Shqipëria, deri në vitin 2029, ka si strategji të saj zhvillimin e turizmit në katër shtylla kryesore, si Alpet, Tirana si qendër për konferencat, bregdeti për hotelet elitare dhe zhvillimi i Rivierës, – shpjegon Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit.
Ai ngre shqetësimin se, ndërkohë që flitet për resorte dhe hotele, po ndërtohen fshatra turistikë, gjë e cila bie ndesh me strategjinë e turizmit.
Sipas tij, lloji i turistit që viziton Shqipërinë, është në kërkim të një destinacioni low cost dhe është e pamundur që të mbulosh të gjitha llojet e turizmit. Hotelet elitare, pjesë e projekteve të mëdha në Jug dhe në Gjirin e Lalëzit kërkojnë kohë që të përfundojnë, shton Topuzi.
“Ndërkohë që flasin për një zhvillim të moderuar të strukturave hoteliere, kryesisht ato me 3-4 yje, ndërtimin e një numri të kufizuar resortesh dhe zhvillimin e turizmit familjar, duke vitalizuar fshatrat ekzistues. Kapërcimi me shpejtësi te turizmi elitar do të jetë i vështirë. Për sa kohë nuk përmirësohet infrastruktura, menaxhimi dhe pastrimi i mbetjeve, si dhe ujërat e zeza, nuk mund të presim që në Shqipëri të vijnë turistë elitarë.
“Duke studiuar me kujdes Strategjitë e Turizmit në 15 vitet e fundit arrin në konkluzionin që Shqipërisë i mungojnë Infrastruktura Bazë (aeroporte, pastrimi i ujërave të zeza, menaxhimi i mbeturinave, përgjegjësi të qarta në të gjitha nivelet për zhvillimin e turizmit, etj.) për të zhvilluar me shpejtësi turizmin elitar, – thotë Topuzi.
Topuzi shprehet se për pjesën e pasurive të paluajtshme në bregdet kryesisht janë të interesuar shqiptarët e diasporës, por edhe të huajt që janë martuar me shqiptarë. Turistët që vijnë në Shqipëri janë rajonalë.
Projektet nuk janë resorte të mirëfillta. Në themel të tyre kanë ndërtimin e vilave të luksit të destinuara për klientët VIP, ndërsa shërbimet e hotelerisë parashikohen në një fazë të dytë.
Krijimi i stokut të vilave në zonat e bregdetit shihet me shqetësim edhe nga Dritan Caka, drejtues i DevInf dhe kryetar i Shoqatës së Ndërmjetësuesve të Pasurive të Paluajtshme, NAREA. Caka argumenton se, në rast se nuk gjendet treg te të huajt, rrezikohet të krijohet stok për vilat në bregdet. Arsyeja kryesore, sipas Cakës, është çmimi i shtrenjtë i tyre dhe mundësia e kufizuar e shqiptarëve.
Juliana Nela, Broker e agjencisë së pasurive të paluajtshme, RE/MAX Koncept pohon se kërkesa për vila dhe për ndërtime cilësore në Jug është e lartë. Por çmimet më të cilat janë propozuar këto projekte janë shumë të larta nga 1’500 – 2000 Euro/m2. “Kjo ka bërë që tregu të jetë në konkurrencë edhe me vende të rajonit si Greqia ose Kroacia, Mali i Zi që ofrojnë cmime të ngjashme por kanë edhe infrastrukturë më të mirë se ne dhe disa avantazhe të tjera, ndër të cilat prania e tyre në panaire e vëmendjen e tregut ndërkombëtar të turizmit si dhe një reputacion më i mirë”, pohon ajo.
Në përgjithësi, investitorët në zonat bregdetare janë të fokusuar në ndërtimin e vilave dhe të shtëpive të banimit, dhe ka shumë pak projekte konkrete për ndërtimin e hoteleve apo resorteve të pushimit.
Kthimi nga investimi në resorte nuk i josh investitorët për shkak të kohës së shkurtër të shfrytëzimit dhe kohës së gjatë të nxjerrjes së investimit, por ndërtimi i tyre do të kishte ndikim më të madh për të forcuar sektorin, si dhe në punësim.
Pse? Investimi në vila dhe shtëpi banimi përkthehet nga investitorët si kthim më i shpejtë, ndërsa sektori i turizmit nuk e ka gjetur veten. Ndërtimi i këtyre vilave nuk sjell vlerë të shtuar në turizëm dhe as në punësim, krahasuar me ndikimin që do të kishin resortet apo hotelet. Arben Dervishi, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve shton se krahas vilave për shitje, investimet në këto fshatra turistikë duhen shoqëruar edhe me ndërtimin e resorteve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.