Ndërsa vera po ikën, bizneset që gjallërojnë në këtë stinë po bëjnë vlerësimet se sa ishin të suksesshme dhe sa i arritën pritshmëritë e shitjeve.
Ndër produktet më të suksesshme në shitjet e kësaj vere ishin akulloret. Konsumi në akulloret e pastiçeritë në bregdet dhe qytetet më të mëdha e vërteton këtë, ashtu si dhe shitjet në supermarkete. Kompanitë importuese të akulloreve të konfeksionuara dhe ato të lëndëve të para që shërbejnë për prodhimin e akullores artizanale në vend pohojnë se vera ishte edhe më e mbarë se sa pritej.
Administratorja e kompanisë importuese “Neranxi”, Nurie Neranxi, pohon se “gjatë verës pati rritje të theksuar të konsumit të akulloreve artizanale. Krahasuar me një vit më parë, puna pothuajse është dyfishuar”. Për akulloret e gatshme rritja e importit vlerësohet të ketë qenë disi më e ulët në sasi (rreth 40% krahasuar me një vit më parë). Sipas ekspertëve të tregtisë, rritja e konsumit ka ardhur për shkak të shtimit të gamës së produkteve të pëlqyera, veçanërisht nga fëmijët. Për më tepër, për akulloret nuk na është dashur të paguajmë më shumë se një vit më parë, ndryshe nga ç´mund të jemi përballur me shumë produkte të tjera. çmimi i akulloreve të konfeksionuara varion 50-150 lekë në supermarkete. Akulloret familjare (paketime 0.4-1 kilogram) kushtojnë 350-800 lekë. Akulloret artizanale, në varësi të sasisë, ofrohen kundrejt çmimit 40-180 lekë.
Ecuria e mirë e shitjeve që pritet të mbyllë një bilanc pozitiv, vjen pas një rënieje të tregut që u vërejt vitin e kaluar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, tregu i akulloreve vitin e kaluar zbriti në 5.4 mijë tonë, duke pësuar rënie prej gati 22% krahasuar me një vit më parë. Sipas të dhënave të raportuara nga agroindustria, rënia më e madhe vërehet të ketë ndodhur në prodhimin vendas. Sipas të dhënave, prodhimi vendas ra 32% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që sasia e importuar u rrit gati 7%.
Në treg kryeson prodhimi vendas i akulloreve artizanale dhe atyre që konfeksionohen po këtu. Por pesha e këtyre prodhimeve ka rënë ndjeshëm dy vitet e fundit, krahasuar me akulloret e gatshme të importuara nga jashtë. Sipas të dhënave të tregtisë, në 2010-n importi zuri 37% të tregut, duke u rritur me 10 pikë përqindje krahasuar me dy vite më parë. Duhet theksuar se edhe prodhimi vendas bazohet në lëndën e parë të importuar. Importuesit dhe ekspertët e tregtisë janë dakord në arsyen e rritjes së peshës së akulloreve të gatshme të importuara. Sipas tyre, prodhimet e huaja kanë një markë më të fortë në treg dhe shpenzojnë më shumë për reklamimin e prodhimit. Importet u shtuan edhe me forcimin e rrjeteve të tregtisë me pakicë. Mbi 30 supermarkete në të gjithë vendin ofrojnë vetëm akullore të importuara.
Por megjithëse kemi shijuar më shumë akullore gjatë kësaj vere (si artizanale edhe të importit) mbetemi larg shumë vendeve për nga niveli i konsumit. Në tregun italian, konsumi për frymë i akullores arrin gati 10 kg/vit, ndërkohë që në vend nuk konsumohen as 2 kg/vit.
