Nga e hëna e 11 majit, vetëm gjashtë bashki do të mbeten në zonën e kuqe, ku do të zbatohet i njëjti regjim oraresh i ndjekur deri më tani. Kryeministri Rama njofton nëpërmjet një statusi në ‘facebook’ se këto zona do të blindohen me postblloqe dhe nuk do të lejhet hyrje-dalja e automjeteve të paautorizuara.
Pjesë e zonave të kuqe do të mbeten, bashkia e Shkodrës, Kurbinit, Krujës, Durrësit, Tiranës dhe Fierit. E gjithë pjesa tjetër e vendit do të jetë e gjelbër dhe qarkullimi ndërqytetas me automjet privat brenda gjithë kësaj pjese do të jetë i lirë, me një regjim orar që do të shtrihet deri në orën 21.00.
“Për këtë pjesë do të mbeten në fuqi vetëm rregullat që ndalojnë grumbullimin e më shumë se pesë personave, aktivitetet kulturore e sportive të çdo lloji, transportin publik si edhe njësitë ekonomike ende të mbyllura”.
Rregullat e fundjavës do të jenë të njejta si javën e shkuar.
“Këtë fundjavë njësoj si fundjavën e shkuar, në të gjithë vendin do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që kanë autorizim për punë dhe dalja e këmbësorëve do të bëhet me dy fasha: Deri në orën 09.30 vetëm pensionistët dhe nga ora 10.30 deri në 17.30 prindërit me fëmijët deri në 14 vjeç.
Nëse situata me numrat e të infektuarve dhe të të shtruarve në spital vazhdon të jetë e stabilizuar, kjo do të jetë fundjava e fundit me ndalim daljeje për vajzat e djemtë mbi 14 vjeç”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.