Sa shpesh ju ndodh të dëgjoni dikë që të refuzojë një gotë verë të bardhë, duke këmbëngulur që konsumon vetëm verë të kuqe? Shumë shpesh, me siguri.
Duke marrë parasysh shumëllojshmërinë e varieteteve që ekzistojnë, është e paqartë arsyeja pse kaq shumë njerëz nuk preferojnë ta konsumojnë verën e bardhë, por na besoni kur ju themi se një shishe e mirë me verë të bardhë është po aq e shijshme (dhe po aq e shtrenjtë) sa vera e kuqe që lakmohet shumë.
Këtu mund të gjeni një listë me disa nga verërat e bardha më të mira, që janë të gjitha gati për t’u hapur dhe për t’u shijuar që tani (kush thotë se vera e bardhë nuk pihet në dimër?), por shumë prej tyre ia vlen t’i ruani edhe për disa vite të tjera, ndoshta edhe një ose dy dekada, për të parë se çfarë mund të ofrojnë në të vërtetë verërat e shkëlqyera nga rrushi i bardhë.
Vera e bardhë Booker 2020
Paso Robles’ Booker Wines nxjerr në treg këtë përzierje të stilit Rhône çdo vit si e vera e vetme e bardhë e kësaj marke. Ky është lloji i verës së bardhë me një shije komplekse, por të freskët, që në fakt adhuruesit e verës së kuqe e vlerësojnë. Ajo përzien varietetet tipike Rhône (kryesisht nga vreshtat viognier dhe roussanne plus marsanne) me vetëm pak chardonnay, duke sjellë një verë me shije të fuqishme.
Çmimi: 65 dollarë
Vera Bergström 2017 Sigrid Chardonnay
Kjo verë klasike prodhohet ekskluzivisht nga vreshtat më të vjetra të chardonnay, të kultivuara në mënyrë biodinamike nga vreshtat Bergström dhe Silice në Dundee Hills. Vera më e famshme e bardhë nga Bergström ofron një udhëtim shqisor: aroma e saj e pëzier me shafran, erëza, arra dhe fruta të ziera; gjithçka ka të bëjë me shijet energjike, rinore, me shumë aciditet dhe minerale — perfekte për t’u ruajtur sa më gjatë.
Çmimi: 100 dollarë
Domaine Weinbach Schlossberg 2019 Grand Cru Riesling
Kjo verë Riesling e pastër dhe elegante, u krijua nga vreshtat e kultivuara në parcelat më të larta të Grand Cru në Alsas të Francës, një zonë me vreshta në tarraca e cila shtrihet deri në vargmalin Vosges. Ekipi i Weinbach njihet për prodhimin e disa prej Rieslings më të mira në botë dhe kjo verë e vitit 2019 nuk është ndryshe: me një aromë dhe shije lulesh dhe frutash, sigurisht që mund ta shijoni këtë verë që tani, por ruajtja e saj për një dekadë më tepër mund t’ju sjellë diҫka krejt tjetër, nëse merrni përsipër të shikoni se deri ku ju çon durimi dhe vetëpërmbajtja juaj.
Çmimi: 95 dollarë
Mas de Daumas Gassac White 2020
Ajo që është interesante për këtë verë është se 17 për qind e saj është një përzierje e rrushit “të rrallë” nga e gjithë bota: ajo ka varietetin neheleschol nga Izraeli, atë amigne nga Valais në Zvicër dhe tchilar floral nga Armenia. Nëse nuk keni dëgjuar kurrë më parë për këto varietete rrushi, nuk jeni të vetmit, por ky është një shembull i shkëlqyer se sa argëtuese dhe sa emocionuese mund të jenë përzierjet e vreshtave të ndryshëm.
Çmimi: 65 dollarë
Monier-Perreol, Saint Joseph Blanc, 2020
Kjo shishe ka një verë me shije toke, të plotë, 100 për qind varietet marsanne nga bashkëpunimi gati 15-vjeçar midis Jean-Pierre Monier dhe Phillippe Perreol, dy nga emrat më të mëdhenj të Rhône. Kjo verë biodinamike përmban rrush të vjelur nga pjergulla 30-35-vjeçare.
Çmimi: 60 dollarë
2020 Weingut Prager Achleiten Gruner Veltliner Smaragd Wachau
Për shumë adhurues të verës, varieteti më i përhapur i rrushit të verës së bardhë në Austri mund të konsiderohet si një shije më delikate dhe më e lehtë. Ky varietet nga Wachau, ku kultivohen disa nga Grunerët më të mirë, është i përshtatshëm për të shoqëruar ushqimin dhe ofron thellësi nëpërmjet erëzave, një sasie të vogël të kripësisë dhe frutave tropikale të pjekura mirë.
Çmimi: 83 dollarë
Chacra 2020 Patagonia Chardonnay
Nëse i ndani chardonnay-et tuaja në ato të Kalifornisë dhe të Francës, atëherë Argjentina do të zgjerojë horizontin tuaj me këtë shishe komplekse nga Patagonia veriore. E prodhuar në partneritet me legjendarin Jean-Marc Roulot, kjo chardonnay është një verë e plotë, por gjallëruese dhe me aciditet. Butësia e mjaltit, frutat dhe nuancat e biskotave krijojnë një chardonnay komplekse dhe elegante.
Çmimi: 89 dollarë
/ Travel & Leisure