Veriperëndimi i Bullgarisë, rajoni më pak i zhvilluar në BE

20/03/2020 10:02 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Pesë rajone bullgare janë ndër më të varfrat në BE dhe rajoni veriperëndimor i Bullgarisë për vite me radhë ka qenë më i varfri në të gjithë Bashkimin Europian. Kjo pjesë e Bullgarisë aktualisht është një “ndërthurje e përsosur faktorësh negativë”, tha në një intervistë për Radio Bullgaria, analisti ekonomik Adrian Nikolov, nga Instituti për Ekonominë e Tregut.

Ai u shpreh: “Ne duhet të fillojmë me demografinë, sepse problemi demografik e mban rajonin veriperëndimor në fund të renditjes së BE-së, edhe nëse adresohen në mënyrë aktive të gjitha problemet e tjera. Vratsa, Vidin dhe Montana janë rrethet bullgare ku shpejtësia e plakjes së popullsisë është më e lartë. Është shumë e vështirë të zgjidhet problemi që lidhet me deficitin e njerëzve, përfshirë edhe të rinjtë, sepse nëse një rajon i caktuar shpopullohet në mënyrë të përhershme, është thuajse e pamundur ta kthesh mbrapsht këtë trend.

Së dyti, kemi faktorin arsimor, thotë Adrian Nikolov. Ekzistenca e një fuqie punëtore të trajnuar mirë, të arsimuar dhe të kualifikuar, u mundësoi shumë rretheve në Bullgarinë e Jugut që t’i kapërcenin krizat dhe të zhvilloheshin në një drejtim pozitiv. Sidoqoftë, kualifikimi i përgjithshëm i njerëzve nga veriperëndimi i Bullgarisë nuk përputhet me nevojat e tregut të punës.

Faktori i tretë është lidhja e infrastrukturës, thotë Adrian Nikolov. Në Bullgarinë e Veriut, ka disa zona të izoluara me aktivitet të lartë ekonomik, por infrastruktura e pamjaftueshme nuk i lejon ata të komunikojnë aktivisht me njëri-tjetrin”.

Kur të rinjtë nuk kanë mundësinë për të studiuar në një zonë të caktuar, ata migrojnë dhe shpesh nuk kthehen në vendin e origjinës. Ky faktor ndikon edhe në strukturën demografike të rajoneve. Kjo është arsyeja pse njerëzve duhet t’u jepet mundësia për arsim të lartë në çdo pjesë të Bullgarisë, nëse duam t’i mbajmë të gjalla rajonet, sidomos ato në Bullgarinë e Veriut, shprehet eksperti ekonomik.

“Megjithatë, nga ana tjetër, duhet të marrim parasysh nevojën për një arsimim universitar të duhur dhe cilësor – shton Adrian Nikolov. Ky është problemi kryesor në shumicën e universiteteve rajonale – të cilat janë cilësitë, aftësitë dhe kualifikimi i njerëzve që diplomohen në këto universitete.

Edhe universitete si Universiteti i Sofjes, Universiteti i Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore dhe Universiteti i Ri Bullgar, kanë vështirësi në përpjekjet për të garuar me universitete të tjera botërore, aq më tepër një kolegj apo universitet i vogël bullgar. Në fakt, shumica e arsimit tonë profesional nuk është reformuar ende. Ai ekziston, por nuk plotëson kërkesën e tregut të punës dhe nevojat e ekonomive lokale.

Shfaqja e investitorit të parë të madh është ajo që e bën një rajon, qytet ose komunë, tërheqëse edhe për investitorët e tjerë të mëdhenj, shpjegon Adrian Nikolov dhe tregon përshtypjet e tij nga diskutimet e kaluara me investitorët, dhomat tregtare, etj:

“Numri i kompanive që po tregojnë interes në veriperëndim të Bullgarisë është rritur, sepse pagat e ulëta ishin ndër faktorët kryesorë që sollën shumë biznese në këtë vend në të kaluarën. Sidoqoftë, kompanitë që investojnë në Bullgari tani po përpiqen të gjejnë forcë të lirë pune në qytetet dhe rajonet më të zhvilluara si Plovdiv dhe Stara Zagora në Bullgarinë Qendrore dhe Jugore ose në qytetin bregdetar të Burgas.

Është e trishtueshme, por pagat e ulëta janë ndër avantazhet më të mëdha që ka veriperëndimi në tërheqjen e investitorëve të rinj, sepse pagat në këtë pjesë të vendit janë ende të ulëta dhe standardi i jetesës nuk është aq i lartë. Kjo është arsyeja pse shumë biznese të cilat kërkojnë një forcë pune relativisht të arsimuar dhe me pagë të ulët, mund të vendosin të shkojnë atje”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of