Çfarë kanë të përbashkët varfëria, depresioni, brengat e dashurisë dhe mungesa e zgjidhjes për një situatë të caktuar? Të gjitha çojnë në sjellje vetëvrasëse. Dhe teksa ekspertët e fushës psikologjike zbulojnë shkaqet që lidhen me këtë dukuri të dhimbshme të shoqërisë, nuk mbetet jashtë vëmendjes edhe efekti ekonomik që ka kjo sjellje…
Nga Deada Hyka
Vetëvrasja është një nga fenomenet më të dhimbshme të shoqërisë. Në Shqipëri vijojmë të flasim për shifra të larta të numrit të tyre. Burime nga Policia e Shtetit konfirmuan për revistën “Monitor” se numri i vetëvrasjeve në vitin 2018, në total ka qenë 183, ndërsa vrasjet 68. Ndonëse numri i vetëvrasjeve krahasuar me 2017 ka rënë (-5.5%), shifrat flasin sërish për një numër të konsiderueshëm, si dhe një raport 3-fish më të lartë se sa vrasjet në Shqipëri.
Dhe ndonëse në 2018 shifrat ishin më të ulëta se 2017, ekspertët rikujtojnë edhe rastet kur ky fenomen ka mbetur në tentativë. Sipas tyre, tentativat për marrjen e jetës kanë qenë të shumta, por nuk janë raportuar dhe ndodhin kryesisht në grupmoshën e adoleshencës, rinisë së hershme. Sipas ekspertes së fushës psikologjike, prof. dr. Arjana Muçaj, tentativat në Shqipëri vlerësohet të jenë dyfishi i vetëvrasjeve të kryera.
Vetëvrasja është një çështje komplekse dhe, si e tillë, përpjekjet për parandalimin e saj kërkojnë një koordinim dhe bashkëpunim ndërmjet shumë sektorëve të shoqërisë, përfshirë sistemin shëndetësor, sistemin arsimor, të punësimit, bujqësor, të biznesit, të drejtësisë, të ligjit, të mbrojtjes, politik, mediat. etj. Këto përpjekje duhet të jenë të qarta dhe të integruara në formë të tillë që të jenë, mbi të gjitha, qasjet e vetme dhe të kenë impakt në këtë çështje komplekse.
Ka një lidhje mes sjelljes së vetëvrasjeve dhe ekonomisë në tërësi. Kjo lidhje ushqehet nga dy anë: ana ku aspekti ekonomik është shkak për vendimin dhe ana tjetër, ku kostoja ekonomike përfshin familjen dhe më gjerë, pas sjelljes vetëvrasëse. Në të dyja rastet, ka humbje. Përpjekjet për vetëvrasje dhe vetëvrasjet janë një lëmsh emocional për familjet dhe miqtë e atyre që kanë vdekur, si dhe për të mbijetuarit pas tentativës. Por vetëvrasja gjithashtu ka kosto ekonomike për individët, familjet, komunitetet dhe kombin në tërësi. Këto përfshijnë shpenzimet mjekësore për individët dhe familjet, të ardhurat e humbura për familjet dhe produktiviteti i humbur për punëdhënësit.
Shpenzimet e sjelljeve vetëvrasëse – dhe ‘kursimet’ që mund të rezultojnë nga parandalimi i këtyre sjelljeve – mund të ndihmojnë në bindjen e politikëbërësve dhe palëve të tjera që parandalimi i vetëvrasjes është një investim që do të kursejë para, si dhe jetën.
Prof. asoc. dr. Arjana Muçaj, pohon se depresioni është një fenomen që po kap një numër të madh individësh në shoqërinë shqiptare. N.q.s. rendisim arsyet sociale dhe ekonomike që ia bashkëngjisim depresionin, atëherë bëhet fjalë për një depresion madhor, që rrit shanset për t’i çuar drejt fenomenit të vetëvrasjes.
Dr. Arjana Muçaj
Depresioni është një fenomen që po kap një numër të madh individësh në shoqërinë shqiptare. N.q.s. rendisim arsyet sociale dhe ekonomike që ia bashkëngjisim depresionin, atëherë bëhet fjalë për një depresion madhor, që rrit shanset për t’i çuar drejt fenomenit të vetëvrasjes.
Duke qenë se jetojmë në një shoqëri globale, detyrimisht globalizimi ka sjellë të mirat dhe të këqijat e veta, “Momentalisht po jetojnë individë që shohin të mirat e vetes dhe shumë pak të kontribuojë për shoqërinë, për rrethin e ngushtë etj. Ky individualizëm e ka shndërruar individin të vetëm, brenda grupit social në të cilin ai bën pjesë.
