Argumenti për më shumë shpenzime në Kërkim dhe Zhvillim, shkruan The Economist
Ekonomistët kanë debatuar prej kohësh për më shumë shpenzime nga ana e qeverisë në kërkim dhe zhvillim. Studimi teorik nga Kenneth Arrow në vitet 1960, i bindi kolegët e tij se sektori privat nuk do të siguronte dot sasinë e inovacionit që u duhet ekonomive për të maksimizuar rritjen e tyre. Në mënyrë empirike, në vitet 1950, rastësia e rritjes së shpenzimeve qeveritare në kërkim dhe zhvillim, niveleve të shkëlqyera të produktivitetit dhe rritjes së PBB-së, e forcuan më tej argumentin në fjalë.
Është e vërtetë se provat e forta për një ndikim pozitiv të shpenzimeve të tilla kërkimore në rritjen e përgjithshme janë mjaft të dobëta dhe sugjerojnë se ato vonojnë për shumë kohë. Por disa dyshojnë se fitimi është i rëndësishëm në praktikë. Qeveritë e botës së pasur aktualisht shpenzojnë mesatarisht pak më shumë se 0,5% të PBB-së në kërkim dhe zhvillim; disa të dhjeta përqindjeje më shumë mund të bëjnë një ndryshim të madh.
Këtu ekonomistët kanë avantazhin për të hapin një derë që të tjerët janë munduar vazhdimisht ta bëjnë. Shpenzimet qeveritare në kërkim dhe zhvillim si një pjesë e PBB-së kanë ardhur duke u tkurrur në pjesën më të madhe të 40 viteve të fundit (shih grafikun 1).
Megjithatë, në vitin 2018, viti më i fundit për të cilin janë në dispozicion të dhënat, shifrat nga 24 shtetet e OECD-së treguan se shpenzimet qeveritare në kërkim dhe zhvillim, u rritën me një nivel të shëndetshëm 3% në terma realë, pas një periudhe veçanërisht të dobët pas krizës financiare. Në vitin 2020, qeveria franceze premtoi të rrisë buxhetin e kërkimit me 30% për dhjetë vjet, si pjesë e një strategjie të re kërkimore.
Qeveria japoneze gjithashtu ka rritur fondet dhe ka krijuar një provizion të ri për “moonshots”. Në Amerikë, duke i rezistuar përpjekjeve të Donald Trump për të shkurtuar buxhetet kërkimore, Kongresi mund të shikojë në mënyrë të favorshme premtimin e presidentit të zgjedhur Joe Biden për t’i nxitur ato.
Ky entuziazëm nuk nxitet thjesht nga besimi se shpenzime të tilla do të rrisin rritjen. Bëhet fjalë gjithashtu për një frikë nga Kina. E mbetur mbrapa në fushën kërkimore para se ekonomia e saj të lulëzonte në vitet 1980, Kina ka shpenzuar shumë në kërkim dhe zhvillim me një efekt të dukshëm. Një studim i botuar nga Elsevier, botues shkencor dhe Nikkei, në 2019, zbuloi se Kina publikoi më shumë studime me ndikim të lartë sesa Amerika në 23 nga 30 fusha kërkimore “të kohës”.
Shumë në Europë dhe Amerikë mendojnë se të garosh me Kinën ose të jesh konkurrent, do të thotë të ndjekësh shembullin e saj. Administrata e ardhshme Biden premton “programe të përparimit të teknologjisë” të cilat do të “drejtojnë investimet në teknologjitë kryesore në mbështetje të konkurrencës sonë”.
Dhe një faktor i tretë i bashkon qeveritë brenda dhe jashtë Kinës: ato kanë qëllime strategjike që mund t’i përmbushin vetëm nëpërmjet zhvillimit të teknologjive të reja dhe vendosjes së atyre ekzistuese. Mbështetja e qeverisë për vaksinat kundër sars-cov-2 është një rast i tillë. Nevoja në rritje për dekarbonizim të thellë është një tjetër.
Rritje, rënie dhe sërish rritje?
Ka zëra që do ta zbusnin këtë entuziazëm. Në librin e njohur “Rritja dhe rënia e rritjes amerikane”, i botuar në vitin 2016, Robert Gordon nga Universiteti Northwestern, argumenton se, megjithëse shekulli i rritjes së jashtëzakonshme të produktivitetit amerikan nga viti 1870 në 1970, u shkaktua nga ndryshimi teknologjik, një ndryshim i tillë nuk do të vijë sërish (shih grafikun 2).