Artizanalet, të preferuara por…
Pastiçierët vendas pohojnë se prodhimi artizanal i akulloreve është i pakrahasueshëm, me ato të konfeksionuara. Ilir Sefaj, pastiçier në Tiranë, tregon se “shqiptarët po konsumojnë më shumë akulloret tradicionale, pasi shija e tyre është më afër natyrales”. Prodhimet artizanale kanë më pak konservantë për shkak se konsumohen më shpejt. Sipas drejtuesve të kompanisë “Neranxi”, në dyfishimin e tregut ka ndikuar shtimi i gamës së shijeve. Ata shprehen se “kemi futur në treg shije të reja që u afrohen akulloreve tradicionale”. Kjo kompani vlerësohet të furnizojë me lëndë të parë 80% të tregut të prodhimit artizanal. Importet më të mëdha i bëjnë nga Italia, Gjermania e Belgjika.
Prodhimet e freskëta (në kohë) shihen si më të shëndetshme nga konsumatorët shqiptarë. Por blerësit ngrenë më shumë dyshime kur flitet për sigurinë e tyre ushqimore, që lidhet më së shumti me mbartjen bakteriale të qumështit. Nga vlerësimet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) nuk rezulton të ketë pasur probleme të sigurisë ushqimore nëpër pastiçeri. Gjithsesi, një prej importuesve kryesorë në vend mendon se “nëse nuk ekzistojnë kushtet e kontrollit të tregut vendas, një zgjidhje e përkohshme do të ishte vendimi për të importuar lëndë të para për prodhimin e akulloreve vetëm nga vendet e BE-së”. Kjo masë, sipas ekspertëve të tregtisë, do të kufizonte ofertën në treg dhe do të ndikonte në rritjen e çmimit”.
40% të tregut, kakao, çokollatë
Shqiptarët pëlqejnë shije origjinale prej kakao dhe fruta pylli. Akulloret me frutat e pyllit po kërkohen gjithnjë e më shumë, por shija më e preferuar mbetet kakao.
Pastiçierët tregojnë se akulloret me kakao përbëjnë rreth 30% të kërkesës ditore për akulloret e freskëta artizanale. Kakao dhe çokollata zënë peshë më të madhe (mbi 40% të shitjeve) kur flasim për pjesën e tregut që mbulohet nga akulloret industriale. Kjo është një prirje mbarë europiane, siç vlerësojnë edhe studimet e tregut.
Operatorët më të mëdhenj në treg (importues të lëndëve të para dhe të akulloreve të gatshme) numërohen të jenë pak më shumë se 10. Tri minifabrika prodhojnë akullore të konfensionuara në vend.
Për importin shpenzuam 13% më shumë
Akulloret e importuara janë pothuajse tërësisht industriale. Ato vijnë më së shumti nga Turqia dhe Italia. Sipas të dhënave të tregtisë, vitin e kaluar sasia e akullores së importuar ishte 2 mijë tonë, me një vlerë prej rreth 6.7 milionë dollarësh. Krahasuar me një vit më parë, vlera e importit u rrit gati 13%. Rritjen më të madhe, importet e këtij produkti e patën gjatë vitit 2008, për shkak të rritjes së çmimeve. Sipas të dhënave të tregtisë, në atë periudhë importi në vlerë u rrit 49% krahasuar me një vit më parë. Pavarësisht se furnizuesi kryesor i tregut është ai i prodhimeve mesatare në cilësi e çmim (Turqia), industria e akulloreve cilësore (Premium) ka rritur peshën në vend. Importet nga Italia u rritën 35% në 2010-n dhe pesha e tyre është rritur me 5 pikë përqindje vetëm gjatë vitit të fundit.
Europa, tregu mbi 11 miliardë euro
Kontinenti amerikan rezulton të jetë konsumatori më i madh i akulloreve për frymë. Sipas të dhënave të shoqatave të konsumatorëve, një amerikan konsumon gati 19 kilogramë akullore në vit. Ndër tregjet më të organizuara të akullores në botë rezulton të jetë ai në Europë. Prej vitesh, në tregun europian operon Shoqata e Industrialistëve Europianë të Akullores (“Euroglaces”). Sipas të dhënave të kësaj shoqate, vetëm në Europë, industria e akulloreve kap vlerën e rreth 11 miliardë eurove, me një volum shitjesh prej rreth 2.5 miliardë kilogramësh në vit. Gjermania dhe Franca janë tregjet kryesore të Europës për prodhimin e akullores. Sipas të dhënave të “Euroglaces”, niveli i konsumit për frymë varion nga 13 kg në Finlandë e Suedi në 5.5 kg në Holandë. Në vetëm 11 vende të Europës anëtare të kësaj shoqate numërohen mbi 110 kompani që merren me prodhimin industrial të akullores me mbi 16 mijë të punësuar.