Të gjitha këto ndikojnë në lindjen e depresionit, përpos shkaqeve gjenetike. Ne jemi në një epokë të jetës post-moderne dhe individualiste njëkohësisht, që ndër vështirësitë që ka sjellë për individin janë arritja e qëllimeve si një njeri i suksesshëm, të arrish objektiva vazhdimisht, të jesh konkurrues, të përballosh sfida, të përballosh varfërinë etj.”- pohon ekspertja. Ndërsa Ergys Mërtiri, sociolog, pohon se shifrat janë vërtet alarmante dhe tregojnë për një krizë të thellë të shoqërisë.
“Shoqëria shqiptare ka humbur drejtpeshimin, duke e lënë individin në mëshirën e fatit. Natyrisht, vetëvrasjet vijnë kryesisht për shkak të problemeve të natyrës psikologjike dhe është depresioni ai që sjell numrin më të madh të tyre. Por vetë depresioni është produkt i një shoqërie që nuk i zgjidh problemet dhe që i vendos egërsisht nën presion individët. Mund të themi se shkaktarë të kësaj situate janë probleme të natyrës ekonomike, sociale e psikologjike. Të gjitha së bashku bëjnë që shumë njerëz të shfaqin dobësi, që i bëjnë të mos i përballojnë dot presionet e shumta” – pohon z. Mërtiri.
Ergys Mërtiri
Natyrisht, vetëvrasjet vijnë kryesisht për shkak të problemeve të natyrës psikologjike dhe është depresioni ai që sjell numrin më të madh të tyre. Por vetë depresioni është produkt i një shoqërie që nuk i zgjidh problemet dhe që i vendos egërsisht nën presion individët.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e vlerëson vetëvrasjen si një prioritet të shëndetit publik. Raporti i parë i OBSH-së mbi vetëvrasjen “Parandalimi i vetëvrasjes: një domosdoshmëri globale”, publikuar në vitin 2014, ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e parandalimit të vetëvrasjes në shëndetin publik, si dhe për ta kthyer parandalimin e vetëvrasjes në një prioritet në axhendën globale të shëndetit publik. Gjithashtu, ai synon të inkurajojë dhe të ofrojë mbështetje për vendet anëtare në lidhje me zhvillimin dhe forcimin e strategjive kombëtare, si një qasje multisektoriale. Në Planin e Veprimit për Shëndetin Mendor 2013-2020 të OBSH-së, anëtarët janë angazhuar të punojnë drejt një targeti global për reduktimin e shifrave të vetëvrasjes me 10% deri në vitin 2020.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), sjellja vetëvrasëse ka ndikim dramatik në vendin e punës në terma njerëzorë dhe financiarë. Gjithashtu, njihet kostoja për ekonominë e gjerë. Kur një person në moshë pune tenton t’i japë fund jetës, ai individ menjëherë bëhet ekonomikisht joproduktiv; punëdhënësi i tij duhet të gjejë dhe trajnojë një zëvendësues (ai do të mungojë në punë, nëse humb jetën ose veprimi i tij mbetet në tentativë).
Familja e tij do të vuajë, sepse ai nuk mund të kontribuojë më në shtëpi, sidomos n.q.s. ka qenë kryefamiljar. Në fakt, familja e tij është e ngarkuar me shpenzime. Nëse personi vdes, familja duhet të financojë shpenzimet e udhëtimit (n.q.s. ka qenë jashtë Shqipërisë), të varrimit dhe të tjera). Edhe nëse ai është me fat dhe i mbijeton aktit të vetëvrasjes, familja duhet të paguajë faturat mjekësore, si dhe shpeshherë edhe shtrimin e gjatë në spital.
Për shqiptarët, shumë prej të cilëve jetojnë vetëm me pagat mujore, këto kosto janë të rëndësishme. Në çdo rast, ka edhe kosto për taksapaguesit e gjerë: policia duhet të përfshihet, punonjësit socialë mund të kenë nevojë të ndërhyjnë dhe sistemi i mbingarkuar i kujdesit shëndetësor publik mund të duhet të akomodojë dhe trajtojë një pacient tjetër për ditë, javë ose më gjatë.
