Artisti Viktor Ferraj është një ndër trashëgimtarët e traditës më të mirë të artit vizual shqiptar, i cili me krijimtarinë mbi tridhjetëvjeçare, ka hulumtuar vëllimet, hapësirën, raportet koloristike, në funksion të ndërtimit të një identiteti artistik që shumëkush do ta konstatojë si një udhëtim të gjatë drejt njohjes së vetes, shoqërisë, ëndrrave dhe realiteteve fantazmagorike, që vetëm një individ kushtuar tërësisht artit do të arrinte ta realizonte.
Viktor Ferraj kreu studimet për skulpturë në Akademinë e Arteve në vitin 1989, ku u shqua për një shkathtësi në zotërimin e formave dhe vëllimeve, si dhe një vizatues virtuoz, ku në momente të caktuara arrinte të ndërhynte me elegancë me raporte koloristike, duke ndërtuar kompozime atmosferike, kryesisht në funksion të metaforave, të cilat u kthyen në një kërkesë organike e këtij artisti.
Merr pjesë me skulpturë në ekspozitat e vitit 1990. Por në fillim të 91-shit ai, si gjithë artistët që ishin në kërkim të zgjerimit të mëtejshëm të njohurive artistike, largohet për në Itali, ku menjëherë ndërton studion e tij, në hulumtim të mediumit të qeramikës.
Merr pjesë fillimisht në panairet e artit, kryesisht atë të Bolonjës kushtuar qeramikës, ku tërheq vëmendjen e kritikës, duke i krijuar më pas mundësitë për të ekspozuar në shumë galeri dhe muze.
Gjatë kësaj kohe, Viktori eksperimenton me këtë medium në shfrytëzimin e arsenalit të tij si vizatues dhe njohës i volumeve, duke eksperimentuar në ndërtimin e basorelieveve dhe sipërfaqeve kompozicionale në ndërtimin e një koncepti artistik me orientim drejt një realiteti metafizik, ku shikuesi përballet me një të vërtetë subkoshienciale.
Personazhet e Viktorit përshkruhen në momente ëndërrimtare, ku fizionomia e tyre fillon të shpërfytyrohet, por në të njëjtën kohë përfitojnë një monumentalitet organik, duke na frymëzuar me bukurinë strukturore dhe në të njëjtën kohë, me humanizmin e sinqertë na bën të identifikohemi me këto personazhe të fragmentarizuar, si vetë dinamika e jetës së përditshme.
Në fillim të viteve 2000, Viktor Ferraj fokusohet tërësisht në ndërtimet e veprave dy dhe tredimensionale, të një natyre tërësisht metafizike, duke shfrytëzuar një paletë koloristike tejet elegante, ku vizatimit të lirshëm dhe të mirëmenduar i bashkohen raporte ngjyrore, që rrisin intensitetin dramatik të historive që ai përshkruan.
Viktori fillon të ekspozojë krahas skulpturave, edhe një lloj krijimtarie piktorike, ku ai kolazhon, ndërton forma të lehta skulpturore dhe mbi to ndërton kompozime me mjete piktorike. Duket se Viktor Ferraj, në këtë periudhë të krijimtarisë së tij, gjen nitchin që çdo artist është në kërkim, por jo të tërë arrijnë ta gjejnë.
Veprat e tij operojnë përmes metaforave, të cilat nuk na vijnë të drejtpërdrejta, por na ftojnë që t’i vëzhgojmë me kujdes dhe të dalim në konkluzione, ku secili arrin të bëjë një interpretim personal në ndërtimin e narrativave të pafundme, të cilat janë si produkt i një shtresëzimi kulturor, që artisti ka arritur të përfitojë përgjatë hulumtimeve në njohjen e më së mirës që tërë mediumet artistike i kanë ofruar njerëzimit.
Kompozimet e Viktor Ferrajt nuk janë krijime të një stili konvencional, por sinteza të një kërkimi të gjatë të njohjes së fenomeneve njerëzore, ku humanizmi është lajtmotivi i krijimtarisë së tij, dhe dashuria për njeriun e zakonshëm na bën ta admirojmë atë me tërë thjeshtësinë që na ofrohet.
Personazhet e Viktorit përherë janë në kërkim të transmetimit të një mesazhi, në kërkim të një personazhi të dytë për të shprehur shqetësimin, dashurinë, dhimbjen, por në asnjë moment nuk transmetojnë fatalitet.
Për artistin, qenia njerëzore është më sublimja që ka krijuar natyra dhe se çdo moment i jetuar duhet përjetësuar si një etyd i dëshirës për ta bërë jetën sa më të bukur për secilin. Fundja, ky është dhe qëllimi final i artit, ai për të cilin fillimisht është konceptuar, hedonizmi.
Viktor Ferraj vazhdon të krijojë në Itali dhe Shqipëri, duke hapur shumë ekspozita, të cilat në intimitetin e mesazheve që ofrojnë, ka bërë për vete një sërë koleksionistësh dhe dashamirës të artit.
“Monitor” i ofron publikut disa nga veprat që artisti Viktor Ferraj ka krijuar vitet e fundit, ku pasqyrohet më së miri pjekuria e tij e artistike në pikturë dhe skulpturë.
Genci Përmeti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.