Në të ardhmen, nuk do të ketë një ekuivalent me “shpikjet e mëdha” – motorë me djegie të brendshme, elektrifikim, hidraulik dhe të ngjashme – që lejuan zhvendosjen nga një shoqëri agrare në një konsumator të industrializuar gjatë asaj periudhe të veçantë; ata plotësonin nevojat njerëzore në një mënyrë parësore dhe të papërsëritshme. Lëvizja nga motori me djegie të brendshme te motorët elektrikë për të lëvizur automjetet është mbresëlënëse dhe e domosdoshme, por nuk është në të njëjtën ligë si kalimi nga kali në veturë.
Një shqetësim tjetër është se theksimi i kërkimit dhe zhvillimit e thjeshton inovacionin. Ajo që ka rëndësi për ekonominë nuk janë zbulimet shkencore ose inovacionet në prag të teknologjisë, por teknologjia që njerëzit dhe firmat përdorin gjerësisht – jo punimet studimore nga kolegët apo krijime të ftohta laboratorike, por gjëra që përmirësojnë jetën e përditshme dhe gjenerojnë aktivitet ekonomik, duke vepruar kështu. Dhe nuk ka asnjë linjë të thjeshtë prodhimi, e cila prodhon një ndryshim të tillë teknologjik, e ushqyer me kuptime të reja shkencore.
Një studim i fundit nga Ashish Arora dhe kolegët e tij në Universitetin Duke, i cili përqendrohet në grupin e madh të korporatave të Amerikës së pasluftës, tregon sa i rëndësishëm mund të jetë ky dallim. Vitet e pas Luftës së Dytë Botërore nuk u shënuan vetëm nga një rritje e shpenzimeve të qeverisë për kërkimin shkencor, por edhe nga përsosmëria shkencore e laboratorëve të brendshëm në kompani si AT&T dhe IBM.
Në vitet 1960, studiuesit në DuPont botuan më shumë artikuj në Journal of the American Chemical Society, revista kryesore e fushës, sesa MIT dhe Caltech së bashku. Prodhimi i njohurive shkencore dhe dëshira për të zgjidhur probleme tregtare në botën reale, ishin të ndërthurura ngushtë. Shkenca po tërhiqej në ekonomi, ky ishte ambienti në të cilin, në vitet 1960, u shpik termi R&D (research and development, kërkim dhe zhvillim).
Për më tepër, lidhja midis botimit shkencor – qoftë i financuar publikisht apo i financuar privatisht – dhe përmirësimeve ekonomike, po dobësohet. “Idetë po bëhen më të vështira për t’u gjetur”, sipas një studimi të botuar në Revista Ekonomike Amerikane në vitin 2020. Duke aplikuar mjete ekonometrike në teknologjitë në përdorim, si prodhimi i çipave dhe përmirësimet e të korrave, Nick Bloom dhe kolegët e tij nga Universiteti Stanford, zbuluan se, me kalimin e kohës, ka qenë i nevojshëm më tepër input – pra më shumë kohë kërkimore dhe më shumë para – për të marrë të njëjtin rezultat si më parë (shih grafikun 3).
Kjo mund të shpjegojë pse, si një pjesë shumë e vogël e PBB-së, kërkimi dhe zhvillimi në sektorin e korporatave, është rritur mjaftueshëm për të kompensuar zvogëlimin e shpenzimeve qeveritare në kërkim. Në të vërtetë, disa firma po kryejnë kërkime dhe zhvillime të shumta, megjithëse përkufizimet e tyre mund të jenë elastike.
Amazon pretendoi se shpenzoi 36 miliardë dollarë në “teknologji dhe përmbajtje” vitin e kaluar, më shumë sesa buxhetet shkencore të Britanisë dhe Francës së bashku. Megjithatë, doktor Arora argumenton se shkenca e korporatave ka qenë në rënie, ku firmat e mëdha po zgjedhin gjithnjë e më shumë të licencojnë kërkime nga universitete sesa ta bëjnë vetë.
Larg fushës së prodhimit, universitetet që shërbejnë si fokusi kryesor i kërkimit në shumë vende, nuk janë aq të përqendruar në shpikje të dobishme. Nëse sistemi aktual i inovacionit është thjesht më pak i mirë sesa ishte në krijimin e inovacioneve që nxisin rritjen, atëherë shpenzimi më i madh në kërkim dhe zhvillim nuk do të rrisë të ardhurat aq sa mundet. Thjesht mund të prodhojë më shumë punime kërkimore.
