Shqipëria ka bërë revolucion në ofrimin e shërbimeve publike online, por ai po gjen pak përdorim nga moshat e vjetra.
Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT nga shtetasit mbi 55 vjeç u kryen 6 për qind e shkarkimeve dhe printimeve të dokumenteve nga e -goverment me 2022.
Në grupet e tjera të popullsisë përdorimi i E-Albania për shkarkimin e dokumenteve ka qenë më i lartë. Psh rreth 33% e veprimeve u kryen nga grup-mosha 25-34 vjeç, Përqindja vjen e ulet në grupet më të mëdha të popullsisë ( siç tregojnë të dhënat nga grafiku i mëposhtëm).
Sipas të dhënave zyrtare nga AKSHI, në vitin 2022 u kryen 1.953.063 aplikime për shërbime elektronike të aplikanteve mbi 55 vjeç nga 8.382.244 aplikime në total. Aplikimet e personave mbi 55 vjeç përbënë 23.3% të totalit të të gjithë aplikimeve.
Sipas AKSHI, në vitin 2022 ishin 891.449 dokumente të gjeneruara për certifikatat personale dhe familjare të aplikantëve mbi 55 vjeç nga 4.767.114 aplikime në total për dokumente të gjeneruara, ose 19% e totalit të të gjithë dokumenteve.
U shkarkuan 572.053 certifikata familjare – 12.4% e totalit dhe 319.396 certifikata personale – 6.7%
Gjatë vitit të kaluar pati një rritje të ndjeshme të familjeve me internet. INSTAT raportoi se 96.5% të familjeve kishin internet me 2022, me një rritje 8 pikë përqindje në raport me një vit më parë.
Në fund të vitit 2019, Qeveria shqiptare vendosi fillimin e “Revolucionit Dixhital të shërbimeve publike”.
Që nga 1 janari 2020, nisi një proces i ri, duke ofruar aplikime për shërbime publike vetëm online për qytetarët dhe bizneset. Në datën 1 maj 2022, filloi jo vetëm aplikimi për shërbime publike, por edhe ofrimi i dokumentit përfundimtar me vlerë ligjore të plotë.
Shqipëria tani ofron 95% të të gjitha shërbimeve publike vetëm online me vulë/apo me nënshkrim elektronik në fund.
Deri me 2026 qeveria shqiptare synon dixhitalizim të mëtejshëm të shërbimeve publike. Planifikohet integrimi i teknologjive të reja si blockchain, inteligjencë artificiale, për të përmirësuar cilësinë e ofrimit të shërbimeve.
Për të rritur numrin e shërbimeve që merren në kohë reale me vulë elektronike synohet të vijohet me investime për dixhitalizimin e arkivave fizike dhe rritjen e numrit të sistemeve elektronike që nder veprojnë me njëra-tjetrën në Platformën Qeveritare të Ndërveprimit.
Ndër sfidat kombëtare është edhe njohja e nënshkrimit dhe vulës elektronike fillimisht në vendet e rajonit, për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe bërjes së biznesit me Ballkanin Perëndimor dhe më pas me vendet e Bashkimit Evropian.
Në fokus do të jetë edhe përshtatja e platformës e-albania për përdorim dhe nga personat me aftësi ndryshe, të cilët aktualisht hasin vështirësi në marrjen e shërbimeve publike online.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.