Ata që jemi në botën virtuale reflekton në një masë të madhe ata që jemi në realitet
Nëse keni pyetur veten ndonjëherë se mund të lini një gjurmë në botë, por nuk jeni të sigurt se zotëroni talent, ndoshta duhet të shikoni se si luani në lojëra kompjuterike. Bota virtuale mund t’ju tregojë se çfarë jeni të aftë të bëni. Ndërkohë që disa njerëz i shohin videolojërat si një mjet për të jetuar fantazinë, e vërteta është se ata që jemi në botën virtuale reflekton në një masë të madhe ata që jemi në realitet.
Një studim, për shembull, shkruan se vlerat e vërteta të një lojtari përkojnë me vendimet e tij në lojë, duke bërë të mendosh se personaliteti reflektohet shpesh në një skenar loje. Studimi dëshmon edhe se aftësia për të drejtuar shfaqet edhe në mënyrën se si krijojmë marrëdhënie në videolojëra.
Disa prej nesh janë të vetëdijshëm se i zotërojnë këto lloj aftësish dhe mund t’i shfrytëzojnë si në jetën reale, edhe në botën virtuale. Madje, ka nga ata lojtarë që i shkruajnë sukseset e tyre në videolojëra edhe në CV. Por ka edhe njerëz që janë të aftë më shumë sesa mendojnë. Studimi shkruan se vendimet që marrim dhe sjellja që shfaqim në lojë mund të tregojë për sistemet e vlerave dhe aftësitë, që janë, ndoshta të pavetëdijshme. Kur luajmë në një skenar të simuluar dhe përfshirës, mund të hyjmë në një gjendje “flow” (rrjedhje).
Ky është një fenomen psikologjik, i cili karakterizohet nga një përqendrim ekstrem në detyra, një ndjenjë e lindur gëzimi, nga takimi mes nivelit tonë të aftësisë dhe nivelit të sfidës dhe çfarë është më interesante, nga mungesa totale e vetëdijes. Ne jemi kaq shumë të përfshirë në skenarin e lojës saqë reagojmë në mënyrë më autentike, në vend të filtrimit të sjelljes nëpërmjet pritshmërive dhe rregullave tona të perceptuara sociale.
Duke pasur parasysh se këto karakteristika mbeten shpesh në fushën e lojës dhe nuk përdoren në botën reale, lind nevoja për t’i bërë njerëzit më të vetëdijshëm se videolojërat e zotërojnë këtë fuqi zbuluese. Të paktën duhet të ketë një mënyrë që këmbëngulja, aftësitë në zgjidhjen e problemeve dhe motivimi i shumë lojtarëve të transferohen në jetën e përditshme në punë. Pas përmbushjes së kësaj nevoje, po zhvilloj një sistem për t’i ndihmuar njerëzit të zbulojnë këto karakteristika dhe në fund, të bëjnë një jetë më të mirë. Sistemi përbëhet nga dy seksione. Pjesa e parë është një lojë ku lojtarët mund t’i zgjidhin problemet në mënyra të ndryshme dhe shfaq cilësitë e pavetëdijshme të përmendura më sipër. Software monitoron sjelljen dhe zgjedhjet e bëra gjatë lojës dhe i regjistron ato në një profil unik për secilin lojtar.
Duke u mbështetur në kërkimin që i klasifikon lojtarët në bazë të asaj se çfarë i motivon të luajnë, videoloja u jep mundësinë të zgjedhin mes veprimeve që tregojnë nivelin e aftësive dhe llojin e personalitetit, siç përcaktohet nga testet e Myers Briggs. Këto veprime mund të përfshijnë mbledhjen e instrumenteve për zgjidhjen e problemeve, zgjedhjen për të eksploruar zona të tjera vetëm, apo edhe se si lojtari flet me një tjetër.
Aspekti negativ i testeve ekzistuese të personalitetit është se vetadministrohen në mënyrë efektive- kjo nënkupton që përgjigjet mund të parashikohen apo paragjykohen. Duke pasur një sistem ku sjelljet spontane stimulohen dhe më pas maten kundrejt treguesve të personalitetit, rezultatet mund të përfaqësojnë me të vërtetë lojtarët.
Përdorni talentin tuaj
Pjesa e dytë e sistemit ia jep të dhënat e mbledhura lojtarit, si një mënyrë për të reflektuar rreth sjelljes së tij të pavetëdijshme. Aspektet e identifikuara të personalitetit mund të përputhen me drejtimet ideale në karrierë, që përshtaten më së miri me tendencat e zbuluara. Në fund, falë këtij sistemi, lojtarët mund të hedhin një hap përpara në jetë, duke i ndihmuar t’i bëjnë planet në përputhje me talentin, vlerat dhe dëshirat. Nëse dikush ka mundësinë të punojë në një punë që shfaq talentin e tij në të njëjtën mënyrë që e bën videoloja, ka shumë gjasa të përjetojë kënaqësi dhe lumturi.
Përdorimi i videolojërave për të zbuluar aftësitë e vërteta mund t’ju ndihmojë të gjeni një mënyrë për të shprehur plotësisht vetveten, thjesht nëpërmjet jetës së përditshme.
*Craig Weightman / Burimi: World Economic Forum