Një shqetësim i fundit në lidhje me rritjen e shpenzimeve qeveritare është cui bono. Në botën e mbyllur të viteve 1950 dhe 1960, ishte e logjikshme që qeveritë të investonin në kërkim dhe zhvillim, sepse një nga firmat e tyre të brendshme do të korrte fitime.
Për më tepër, kompanitë e mëdha në hap me kohën, nuk ishin aq të shqetësuara për konkurrencën teknologjike. Në vitin 1995, një studiues në Bell Labs, kompani kyçe në fushën e kërkimit dhe zhvillimit që ka fituar edhe çmime Nobel, vuri në dukje se “xerografia u shpik… në vitin 1937, por ajo u komercializua nga Xerox vetëm në vitin 1950”, dhe “kur tranzitori u shpik… në Bell Labs në vitin 1948, kaluan disa vjet para se laboratorët e tjerë të merrnin ekspertizën e mjaftueshme në zonën e gjysmëpërçuesve për të dhënë një kontribut të rëndësishëm”.
E gjithë kjo ka ndryshuar, falë udhëtimeve më të mëdha, komunikimeve më të mira dhe, ndoshta më drejtpërdrejt, një numri shumë më të madh studiuesish dhe qendrash kërkimore. Siç thotë një studim i fundit nga FMN-ja, “globalizimi ka intensifikuar përhapjen e njohurive dhe teknologjisë përtej kufijve”. E ka bërë këtë prej disa kohësh; anekdotisti i Bell Labs vuri në dukje se pas “zbulimit të superpërcjellshmërisë me temperaturë të lartë në laboratorin e Cyrihut në vitin 1987, u deshën vetëm disa javë që grupe të ndryshme në Universitetin e Hjustonit, Universitetin e Alabamës, Bell Labs dhe vende të tjera, që të bënin zbulime të mëtejshme të rëndësishme”.
David Edgerton nga King’s College London, historiani më i shquar i teknologjisë në Britani, argumenton se “vetëm në fantazitë tekno-nacionaliste… shpikja kombëtare nxit rritjen ekonomike kombëtare. Në botën reale, inovacioni global çon në rritje kombëtare, dhe inovacioni kombëtar, në rritje globale”.
Në pjesën më të madhe të rasteve dhe vendeve, shumica e teknologjisë që krijon rritje, importohet nga diku tjetër, nuk bëhet në atdhe. Në një botë të globalizuar, investimi i brendshëm në kërkim-zhvillim nuk do të jetë kurrë vetëm në avantazh të një vendi; pa dashur, do të ndihmojë edhe të tjerët.
Përparim i fortë
Për sa i përket vlefshmërisë së këtyre shqetësimeve, e keqja është se sugjerojnë që fitimet që priten nga rritja e shpenzimeve qeveritare, mund të jenë më të ulëta se sa pretendojnë disa, dhe më pak të realizueshme nga kombet që i bëjnë ato. Dhe saktësia e tyre është e diskutueshme. Teza e doktor Gordon, si shumë argumente historike, është e kufizuar nga vetëm një shembull në dispozicion. Gjithashtu ideja familjare se më e mira ka kaluar dhe tashmë i përket historisë, është provuar disa herë e gabuar.
Për më tepër, një deklinizëm i tillë mund të përdoret për të argumentuar se shpenzimet e qeverisë për kërkimin shkencor, nuk janë aspak të kota, por jetike. Në vitet 1930, ekonomisti i shquar amerikan Alvin Hansen, vuri një theks të ngjashëm si Gordon, në cilësitë e veçanta të disa “shpikjeve të mëdha” kur argumentoi se megjithëse hekurudhat, energjia elektrike dhe makina kishin nxitur rritjen në të kaluarën, Amerika nuk mund të “shpërfillte rritjen e shpejtë të industrive të reja po aq të pasura me mundësi investimi”.
Njerëzit që argumentuan pro vazhdimit të përpjekjeve qeveritare në kërkim-zhvillim në kohën e luftës, në një formë të modifikuar, pas vitit 1945, e vlerësuan mjaftueshëm argumentin e Hansen për të bërë diçka për të. Në vend që të merrnin si të mirëqenë formimin e industrive të reja, ato po krijonin një mënyrë që qeveria t’i sillte ato në jetë.