Nëse personi ka fëmijë, perspektivat e tyre për një arsim do të preken. Në fakt, pa një prind, një fëmijë mund të bëhet jo rrallëherë “pre” e ndikimeve negative, që shpesh çojnë në vepra penale, duke shtuar kështu barrë të mëtejshme financiare për shoqërinë për vitet që do të vijnë: burgjet. Kostoja e vetëvrasjes ndaj ekonomisë së një vendi është gjithmonë e madhe. Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve vlerësojnë se kostoja e vetëvrasjes së një mashkulli në moshë mesatare pune, është 3,875 dollarë. Bazuar në këtë përllogaritje, mund të pohojmë lehtësisht se Shqipëria thjesht nuk mund ta përballojë shkallën e lartë të vetëvrasjes që po përjeton aktualisht.
Ndërsa lidhja ndërmjet vetëvrasjes dhe problemeve të shëndetit mendor (sidomos depresionit dhe çrregullimeve të përdorimit të alkoolit) është e njohur në vendet me të ardhura të larta, shumë vetëvrasje ndodhin papritur, në momente krize, kur individi ndien vështirësi për t’u përballur me streset e jetës, si: problemet financiare, problemet në marrëdhëniet sentimentale, sëmundje apo dhimbje kronike.
Po ashtu, përballja me konflikte, fatkeqësi natyrore, dhunë, abuzim, humbje apo izolim është e lidhur ngushtë me sjelljen vetëvrasëse. Shifrat e vetëvrasjes janë të larta te grupet që përballen me diskriminim, si: refugjatët, emigrantët dhe migrantët; popullatat indigjene, individët gei, lezbike dhe transgjinorë dhe të burgosurit. Gjithsesi, faktori më i madh i rrezikut ngelet tentativa e mëparshme e vetëvrasjes. Ergys Mërtiri thotë se vetëvrasjet janë një fenomen i përhapur në botën moderne dhe përbëjnë një problem kudo.
“Përgjithësisht janë disa faktorë që sociologët i evidentojnë kudo e që kanë të bëjnë me rritjen e madhe të depresionit dhe kryesisht problemeve psikologjike, të cilat vijnë nga mënyra e të jetuarit. Studiues të shumtë thonë se dy janë problemet e mëdha që shkakton jeta moderne: Vetmia sociale dhe pasiguria. Këtyre mund t’iu shtohen edhe një sërë problemesh, që kanë të bëjnë me mungesën e motivimit, vanitetin, frenetizmin e përditshmërisë, stresin në punë etj.
Në shoqëritë moderne, njerëzit po bëhen gjithnjë e më të huaj për njëri-tjetrin, lidhjet shoqërore janë dobësuar, të afërmit janë bërë të largët dhe ne sot, nuk njohim shpesh as kushërinjtë tanë dhe as fqinjët më të afërt. Njeriu jeton vetëm dhe në këto kushte nuk e përmbush dot qenien sociale, nevojën e tij për komunitet. Kjo i bën shumë njerëz të ndihen bosh dhe të mos i japin kuptim jetës së tyre”, – thekson z. Mërtiri.
“Në mes të viteve 1984 dhe 1987, gazetarët e Vjenës kanë mbuluar rastet e vdekjeve të individëve që u kanë dalë trenave përpara, nëpër metro të ndryshme. Raportimet ishin masive dhe dramatike. Në vitin 1987, u organizua një fushatë ku u jepej vërejtje gazetarëve që raportimet e tyre potencialisht mund të kenë efekte negative dhe u propozua për forma alternative të raportimit.
Në gjashtëmujorin e parë, pas kësaj fushate, vetëvrasjet në metro ranë për 8%. Numri i përgjithshëm i vetëvrasjeve në Vjenë zbriti gjithashtu”, thuhet në një raport për këtë temë, të shkruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në bashkëpunim me dhjetëra institucione të ndryshme.
Në atë raport këshillues për mediat, është raportuar se “vetëvrasja është sëmundje ngjitëse”. Sipas këtij hulumtimi shkencor, është konstatuar se rritet numri i vetëvrasësve në mesin e lexuesve të gazetave, ose shikuesve të televizioneve, kur për vetëvrasjet raportohet në mënyrë specifike dhe në vazhdimësi. Raporti këshillon që rastet e vetëvrasjeve të mos dalin në ballina të gazetave, ose në fillim të lajmeve, dhe që të mos jepen detaje të shumta se çka e shtyu dikë të kryejë aktin.
Organizata Botërore e Shëndetësisë këshillon që mediat duhet t’i japin më shumë hapësirë shkallës së numrit të vetëvrasjeve; trajtimin e personave që kanë provuar të kryejnë këtë akt dhe sa të suksesshme kanë qenë ato; të raportohet për mënyrën se si mund të parandalohet një vetëvrasje.
