Nëse po kërkoni një destinacion unik në Mesdhe, në hotelin Villa Nai 3.3 është e sigurt se do të përjetoni një përvojë të veçantë.
Kjo strukturë me pesë yje ndodhet në ishullin dalmat Dugi Otok në Kroaci (ishulli i shtatë më i madh në detin Adriatik). Hoteli është projektuar nga arkitekti i famshëm kroat, Nikola Bašić.
Ai është i njohur për Sea Organ, një projekt me shkallë funksionale në bregdetin e Zadar, që përdor oqeanin për të luajtur një muzikë të mrekullueshme. Ashtu si Sea Organ, edhe ky projekt i ri përdor arkitekturën për të vlerësuar bukurinë e peizazhit.
Hoteli është ndërtuar në një kodër që dikur ishte një pemishte ullinjsh. Forma dhe historia e vendit përcaktuan projektin. Muret e parregullta ndjekin relievin e kodrës dhe përbëhen nga gurë lokalë të vendosur me teknika ndërtimi tradicionale. Kjo përfshin procesin dalmat të mureve monumentale prej guri pa llaç.
Vendi ofron edhe një peizazh të mrekullueshëm, duke përfshirë edhe ullinjtë rreth 5 shekullorë dhe një hapësirë të pamat të gjelbër. Në të vërtetë, ullinjtë janë pjesë e historisë që qëndron në identitetin e këtij hoteli.
Hoteli ka marrë emrin e vajit të ullirit, i cili është vlerësuar me disa çmime, Nai 3.3. Prodhuesit e vajit të ullirit kërkuan ndërtimin e këtij hoteli luksoz dhe mbikëqyrën ndërtimin e tij.
Gjatë qëndrimit në Villa Nai 3.3 do të vëreni se çdo vilë është projektuar me një stil të ndryshëm. Jashtë dhomës, ju mund të mblidhni ullinj dhe të shikoni përpunimin në një fabrikë vaji në vend. Ndër të tjera mund të provoni produktet në restorantin e hotelit, 3.3, dhe në barin Grotta 11.000. Hoteli ofron edhe një qendër wellness me pishina të brendshme dhe të jashtme, një biosauna dhe një qendër Spa.