Vetëm bizneset e teknologjisë dhe informacionit, shitjet me pakicë dhe bizneset e ushqimeve dhe pijeve u gjetën me kursime gjatë karantinës së pranverës.
Një anketë e BERZH e zhvilluar në më shumë se 270 biznese në të gjithë sektorët ka verifikuar se 50 për qind e bizneseve te teknologjisë dhe informacionit kishin kursime cash, me të cilat përballuan pasojat që krijoi mbyllja e parë në muajt mars maj 2020.
Më pas me kursimet më të larta rezultuan bizneset e tregtisë më pakicë ku, 41 për qind kishin raportuar se kishin kursime cash me të cilat kishin financuar veprimtarinë. Kategoria e tretë më kursimet më të larta ishin bizneset e ushqimeve dhe pijeve, ku 37% e tyre deklaruan se kishin kursime.
Por pjesa më e madhe e bizneseve që nuk kishin asnjë lloj financimi ishin sektori i fasonit, bujqësia dhe turizmi.
Sektorët me aksesin më të madh në hua dhe grante ishin transporti (57 për qind), bujqësia (44 për qind) dhe ndërtimi (38 për qind).
Nivele qëndrueshmërie për 2-3 muajt pas masave të para izoluese kanë shfaqur sektorët e bujqësisë, ushqimit dhe pijeve, shitjeve me pakicë, ndërtimit dhe TIK.
Në të kundërt, ndërmarrjet në sektorët e transportit, tekstilit dhe turizmit treguan qëndrueshmëri më të dobët. Veçanërisht shqetësuese mbetet fakti 63 për qind e ndërmarrjeve në sektorin e transportit u përgjigjën se, ishin shumë të ekspozuar ndaj masave.
Pjesa e ndërmarrjeve të pambrojtura në sektorët e fasonit dhe turizmit është gjithashtu domethënëse me përkatësisht 24 dhe 21 për qind, duke lajmëruar se vazhdimësia e tyre e biznesit të tyre është shumë e cenueshme.
Këto sektorë kishin shumë pak ndërmarrje që konfirmojnë se nuk ishin prekur nga kriza, me 13 për qind në sektorin e transportit dhe 10 për qind në sektorin e tekstilit, dhe asnjë nga ndërmarrjet në sektorin e turizmit.
Sektorët e turizmit dhe fasonit kanë pohuar se duhet një kohë relativisht e gjatë për rikuperimin. Në të kundërt, bizneset e informacionit dhe komunikimit, ushqimit, pijeve dhe bujqësisë raportojnë se mund të rikuperohen më shpejt.
Aftësia e ndërmarrjeve të anketuara për të rikuperuar ndryshon në sektorë, dhe madje edhe midis segmenteve brenda sektorëve, në varësi të ndikimit të krizës në aktivitetin e tyre./B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.