Një ekip ndërkombëtar studiuesish analizuan raportet e gazetave dhe informimin mbi vetëvrasjet gjatë një periudhe katërvjeçare.
“Ne nuk themi se raportimi i vetëvrasjes është i keq, ose se nuk duhet të raportohet mbi vetëvrasjet”, tha bashkautori i studimit Ayal Schaffer, profesor në Departamentin e Psikiatrisë në Universitetin e Torontos.
“Megjithatë, ne e dimë se aspekte specifike të raportimit mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në përhapjen e vetëvrasjes”.
“Është e rëndësishme për të kuptuar se disa karakteristika në historitë e raportuara mund të zvogëlojë ose të rrisin gjasat që të tjerët do të mendojnë më pas për t’u vetëvrarë”, tha Schaffer. “Raportimi mediatik ndikon në rritjen e shkallës së vetëvrasjeve nga 1 deri 2%… Kur njerëzit e identifikojnë veten me “heroin” e raportuar, (të vetëvrarin), ka të ngjarë që tjetri ta shohë porsi ai”, shtoi Schaffer.
“Ne shpresojmë që raportimet mbi vetëvrasjet të kenë një tjetër trend; ta tregojnë një vdekje të tillë si një mundësi e humbur dhe se një person i tillë do të kishte sukses, vetëm nëse do të kishte jetuar”, theksoi studiuesi i Canadian Medical Association.
Statistika globale
-Afërsisht 800.000 njerëz vdesin çdo vit për shkak të vetëvrasjes. Çdo 40 sekonda në botë vetëvritet një individ.
-Numri i tentativave është shumë më i lartë.
-Tentativa për vetëvrasje konsiderohet një faktor rreziku shumë i lartë.
-Vetëvrasja përbën shkakun e dytë të vdekjes ndërmjet individëve 15-29 vjeç dhe shkakun e tretë të vdekjeve për individët 15-44 vjeç.
-Në nivel global, 78% e vetëvrasjeve ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme.Burimi: OBSH
“Kriza në familje dhe destabiliteti ekonomik ndikon në sjelljet vetëvrasëse”
Vitin e shkuar në Shqipëri ndodhën 186 vetëvrasje, ndërsa vrasje 68. Si e shpjegoni rritjen e numrit të vetëvrasjeve vitet e fundit në vendin tonë?
Shifrat janë vërtet alarmante dhe tregojnë për një krizë të thellë të shoqërisë. Shoqëria shqiptare ka humbur drejtpeshimin, duke e lënë individin në mëshirën e fatit. Natyrisht, vetëvrasjet vijnë kryesisht për shkak të problemeve të natyrës psikologjike dhe është depresioni ai që sjell numrin më të madh të tyre.
Por vetë depresioni është produkt i një shoqërie që nuk i zgjidh problemet dhe që i vendos egërsisht nën presion individët.
Mund të themi se shkaktarë të kësaj situate janë probleme të natyrës ekonomike, sociale e psikologjike. Të gjitha së bashku bëjnë që shumë njerëz të shfaqin dobësi që i bëjnë të mos i përballojnë dot presionet e shumta.
Një pjesë e mirë vuajnë probleme në familje, divorc, mosmarrëveshje, mungesë komunikimi etj. Një pjesë tjetër vuajnë presionet në punë dhe vështirësi për të siguruar jetesën. Një pjesë tjetër, për shkak të pamundësive që prodhon mjedisi, vuajnë perceptimin e të ndierit të parealizuar, të paaftë apo dështakë. Ndërkohë shoqëria shqiptare karakterizohet nga një intensitet i lartë i tensioneve, konflikteve, presioneve të shumta, të cilat shpesh ndikojnë në humbjen e ekuilibrit psikologjik. Jemi një shoqëri tejet agresive dhe aspak tolerante, gjë që rrit ndjeshëm ngarkesat e përditshme.
Një aspekt i rëndësishëm që ndikon në këtë fenomen është edhe humbja e vlerave shoqërore. Shoqëria shqiptare sot ka likuiduar normat dhe vlerat e trashëguara, ndërkohë që nuk ka mundur të krijojë vlera të reja, duke çuar në një situatë anomie, e cila, sipas studiuesve, është terreni më i përshtatshëm për përhapjen e vetëvrasjeve. Në fund, mungesa e shpresës, në një shoqëri që perceptohet si pa të ardhme, është shpesh determinuese në përhapjen e dëshpërimit tek shumë njerëz, çfarë i shtyn ata të jenë plotësisht të demoralizuar dhe pa vullnet për të ndërtuar jetën e tyre.