Sot, shumë njerëz mendojnë se qeveria mund të ndihmojë në nxitjen e shpikjeve të mëtejshme. Në librin “Jump-start America”, Jonathan Gruber dhe Simon Johnson, dy ekonomistë nga universiteti MIT, veçojnë biologjinë sintetike, hidrogjenin dhe nxjerrjen e mineraleve në thellësi të deteve. Nga këto të tria, biologjia sintetike është ajo që ofron qasje të reja për gjithçka, nga petrokimia dhe bujqësia, tek mjekësia dhe memoriet kompjuterike, dhe që meriton statusin e “shpikjes së madhe” që vjen nga përmirësimi i kushteve materiale për miliarda njerëz.
Forma të reja
Pretendenti tjetër për një status të tillë është Inteligjenca Artificiale. Pasi kaloi disa kohë duke qenë e dukshme “kudo përveç statistikave të produktivitetit”, ajo nisi të lulëzojë në mes të viteve 1990. Me gjithnjë e më shumë informacion për të mësuar, me pajisje informacioni që mund të pëshpëritin në çdo vesh dhe robotë të disponueshëm për një larmi zgjidhje problemesh, Inteligjenca Artificiale ka arritur majat. Fakti që një program Inteligjence Artificiale kohët e fundit tregoi një aftësi të pakrahasueshme në parashikimin e strukturave të proteinave që biologët sintetikë mund të duan të ndryshojnë, nënvizon se inovacioni mund të ndodhë pikërisht kur dy fusha përplasen.
Ekzistojnë gjithashtu argumente kundër idesë se lidhja midis kërkimit shkencor dhe teknologjisë në përdorim është bërë më e dobët. Kjo mund të ketë ndodhur në disa mënyra; por në mënyra të tjera, gjërat janë përshpejtuar. Kjo është veçanërisht e vërtetë për procesin që e vë novacionin e sotëm në duart e miliona personave nesër.
Pajisjet elektrike kishin ekzistuar për dekada përpara se të bënin një ndryshim përfundimtar në shtëpitë e vendeve të pasura. Pajisjet e informacionit – konkretisht, celularët smartphone – janë përhapur shumë më shpejt. Sekuenca e gjenomit sars-cov-2 ishte ndarë midis Kinës dhe pjesës tjetër të botës, përpara se të kishte ndonjë rast të konfirmuar të Covid-19 jashtë Wuhan-it. Vaksinat e mundësuara nga ajo sekuencë mund të rezultojnë se janë teknologjia në përdorim me ndikimin më të madh ekonomik gjatë një viti të vetëm.
Për sa i përket vështirësisë për të shfrytëzuar përfitimet e shpenzimeve kombëtare në kërkim-zhvillim në një botë globale, përdorimi i teknologjive më të përparuara të zhvilluara diku tjetër, nuk është i mundur pa pasur shumë vendas të trajnuar mirë, dhe kuadro të tilla janë të vështira për t’u prodhuar dhe për t’u mirëmbajtur pa shpenzime në kërkim-zhvillim.
Investimi i pamasë i Kinës në kërkim dhe zhvillim (shih grafikun 4) ka sjellë një numër të madh njerëzish me aftësi, njohuri dhe kuriozitet, si dhe institucione me pajisjet e nevojshme. Këta studiues dhe inxhinierë kanë zhvilluar shumë inovacione, por deri më sot, roli i tyre më i rëndësishëm ka qenë në shfrytëzimin e njohurive të sjella nga diku tjetër me mjete të drejta ose me hile. Tashmë që qëndron në rangun e parë të kërkimit dhe zhvillimit, edhe Kina po përballet me një ngadalësim të rritjes së produktivitetit.
Nëse dr. Bloom dhe kolegët e tij janë të saktë në argumentin se idetë po bëhen më të vështira për t’u gjetur, mund të kërkohen më shumë para, në Kinë dhe gjetiu, vetëm për të qëndruar në të njëjtin status. Por rritja e shpenzimeve qeveritare në kërkim-zhvillim në kombet e G7 shumë më lart se niveli i vitit 1970, krahasuar me PBB-në, do të kushtonte rreth 400 miliardë dollarë në vit: duke marrë parasysh se PBB-ja e G7 është 36 trilionë dollarë, kjo duket lehtësisht e mundur.
