Videot me informacione të rreme janë parë nga miliona njerëz në YouTube

18/05/2020 11:46 AM 0 komente

Qeveritë dhe autoritetet shëndetësore duhet të bashkëpunojnë me burime lajmesh argëtuese dhe influencues të rrjeteve sociale për t’i bërë videot më tërheqëse

 

Më shumë se një e katërta e videove më të shikuara në YouTube me informacione për koronavirusin përmbajnë “informacione keqinformuese dhe të pasakta”, shkruan një studim. Në total, këto video mashtruese janë parë më shumë se 62 milionë herë. Një ndër informacionet e rreme, për shembull, thoshte se kompanitë farmaceutike e kishin gati vaksinën për koronavirusin, por refuzonin që ta shisnin atë.

YouTube tha se është angazhuar në reduktimin e shpërndarjes së informacioneve keqinformuese. Kërkuesit thonë se ente qeveritare dhe ekspertë të shëndetësisë kanë hedhur në YouTube “informacione të sakta dhe me cilësi të mirë”. Por, sipas tyre, këto video shpesh hasnin në vështirësi për t’u kuptuar dhe nuk kishin të njëjtën tërheqje si videot e yjeve të YouTube apo vlogger-ëve.

Studimi, i publikuar online nga BMJ Global Health, analizoi videot më të shikuara në gjuhën angleze në lidhje me koronavirusin, duke nisur nga data 21 mars. Pasi përjashtuan videot e kopjuara, videot më të gjata se një orë dhe videot që nuk përfshinin materiale të rëndësishme audio dhe vizuale, atyre u mbetën të analizonin 69 video. Ato u analizuan për të përcaktuar nëse paraqisnin ekskluzivisht informacione të mbështetura në fakte, në lidhje me përhapjen virale, simptomat e koronavirusit, parandalimin dhe trajtimet e mundshme. Videot nga agjencitë qeveritare morën një vlerësim më të mirë se sa ato nga burime të tjera, por shikueshmëria e tyre është ulët.

Raporti këshillon që qeveritë dhe autoritetet shëndetësore duhet të bashkëpunojnë me burime lajmesh argëtuese dhe influencues të rrjeteve sociale për t’i bërë videot më tërheqëse dhe në këtë mënyrë, ato do të shikohen më shumë. YouTube tha në një deklaratë: “Ne angazhohemi që të sigurojmë në kohë informacion të dobishëm në këtë situatë kritike, duke përfshirë rritjen e përmbajtjeve nga institucione me autoritet, reduktimin e përhapjes së informacioneve të dëmshme dhe shfaqjen e paneleve informuese duke përdorur të dhënat e NHS (National Health Service) dhe OBSH për të luftuar keqinformimin”.

“Ne kemi politika të qarta që ndalojnë videot që promovojnë metoda, të pavërtetuara nga pikëpamja mjekësore, për të parandaluar koronavirusin, në vend të kërkimit për kura mjekësore dhe fshijmë me shpejtësi videot që shkelin këto politika kur ato sinjalizohen.

Tani, çdo përmbajtje që hedh poshtë ekzistencën apo transmetimin e COVID-19 siç përshkruhet nga OBSH dhe NHS, shkel politikat e YouTube. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë ndikimin e këtyre videove në komunitetet në të gjithë botën” – thuhet në fund të deklaratës.

Burimi: BBC

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of