Vermoshi pritet të ketë së shpejti qendrën e vet të turizmit, ndërkohë që do t’i nënshtrohet një rikualifikimi të plotë urban.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka përmbyllur procedurat dhe ka zgjedhur edhe kompaninë fituese e cila pritet që, në harkun e 10 muajve, të bëjë një sërë ndërhyrjesh të rëndësishme në këtë zonë. Kjo nismë është pjesë e projektit Zhvillimi i Alpeve Shqiptare dhe Zonës së Bregdetitm që vitin e shkuar mori edhe një mbështetje prej 28.7 milionë eurosh.
“Periudha e ndërtimit të qendrës dhe rikualifikimit parashikohet të zgjasë 10 muaj. Punimet duhet që të marrin në konsideratë faktin që për të krijuar një qendërzim ka nevojë për një strukturë urbane që përcakton aktivitetin ndërtues me hapësirën e tyre publike.
Punimet konsistojnë në rikualifikimin e Qendrës së Vermoshit: mbrojtjen e lumit, mbulimin me pllaka dekorative prej guri, elemente urbane dhe peizazhi, zëvendësimin e teknologjisë për përmirësimin e çative, sistem ventilimi për çatitë dhe membrana kundër ujit, izolim i përfunduar me pllaka druri pishe dhe të fiksuara me profile metali, konsolidimin e strukturave nga brenda, muret, dyshemeja, çatitë dhe shkallët” thuhet në specifikimet e procedurës që tashmë ka edhe një fitues.
Kompania që ka fituar të drejtën për të zbatuar këtë pjesë të projektit është ofruar që ta bëjë kundrejt shumës 141 milionë lekë, ndërkohë që në total për këtë procedurën morën pjesë katër kompani.
Projekti për Alpet dhe bregdetin ka përfituar vetëm nga Banka e Zhvillimit e Këshillit të Europës rreth 29 milionë euro, të cilat janë shpërndarë në aktivitete të ndryshme në zonat e parashikuara. Ndër të tjera, përmes tij janë bërë të mundura një seri punimesh në Vlorë si rruga Vlorë-Kaninë, rehabilitimi i shëtitores në anë të detit për zonën e xhiros, si dhe ndërtimi i rrugës së unazës së Vlorës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.