Megjithatë, do të ishte me vlerë të gjenden mënyra për të prodhuar ide të reja në mënyrë më efikase. Në pjesën më të madhe të OECD, mekanizmat dhe institucionet përmes të cilave qeveritë mbështesin kërkim-zhvillimin, janë pak a shumë të njëjtat me 50 vjet më parë. Ekziston një shkallë dobësimi.
Një studim i ri nga Mikko Packalen në Universitetin Waterloo dhe Jay Bhattacharya në Universitetin Stanford, tregon disa prova për këtë në Institutet Kombëtare të Shëndetësisë në Amerikë (NIH), ku ata kanë zbuluar se ka rënë financimi për studime që bazohen në përparimet më të fundit. Financuesit konservatorë marrin studiues konservatorë. Edhe DARPA, një agjenci e Departamentit të Mbrojtjes, e famshme për financimin e projekteve në Amerikë, është akuzuar për ndërmarrjen e më pak rreziqeve se më parë.
Organizatat e reja mund të jenë më inovative. Tyler Cowen nga Universiteti George Mason ka eksploruar një mundësi: Fast Grants, një projekt që ai nisi në prill me Patrick Collison nga firma Stripe, shpërndan grante për hulumtime premtuese mbi Covid-19, shumë shpejt, zakonisht brenda disa ditësh. Por buxheti është i vogël krahasuar me atë që kërkohet. Zoti Biden premton të krijojë organizata të reja për kërkime mbi shëndetësinë dhe klimën, ndërsa qeveria britanike thotë se ka në plan të “eksperimentojë… me modele të reja financimi përgjatë horizonteve afatgjata”. Por idetë janë thjesht skicime.
Një tjetër mënyrë për të nxitur urgjencën është përmes një ndjenje misioni. Sipas dr. Gordon “disa shpikje janë më të rëndësishme se të tjerat” dhe kjo ide është shumë e rëndësishme për qeveritë. Teknologjitë që i lejojnë ato të arrijnë qëllime strategjike bëhen të rëndësishme dhe qeveritë janë të gatshme të shpenzojnë shuma të mëdha për to. Kjo mund të përfundojë keq.
Por kur funksionon, qeveritë nuk i zgjedhin fituesit, por i krijojnë ata. Në vitet 1950 dhe 1960, me përqendrimin strategjik në Luftën e Ftohtë, qeveria amerikane nxiti risi në inxhinierinë hapësinore dhe elektronike. Në vitet 1970, Franca, gjithmonë e shqetësuar që të mos varet nga të tjerët për energji elektrike, shfrytëzoi me sukses industrinë e saj bërthamore.
Programet strategjike të këtij lloji nuk kërkojnë gjithmonë kërkime dhe zhvillime inovatore. Reaktorët e Francës ishin bazuar në modelet amerikane. Ato mund të mos kenë nevojë fare për kërkim dhe zhvillim. Gjermania bëri risi në panelet diellore thjesht duke siguruar subvencione masive për to, duke rritur kërkesën dhe duke i lejuar prodhuesit në Kinë të mundësojnë lëndën e parë. Dhe nuk ka asnjë provë të qartë se teknologjitë që qeveritë vendosin se u duhen për arsye strategjike, do të jenë ato që përmirësojnë më shumë rritjen ekonomike.
Por projekte të tilla zakonisht nxisin ndjenjën e misionit midis atyre që janë të përfshirë dhe studiuesve nga qeveria dhe akademia që punojnë së bashku me ta nga industria. Nëse ata e bëjnë këtë në mjedise multidisiplinare – të cilat misionet shpesh i kërkojnë, qoftë në sektorin publik apo privat – atëherë teknologjitë që nxisin rritjen mund të shfaqen më shumë.
Do të duhet kohë që idetë e reja të kenë efekte të mëdha. Dhe në një botë me media 24-orëshe, do të jetë e vështirë të fshihen histori të pashmangshme të parave të shpenzuara më kot dhe projekteve të dështuara – sado të pashmangshme, apo edhe të mirëpritura, mund të jenë disa lloj dështimesh. Por në një kohë kur nevoja për të rritur inovacionin nuk ka qenë kurrë më e madhe, politikanët mund të dalin në përfundimin se rindezja e sistemit të inovacionit ia vlen barra qiranë.
Përktheu Lira Muça