, bankat mund të kenë interes që të mbajnë një peshë të konsiderueshme në aktive me rrezik teknik më të ulët, siç janë vendosjet.
Duke pasur parasysh se kërkesat rregullatore për kapitalizim do të vazhdojnë të rriten gradualisht edhe gjatë viteve të ardhshme, është e pritshme që disa banka të vazhdojnë të orientohen drejt aseteve të këtij lloji, duke “sakrifikuar” investimet më me rrezik, por që, nga ana tjetër, kanë edhe më shumë potenciale për të sjellë fitime./E.Shehu

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.