Venitet interesi i të huajve për të studiuar në Shqipëri, bie numri i lejeve të qëndrimit për këtë qëllim

26/08/2019 9:57 AM 0 komente

Numri i të huajve që u pajisën me leje qëndrimi për arsye studimi në Shqipëri, shënoi sërish rënie gjatë vitit 2018. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT në lidhje më të huajt që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë, rezulton se të huajt që janë pajisur me leje qëndrimi për arsye studimi ishin 633, me rënie në krahasim me një vit më parë ku u dhanë 656 leje qëndrimi.

Lejet e qëndrimit që janë dhënë për këtë arsye po qëndrojnë në nivele të ulëta në krahasim me vitin 2015, ku u shënuar një rekord me 842 leje të dhëna, nga 752 që ishin dhënë gjatë 2014-s.

Pjesa dërrmuese e të huajve që vijnë për të studiuar në Shqipëri janë studentët italianë. Pakësimi i numrit të tyre kohët e fundit është ndjerë edhe nga agjencitë e pasurive të paluajtshme, të cilët i kishin ndër klientët më interesantë në tregun e qirasë në kryeqytet.

Jo vetëm të huajt, edhe shqiptarët po ikin

Në të njëjtën kohë që numri i studentëve të huaj që marrin leje qëndrimi për të kryer studimet në Shqipëri po bie, po rritet numri i studentëve shqiptarë që po pajisen me leje qëndrimi për arsye studimi në vendet e BE-së.

Të dhënat e fundit nga Eurostat treguan se vendet e Bashkimit Europian kanë dhënë 2360 leje qëndrimi të reja për studentët shqiptarë. Në raport me një vit më parë, ky numër është rritur me 17%.Numri i studentëve që kërkojnë të studiojnë jashtë ka shënuar rritje vit pas viti. Në 2014-n Bashkimi Europian dha për studentët 1627 leje qëndrimi të lëshuara për herë të parë. Prej atëherë numri i tyre është rritur, veçanërisht në dy vitet e fundit. Në 2017-n, numri i lejeve të dhëna për studentët shqiptarë ishte 2025.

Ashtu sikurse për të punësuarit, Gjermania është destinacioni kryesor për shqiptarët që emigrojnë për arsye studimi. Gjatë 2018-s janë dhënë 781 leje qëndrimi, rreth 46% më shumë se një vit më parë. Një vit më parë janë dhënë për këtë arsye 535 leje qëndrimi.

Pas Gjermanisë, numrin më të lartë të lejeve të qëndrimit për arsye edukimi e ka Italia. Sipas shifrave të Eurostat janë dhënë 526 leje për shqiptarët, nga 337 një vit më parë.

Në vend të tretë renditet Franca me 2015 leje qëndrimi, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar me 156, Austria me 132 dhe Holanda me 83 leje.

 

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of