Debimet direkte nga llogaritë bankare të individëve dhe bizneseve shënuan një rritje të ndjeshme vitin e kaluar.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, numri i këtyre transaksioneve gjatë vitit 2020 arriti në 951 mijë, në rritje me 4.4% krahasuar me një vit më parë.
Viti i kaluar regjistroi edhe numrin më të lartë të këtyre veprimeve që prej vitit 2012. Debitimi direkt është një shërbim përmes të cilit klienti autorizon bankën të shlyejë automatikisht një detyrim nga llogaria e vet dhe përdoret zakonisht për detyrime periodike, siç mund të jenë shlyerjet e faturave të shërbimeve utilitare, të tatim-taksave, etj. Klienti i jep bankës autorizim me shkrim për të shlyer periodikisht faturat e lëshuara nga përfitues të ndryshëm.
Falë aksesit në sistemet e përfituesve, si për shembull të tatimeve apo të kompanive utilitare, banka merr informacion për faturën përkatëse të klientit dhe e shlyen atë përmes llogarisë së tij rrjedhëse, pa qenë nevoja që klienti të shkojë në bankë dhe të urdhërojë individualisht çdo pagesë.
Pandemia i ka dhënë shtysë përdorimit të instrumenteve automatike të pagesave, përfshi këtu edhe debitimin direkt. Transaksionet e këtij lloji u rritën me 1.3% për individët dhe 3.8% për bizneset. Gjithsej, vlera e këtyre transaksioneve për vitin 2020 arriti në 56.5 miliardë lekë ose rreth 457 milionë euro.
Në numër, veprimet e debitimit direkt i takojnë në pjesën më të madhe individëve, me 56% të totalit. Por, në vlerë, dominojnë dukshëm pagesat e biznesit, me më shumë se 96% të totalit. Bizneset e përdorin këtë për shërbim sidomos për shlyerjen e detyrimeve tatimore, çka bën që vlerat e pagesave të jenë shumë më të mëdha, krahasuar me individët.
Për të rritur potencialin e përdorimit të këtij shërbimi, prej më shumë se pesë vjetësh po punohet për të ngritur një skemë të Debitimit Direkt Ndërbankar. Ky është një prej projekteve të ngritura nga rekomandimet e mbledhjes së parë të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, që në tetor 2015, me propozim të Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Sipas këtij projekti, synohet që të eliminohet kufizimi i pagesave të faturave nga konsumatorët drejt shoqërive utilitare kur palët nuk kanë llogari në të njëjtën bankë. Aktualisht, debitimi direkt mund të bëhet vetëm nëse klienti dhe kompania përfituese e pagesës kanë llogari në të njëjtën bankë.
Skema e debitimit direkt ndërbankar do të mundësonte kryerjen e pagesave dhe kur palët i kanë llogaritë në banka të ndryshme. Megjithëse një projekt i tillë parashikohej të përfundonte që në vitin 2018, ende sot e kësaj dite ai nuk është realizuar ende. Në muajin dhjetor, Banka e Shqipërisë vendosi si afat të ri për mundësimin e një shërbimi të tillë fundin e këtij viti./ E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.