Cilët janë faktorët kryesorë që ndikojnë?
Natyrisht, vetëvrasjet janë një fenomen i përhapur në botën moderne dhe përbëjnë një problem kudo. Përgjithësisht, janë disa faktorë që sociologët i evidentojnë kudo e që kanë të bëjnë me rritjen e madhe të depresionit dhe kryesisht problemeve psikologjike, të cilat vijnë nga mënyra e të jetuarit. Studiues të shumtë thonë se dy janë problemet e mëdha që shkakton jeta moderne: Vetmia sociale dhe pasiguria. Këtyre mund t’iu shtohen edhe një sërë problemesh që kanë të bëjnë me mungesën e motivimit, vanitetin, frenetizmin e përditshmërisë, stresin në punë etj.
Në shoqëritë moderne, njerëzit po bëhen gjithnjë e më të huaj për njëri-tjetrin, lidhjet shoqërore janë dobësuar, të afërmit janë bërë të largët dhe ne sot nuk njohim shpesh as kushërinjtë tanë dhe as fqinjët më të afërt. Njeriu jeton vetëm dhe në këto kushte nuk e përmbush dot qenien sociale, nevojën e tij për komunitet. Kjo i bën shumë njerëz të ndihen bosh dhe të mos iu japin kuptim jetës së tyre. Nga ana tjetër, moderniteti është diçka që prodhon shoqëri të cilat janë në ndryshim të madh dhe të vazhdueshëm. Kjo prodhon pasiguri, e cila çon shpesh në ankthe e neuroza të ndryshme.
Problemi më i madh është kriza e familjes. Shifrat e larta të divorceve, tensioneve dhe dhunës në familje, apo edhe problemeve të shoqërizimit në të, tregojnë se familja nuk është më një strehë e sigurt dhe e ngrohtë për shumë njerëz. Kjo do të thotë se ajo nuk arrin të amortizojë problemet e jashtme, madje për më tepër, i krijon individit probleme të mëdha, shpesh dramatike.
Të gjitha këto janë të pranishme edhe në shoqërinë shqiptare, duke shtuar probleme të destabilizimit ekonomik dhe kulturor, të cilat në Shqipëri janë në nivele shumë herë më të larta se kudo në botën e zhvilluar.
A ka ndarje apo dallime në moshë, gjini?
Nuk di të them saktësisht. Për momentin, nuk kam të dhëna mbi këtë.
Çfarë mund të bëjë shteti shqiptar në drejtim të krijimit të politikave sociale?
Natyrisht, shteti e ka të vështirë të ndërhyjë në probleme të cilat janë thellësisht individuale, por ai ka një ndikim të madh, për aq sa ai mund të ndikojë në përmirësimin e kushteve të jetesës. Sigurisht, nëse kushtet ekonomike, shoqërore e kulturore do të ishin më të mira, numri i vetëvrasjeve do të reduktohej shumë.
Megjithatë, në një plan më të ngushtë, strukturat shtetërore mund të ndihmojnë në krijimin e lehtësive për njerëzit që vuajnë depresionin, mund të rrisin numrin dhe cilësinë e shërbimit të qendrave që asistojnë probleme të kësaj natyre, mund të ndërhyjnë me politika të cilat mund të zbusin probleme të stresit në punë, si dhe mund të rrisin sensibilitetin dhe informimin mbi probleme të depresionit, zbutjes së konflikteve sociale dhe motivimit. Sidomos, përmirësimi i kujdesit të shëndetit mendor është diçka emergjente, pasi praktikisht problemet janë të shumta, por mundësitë e trajtimit të tyre janë tepër të pamjaftueshme.
Megjithatë, më shumë se shteti, është e gjithë shoqëria që mund të përmirësojë gjendjen dhe kjo bëhet duke rregulluar, pikë së pari, mënyrën e jetesës. Forcimi i familjes dhe marrëdhënieve midis njerëzve është boshti kryesor që do të shmangte shumë probleme shoqërore, përfshi këtu edhe vetëvrasjet. Nëse familja është e shëndetshme dhe e fortë, e nëse njerëzit janë më pranë njëri-tjetrit, natyrisht shumica e problemeve do të jetë rregulluar. Problemi është se duket se këto janë përgjithësisht jashtë vëmendjes, si nga shteti, ashtu edhe nga aktorë të tjerë socialë, siç mund të jenë shoqëria civile, institucionet e edukimit, media, etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.