Bordi i Mbikëqyrjes Publike (BMP) ka dhënë informacion mbi verifikimin e veprimtarisë së Kontabilistëve të Miratuar dhe Audituesve Ligjorë. Bordi ka marrë masa për 10 auditues ligjorë, ndërsa po investigon të gjithë zotëruesit e titullit Kontabilit i Miratuar, që nuk janë pasqyruar në listën e miratuar të kontabilistëve të miratuar.
Bordi ka njoftuar se në vijim te aktiviteteve te Bordit të Mbikëqyrjes Publike (BMP), në kuadër të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve nga “Kontabilistët e Miratuar” dhe “Audituesve Ligjor”:
1- BMP ka marrë disa masa administrative për 10 Audituesit Ligjor në përputhje me kërkesat ligjore të Ligjit Nr. 10091 dhe kuadrit rregullator në fuqi. Sanksionet e marra parashikojnë ndëshkim me gjobë deri në pezullim licence në mbështejte të nenit 55 të ligjit të sipërcituar lidhur me shkeljet dhe masat disiplinore
2- Janë kryer verifikime dhe rezulton se nga 250 “Kontabilistë të Miratuar”, vetëm 52 plotësojnë kriteret e Rregullores nr.9 datë 27.02.2019 “Për rregullimin dhe mbikëqyrjen e funksionimit të organizatave profesionale dhe profesionit të kontabilistit të miratuar” e ndryshuar, dhe legjislacionit në fuqi, duke përfshirë përmbushjen e kërkesave të edukimit të vijueshëm brenda periudhës tranzitore të parashikuar në kuadrin rregullator.
Gjithashtu, brenda periudhës tranzitore për 9 zotërues të titullit “Kontabilistë të Miratuar” është kërkuar përmbushja e disa kritereve në mbështetje të kuadrit rregullator në fuqi përpara publikimit në listën e miratuar të Kontabilistëve të Miratuar.
Për të gjithë zotëruesit e tjerë të titullit Kontabilist i Miratuar të cilët nuk janë pasqyruar në listën e miratuar është duke u bërë një investigim më i hollësishëm mbështetur në dispozitat ligjore dhe kuadrin rregullator në fuqi.
Në funksion të interesit të publikut dhe në kuadër të veprimtarisë së vet, BMP është duke monitoruar dhe do të vijojë të mbikëqyrë më shumë përgjegjësi ligjore veprimtarinë e shërbimeve të profesionistëve kontabël dhe organizatave profesionale përkatëse.
Bordi inkurajon çdo profesionist të garantojë zbatimin e kërkesave ligjore dhe respektimin e standardeve profesionale të zbatueshme, si dhe kërkesat përkatëse të kodit të etikes.
Qëllimi kryesor i BMP nuk janë sanksionet në vetvete, por e drejta themelore për zbatim të ligjit, me parimin thelbësor të rritjes së cilësisë së shërbimeve për të siguruar një informacion financiar sa më të saktë e të besueshëm për të gjitha palët, thuhet në njoftimin e bordit, i cili fton të interesuarit që për çdo informacion të nevojshëm, të përdorin faqen zyrtare www.bmp.al, dhe/ose kontaktoni në [email protected]
Kontrolli i dokumentacionit të kontabilistëve
Bordi i Mbikëqyrjes Publike njoftoi pak muaj më parë se në kuadër të reformës së mbështetur nga Banka Botërore për forcimin dhe përmirësimin e rregullimit dhe mbikëqyrjes së funksionimit të profesionistëve, kontabilistë të miratur dhe auditues ligjorë, si dhe organizatave të tyre profesionale ka nisur procesin e verifikimit të zbatimit të dispozitave ligjore për çdo subjekt mbajtës të titullit Kontabilist i Miratuar, Aktiv (KMA) dhe Jo-Aktiv (KMJ) për të garantuar interesin publik mbi shërbimet dhe aktivitetin e KM.
Qëllimi i reformës ka për objektiv formalizimin e të gjithë zotëruesve të titullit, qofshin praktikant ose jo praktikant, duke bërë të mundur garantimin e zbatimit të dispozitave ligjore lidhur me detyrimet e tyre ligjore që përfshijnë zbatimin e standardeve etike dhe kërkesave ligjore lidhur me pastërtinë penale të figurës së KM-ve, edukimin e vijueshëm, anëtarësimin në organizatat profesionale si ushtrues ose jo ushtrues dhe garantimin e cilësisë së shërbimeve përmes mbikëqyrjes nga organizatat profesionale përkatëse.
Bordi i Mbikëqyrjes Publike ka ngritur pranë tij Komisionin Ad-Hoc për të realizuar procesin e verifikimit të përputhshmërinë ligjore të veprimtarisë së subjekteve mbajtës të titullit Kontabël i Miratuar nëpërmjet dosjeve të vetë-deklarimit.
Pas verifikimit nga Komisioni Ad-Hoc, çdo KMA dhe KMJ, do konfirmohet si i tillë nëpërmjet një vërtetimi të lëshuar nga BMP ku garantohet se subjekti i ka plotësuar dispozitat ligjore ose është duke i përmbushur brenda periudhës tranzitore të parashikuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.