Max Verstappen ka firmosur një marrëveshje rekord me Red Bull, e cila e bën atë pilotin më të paguar në historinë e Formula 1.
Sipas asaj që shkruan e përditshmja “The Times”, piloti holandez do të fitojë 40 milionë paund në sezon (rreth 48 milionë euro) në katër sezonet e ardhshme,
Marrëveshja aktuale e kampionit të botës do të përfundonte në vitin 2023, por sipas së përditshmes holandeze “De Telegraaf”, piloti e ka zgjatur kontratën me të paktën 4 sezone.
Paga e tij e re do të jetë dyfishi krahasuar me pagën e mëparshme dhe shumë më afër kontratës së Lewis Hamilton (rreth 40 milionë paund në vit) – të dyja marrëveshjet përfshijnë bonuse.
Red Bull refuzoi ta komentojë lajmin. Vendimi i jep fund çdo thashethemi se Mercedez do të trokiste në derën e Verstappen, për të zëvendësuar Hamilton në momentin e tërheqjes.
Red Bull siguroi së fundmi një nxitje të madhe financiare nga sponsori i ri kryesor Oracle, duke nënshkruar një marrëveshje pesëvjeçare prej 500 milionë dollarësh – një nga marrëveshjet e sponsorizimit më fitimprurëse në sport.