Lëvizja Vetëvendosje është shpallur fituese e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Partia e Albin Kurtit ka marrë shumicën e votave të qytetarëve të Kosovës. E dyta nder partitë më të votuar ka mbetur LDK-ja, duke e lënë prapa PDK-në e Kadri Veselit.
Kryetari i Lëvizjes vetëvendosje, Albin Kurti, e shpalli Vetëvendosjen fituese të zgjedhjeve të sotme parlamentare. Ai ka thënë se partia e tij i marrë shumicën e votave të qytetarëve të Kosovës.
Kurti ka thënë se si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës, e shpall fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit, në legjislaturën e shtatë.
“Kemi punuar shumë, jemi angazhuar gjatë mirëpo për gjithçka ja ka vlejtë, sepse çdo sakrificë ia vlen për popullin tonë të dashur. E kemi konsideruar obligim e detyrë tonë, e kjo do të shtohet për ta kthyer vendin në binarët e duhur”, ka thënë Kurti.
“Sonte jemi në festë, e prej nesër do të angazhohemi për krijimin e Qeverisë. Qysh nesër do të vendosi kontaktin me Lidhjen Demokratike të Kosovës për të kurorëzuar ndryshimin. Kur opozita bëhet qeveri, atëherë kurorëzohet ndryshimi. Ndërkohë ndryshimi ka ndodhur me fitoren tonë”, ka thënë Kurti.
E Vjosa Osmani, kandidate e LDK-së për kryeministre, ka thënë se rezultati i sotëm tregon fitore të madhe të opozitës.
“Në radhë të parë dua të falënderoj të gjithë qytetarët për pjekurinë e treguar në këtë proces zgjedhor e në veçanti për pjesëmarrjen masive që rezultoi me largimin e partive që deri tani kanë keqqeverisur e me fitoren e madhe të opozitës. Dua të falënderoj në veçanti përkrahësit e LDK-së për mbështetjen e madhe e që na dhanë mundësinë që për vetëm një muaj ta ngrisim partinë tonë e ta rikthejmë fuqishëm. Për sonte pajtohemi që s’mund të shpallet fituesi meqenëse do të presim deri në numërimin e votës së fundit. Rezultati do të përcaktohet nga mërgata dhe votat me kusht siç duket”, ka deklaruar ajo.
“Natyrisht që do të presim rezultatin final, sepse siç e keni parë dallimi ishte herë te ne herë te na. Dallimi tani është 0.7 për qind dhe është i domosdoshëm numërimi i votave me kusht dhe mërgatës që mund ta bëjnë dallimin. Në fund do të respektojmë në tërësi vullnetin e sovranit”, ka thënë ajo.
Sipas saj, LDK-ja është e hapur për të negociuar me VV-në për të qeverisur me vendin.
Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka pranuar humbjen dhe ka thënë se do të kalojë në opozitë.
“Kemi punuar shumë që t’i punojmë këto zgjedhje, por nuk fituam. Qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre dhe ne e pranojmë. PDK-ja do të kalojë në opozitë. Por ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë kombit dhe popullit”, ka thënë Veseli.
Ai ka falënderuar anëtarët dhe aktivistët e PDK-së për fushatën.
“Kemi ndarë momente të jashtëzakonshme bashkë,. Anëtarëve dhe aktivistëve u them ndjehuni krenar me punën tuaj, se edhe unë ndjehem krenar me ju. Besimi im në ju është i palëkundur”, ka thënë Veseli.
Veseli është larguar pa pranuar pyetje nga gazetarët.
Deri në mëngkes Janë numëruar gjithe votat në vendvotimeve të rregullta nga KQZ-ja.
Lëvizja Vetëvendosje ka rezultuar e para në renditje më 25.7 për qind të votave të numëruara. LDK më 24.92%, pasuar nga PDK-ja më 21.29%.
Koalicioni AAK-PSD po qëndron në të njëjtën përqindje të votave, atë 11.59. Derisa, koalicioni tjetër NISMA-AKR ka rënë sërish në përqindje, duke qëndruar ende nën prag zgedhorë më 4.95% të votave.
KQZ ka numëruar rreth 800 mijë fletëvotime gjithsej, derisa 796.6 mijë eprej tyre janë të vlefshme.
Fatos Shala
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.