Sipas një studimi të bërë së fundi nga “Mintel Global Market” (GMN) tregtarët e akulloreve siguruan fitime të majme gjatë vitit të kaluar, pavarësisht ekonomisë së ftohtë. Vlera e shitjeve në pesë tregjet kryesore europiane (Francë, Gjermani, Itali, Spanjë dhe Mbretëri e Bashkuar) shënoi 4.6 milionë euro, nga 4.1 milionë euro që shënoi në 2008-n. Në tregun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u shitën 6.8 milionë dollarë akullore gjatë vitit 2010. Studimi vë në dukje se është rritur kërkesa për akulloret cilësore. Sipas “Mintel” linjat premium përbënin 9% të krem akulloreve të hedhura në tregun europian vitin e kaluar, ndërsa prodhimet ekonomike përfaqësonin 4% të tregut. Edhe pse akullorja është parë shpesh si një privilegj i ëmbël dhe i përballueshëm, konsumatorët shprehin ende interes për prodhimet e shëndetshme. Prodhuesit janë përgjigjur se “13% e të gjitha llojeve të akulloreve të hedhura në treg kanë qenë pa konservues e prodhime shtesë”.
Prirja e forcuar drejt akulloreve më të shëndetshme po sjell heqjen e aditivëve dhe konservuesve, më shumë se kufizimin e yndyrave, sheqerit dhe kalorive”, thotë Ana Lourenco, analiste i tregut pranë “Mintel”. “Ka padyshim një prirje shumë më të madhe për të prodhuar akullore me shumë fruta dhe me përbërje të pasura me antioksidantë, të cilat ndihmojnë njëkohësisht që akullorja juaj të paraqitet më e mirë”, thotë Laurenco.
çfarë ka jashtë është po aq e rëndësishme se çfarë ka brenda. Zhvillimet në sektorin e paketimit po bëjnë që industritë të përqendrohen gjithnjë e më shumë te materialet e riciklueshme dhe të padëmshme për mjedisin. Gjatë muajit të fundit të vitit të kaluar, 13% e prodhimit të akulloreve në tregun europian u paketua në këto ambalazhe, me një rritje prej 6 pikë përqindjeje në peshën totale të tregut krahasuar me një vit më parë. Këtë vit, pritet që pesha e akulloreve të tregtuara në ambalazh të riciklueshëm të jetë dy herë më e lartë se ajo e një viti më parë.
“Konsumatorët po kërkojnë më shumë prodhime ‘miqësore´ ndaj mjedisit në të gjithë kategorinë e ushqimeve dhe pijeve dhe akullorja nuk bën përjashtim”, shprehet Lourenco. Sipas saj, “kompanitë e ndërgjegjshme në paketim mund të jenë një hap para me konkurrencën e tyre”.
Të gjitha vendet europiane janë dakord kur vjen fjala për shijen më të preferuar: çokollata. Sipas studimit të “Mintel”, më shumë se një e treta (32%) e totalit të akulloreve të hedhura në tregun britanik janë me shije çokollate, krahasuar me 31% në Spanjë, 22% në Itali, 17% në Gjermani dhe 16% në Francë. Në SHBA, vanilja është shija më e preferuar (11% e prodhimit të akulloreve). çokollata renditet në vendin e dytë, me 8% të shitjeve.
Konsumi i akullores në disa vende
(kg/frymë/vit).
SHBA 19
Australi 18
Finlandë 13
Itali 9.8
Britani 7.7
Kinë 1.9
Japoni 0.01
Shqipëri 2
Burimi: Shoqata e Industrialistëve Evropianë, (Për Shqipërinë MBUMK)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.