FLET Juliana Gaxha, Përgjegjëse e Sektorit Juridik pranë Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial
Si ka qenë aktiviteti i ISHTI në vitet e fundit? Ku është fokusuar më tepër puna?
Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) (ish-IQT) është krijuar me VKM, nr. 410, datë 13.5.2015 si institucion qendror publik, buxhetor, në varësi të Ministrisë Përgjegjëse për Energjinë dhe Industrinë (sot MIE) me kompetenca inspektimi në fushën e përpunimit, transportimit dhe tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe funksionon në mbështetje të Ligjit nr. 8450, datë 24.02.1999 “Për përpunimin, transportin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, i ndryshuar; Ligji nr. 10433, datë 16.06.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë; si dhe akteve ligjore dhe nënligjore që normojnë veprimtarinë e përpunimit, transportimit dhe tregtimit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre.
Ky inspektorat, në kryerjen e funksioneve të tij, mbështetet nga laboratorë të akredituar për fushën dhe testet përkatëse.
Drejtoria e Inspektimit të Naftës dhe Gazit (DING) ushtron veprimtarinë e vet në kontrollin në fushën e përpunimit, transportit dhe tregtimit të naftës dhe gazit dhe nënprodukteve të tyre. – Për kontrollin e respektimit të standardeve apo rregullave shtetërore për cilësinë e naftës dhe nënprodukteve të saj.
– Për zbatimin e kushteve të parashikuara në lejet apo autorizimet përkatëse që u janë dhënë personave juridikë, në instalimet, impiantet dhe pajisjet e përdorura, në mënyrë që ato të zbatojnë normat teknike dhe masat mbrojtëse kundër zjarrit.
DING kryen rregullisht inspektimet në shoqëritë e tregtimit me shumicë dhe stacionet e shitjes të nënprodukteve të naftës dhe lëndëve djegëse për t’u siguruar që konsumatorëve po u ofrohen produkte cilësore, që njerëzit të marrin atë që paguajnë dhe cilësinë që presin.
Në cilin sektor keni konstatuar më tepër problematika?
Problematika më të theksuara ndër vite kemi hasur në sektorin e tregtimit dhe transportimit të gazit. Përkatësisht si më poshtë, ku janë ushtruar më tepër kontrolle:
– Mbushja e bombolave me gaz në autogaze, veprim i cili është i ndaluar dhe dënohet me ligj
– Ndalimi i vendosjes së autogazeve në zonat urbane me dendësi të lartë banimi
– Mungesa e trupave të certifikuar për montimin e bombolave në familje
– Mungesa e detektorëve në familje dhe biznese
– Mungesa e miratimit të standardit të gazit me VKM si rregull teknik, gjë që pritet të hyjë në fuqi në muajin korrik, në zbatim të direktivës 802/2016.
– Tregtimi i GLN-së për qëllime rezidenciale me odorant sipas standardit (etil merkaptan)
– Mungesa e pajisjes me dëshmi aftësie të punonjësve që shfrytëzojnë enë nën presion, në veçanti në bizneset në zonat turistike.
Me nisjen e sezonit veror, çfarë masash keni marrë (apo kontrolle) në sektorin hoteleri-turizëm?
Sektori i hoteleri–turizmit arrin numrin më të lartë të turistëve gjatë sezonit veror dhe në këtë periudhë, rritet më tepër edhe nevoja për të siguruar dhe për të garantuar nivelet dhe standardet më të larta për pushuesit sa i takon çështjes së sigurisë në fushën e përdorimit të pajisjeve / instalimeve nën presion dhe atyre elektrike.
Drejtoria e Inspektimit të Pajisjeve dhe Instalimeve nën Presion ka në kompetencat e veta ushtrimin e kontrollit sa i takon pajisjeve dhe instalimeve nën presion, për të garantuar sigurinë e mjeteve të tilla, të cilat në sezonin veror përdoren më tepër, pasi rritet numri i bizneseve në fushën e shërbimit si restorante, bar – kafe etj.
Këto lloj biznesesh përdorin pajisje nën presion (bombola gazi) kryesisht në sektorin e gatimit. Gjatë sezonit veror, kontrollet dhe inspektimet shtohen për të garantuar se këto lloj pajisjesh janë të regjistruara dhe të certifikuara, si dhe të jenë instaluar në përputhje me kërkesat ligjore që parashikon ligji.
Në krahasim me vitet e mëparshme, tashmë mund të themi se në këtë drejtim janë bërë përmirësime të konsiderueshme, për të ndërgjegjësuar bizneset dhe popullatën në lidhje me rrezikshmërinë që paraqesin pajisjet nën presion për jetën, shëndetin dhe pronën, duke siguruar që në treg të gjenden vetëm produkte të certifikuara dhe që të gjithë njerëzit, si dhe bizneset, të kenë informacionin e duhur përpara se të vënë në përdorim këto pajisje.
Konkretisht, ISHTI ka shtuar inspektimet në zonat bregdetare ku ka më shumë fluks turistësh dhe rritet shkalla e rrezikshmërisë e për pasojë, dhe nevoja për të garantuar sigurinë është më e lartë, në krahasim me periudhat e tjera të vitit.
Njëkohësisht, edhe Drejtoria e Inspektimit të Pajisjeve dhe Instalimeve Elektrike shton numrin e kontrolleve pranë bizneseve, për të garantuar sigurinë e instalimeve elektrike dhe të pajisjeve, të cilat operojnë nëpërmjet energjisë elektrike, duke shmangur paraprakisht rastet e aksidenteve që mund të vijnë si pasojë e rrymës elektrike nga pajisje të paregjistruara dhe të pacertifikuara.
Të gjithë subjektet, të cilët ushtrojnë veprimtari në sektorin e hoteleri – turizmit, gjatë kësaj periudhe janë subjekte inspektimi më shpesh krahasuar me muajt e tjerë të vitit dhe është rritur së tepërmi bashkëpunimi, si me subjektet private, po ashtu edhe me institucionet e tjera, në mënyrë që të gjithë së bashku të garantojmë standardet më të larta të turizmit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.