Lëvizja Vetëvendosje, nëpërmjet një letre dërguar presidentit të vendit Hashim Thaçi, e ka propozuar kryetarin e saj Albin Kurti për mandatar të Qeverisë.
Nominimi i Kurtit vije, pavarësisht se negociatat ndërmjet VV-së dhe LDK-së për koalicion kanë ngecur.
Të dy palët, aktualisht janë barrikaduar në qëndrimet e tyre, ndërkohë që takime të reja ndërmjet tyre nuk janë paralajmëruar.
Ky vendim vjen pas disa kërkesave të Presidentit Hashim Thaçi i cili shtoi presionin tek lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, që si fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, të formojë sa më shpejt Qeverinë e re të vendit.
Kreu i shtetit kërkoi që mandatari të propozohet në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Jam duke menduar se do ta pranojë sepse është një rregull i pashkruar se në momentin kur Kryetari i Partisë së Parë, e ka mandatuar Partia, e ka nominuar më shumë se gjysmën e Qeverisë, në konsultim e sipër edhe në kuptim zyrtar merr nominimin”, ka thënë Thaçi të dielën.
“E kam nënshkruar nominimin si Kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës. Shpresoj se nuk do të kalojë kohë e gjatë dhe z. Kurti të pranojë mandatin. Në rrethana tjera mund ta deklarojë refuzimin”, ka shtuar ai.
Shefi i Shtetit ka dërguar disa letra liderit të VV-së dhe ka pasur edhe takime me Kurtin, i cili ka thënë se e çon emrin për dekretim në momentin që arrin marrëveshje të koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.