Flet administratori i ujit “Qafshtama”, Florant Dautaj
Rritja e lartë e çmimit të plastikës, energjisë, naftës dhe vështirësitë në gjetjen e lëndëve të para në tregjet e huaja kanë shtuar ndjeshëm kostot për ambalazhimin e ujit.
Administratori i “Qafshtama”, Florant Dautaj, pohoi për “Monitor” se efektet janë të drejtpërdrejta në prodhim, pasi 100% e lëndëve të para për ambalazhim importohen nga BE dhe rritja e çmimeve është e ndikuar nga tregjet ndërkombëtare.
Për shkak të kësaj situate, kompania ka aplikuar 6% rritje të çmimeve, të cilat mbulojnë pjesërisht efektin e shtuar të kostove.
Sa janë rritur çmimet e lëndëve të para dhe cilat janë efektet te kostot e prodhimit të ujit nga vala e shtrenjtimit të çmimeve?
Rritje e çmimeve të lëndëve ka nisur që vitin e kaluar dhe ka qenë e vazhdueshme çdo 3-mujor. Në dhjetor të vitit 2021, fillimisht çmimet u rritën 15%. Për periudhën mars-maj, rritja është mbi 20% për çdo kategori produkti. Për 6-mujorin e dytë, parashikohen rritje të tjera të çmimeve të furnizimeve rreth 10%.
Pothuajse 100% e lëndëve të para për ambalazhimin e ujit mineral “Qafshtama” importohen nga vende të Bashkimit Europian dhe ndikohen nga çmimet në tregjet ndërkombëtare.
Rritjen më të madhe e ka pësuar shishja plastike (PET) e cila është rritur 65% krahasuar me vitin 2021. Produkte kryesore, si: tapat, etiketat, filmat e paketimit dhe çdo produkt, i cili është pjesë e prodhimit, janë rritur nga 20-30% në 3-mujorin e fundit.
Energjia elektrike dhe nafta zënë gjithashtu një vend të rëndësishëm në procesin e prodhimit dhe shpërndarjes së produktit. Energjia elektrike sot blihet 60% më shtrenjtë se një vit më parë.
Efekti i ndryshimit të çmimeve në kostot totale të produktit parashikohet të jetë në normën 20% rritje, nëse kemi stabilitet të çmimeve të importit për lëndët e para.
A po hasni vonesa në sigurimin e lëndëve të para nga tregjet e huaja dhe ndryshime të shpeshta të çmimeve?
Vonesa në dorëzimin e porosive dhe ndryshimi i shpeshtë i çmimeve janë problematikat më të mëdha me të cilat po përballemi çdo ditë. Prej vitesh bashkëpunojmë me kompani të konsoliduara ndërkombëtare për furnizimin e lëndëve të para, të cilat në vazhdimësi na mbajnë të informuar për parashikimet e prodhimeve dhe dorëzimit të porosive. Fatmirësisht kemi kapacitete të larta magazinimi, të cilat na krijojnë kushte të mbajmë një stok të lartë të lëndëve të para.
Për sa i përket ndryshimit të shpeshtë të çmimeve, vlen të theksoj se asnjë furnitor i lëndëve të para nuk garanton çmim të qëndrueshëm për një periudhë më të gjatë se 3 muaj në avancë. Nga njoftimet paraprake që kemi marrë, pritet që 6-mujori i dytë i vitit 2022 të ketë rritje të çmimeve të lëndëve të para të paktën 10% më shumë se ato aktuale.
A kanë ndryshuar çmimet e ujit për konsumatorin, për shkak të rritjes së kostove?
Si për çdo kategori të produkteve ushqimore, edhe ujërat mineralë kanë aplikuar një rritje të çmimit në tremujorin e dytë të vitit 2022, mesatarisht rreth 6% që është më e ulëta në krahasim me çdo rritje të produkteve bazë të shportës.
Kjo rritje e çmimeve në treg mbulon pjesërisht rritjen e kostove totale të prodhimit, por qëllimi nuk është të përfitojmë nga kjo situatë të cilën po përjetojmë.
Si ka vijuar ecuria e konsumit dhe cilat janë pritshmëritë e konsumit me fillimin e stinës së verës në tregun e brendshëm?
Kompania “Qafshtama” në 3-mujorin e parë të vitit 2022 ka pasur rritje prej 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe parashikimet janë që edhe muajt në vazhdim të kenë të njëjtin trend rritje. Investimi i ri i stabilimentit të dytë të prodhimit na mundëson dyfishimin e kapaciteteve prodhuese për të përballuar kërkesën në rritje për produktet tona.
Si shfaqet ecuria e eksporteve për muajt janar-prill 2022 në raport me vjet?
Eksportet për vitin 2022 paraqiten me një rritje të vogël krahasuar me të njëjtën periudhë, pasi rritja e çmimeve të produkteve dhe po ashtu e transportit, rrit koston e produktit në destinacion dhe e bën më pak të konkurrueshëm në tregun e huaj.
A është shqetësuese në industrinë tuaj, tregu informal i shitjes së ujit?
Tregu informal mbetet një problematikë me të cilën përballemi çdo ditë tek klientët tanë. Ka një përmirësim të sektorit HoReCa (Hotele, Restorant, Kafene) dhe Retail në qytetet e mëdha, si Tirana dhe Durrësi, por nuk ndodh e njëjta gjë në qytetet e tjera ku informaliteti është një fenomen, sa shqetësues, po aq dhe bllokues për tregtimin e produkteve tona.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.