Koronavirusi ka shënuar shifra të larta kudo në Europë, ndërsa shtetet vijojnë të ashpërsojnë masat kufizuese për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të tij.
Italia arriti pikun ditor të dielën, me 21,273 të infektuar, rekordi i ri që nga fillimi i epidemisë. 128 persona humbën jetën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në Itali në mbi 37 mijë. Një total prej më shumë se 525 mijë raste janë konfirmuar deri më tani. Aktualisht 1,208 persona me Covid-19 po trajtohen në njësitë e kujdesit intensiv.
Shifrat e reja vijnë në kohën kur kryeministri italian Giuseppe Conte pranoi se “kurba e epidemisë po rritet me shpejtësi”. Conte tha se donte të shmangte një bllokim mbarëkombëtar si ai që vendosi në Mars, sepse “vendi nuk mund ta përballonte atë”.
Duke filluar nga sot, në Itali hyjnë në fuqi masat e reja kufizuese. Ndryshe nga bllokimi kombëtar i vendit në mars, jo të gjitha aktivitetet ekonomike dhe të prodhimit janë të detyruar të mbyllen sipas dekretit të ri.
Kufizimet kryesore kanë të bëjnë me baret dhe restorantet dhe shërbimet e tjera ushqimore. Ato duhet të mbyllen në orën 6 të pasdites. Palestrat, pishinat, teatrot, kinematë, sallat e koncerteve, sallat e bingos, kazinotë dhe qendrat e bukurisë, gjithashtu duhet të mbyllen.
Kopshtet dhe shkollat fillore do të qëndrojnë të hapura, por për të shmangur transportin publik të mbipopulluar, shkollat e mesme duhet të zhvillojnë 75% të mësimeve në distancë.
“Ne besojmë se gjatë muajit tjetër (nëntor) do të vuajmë pak, por duke shtrënguar dhëmbët dhe duke u përballur me këto kufizime, në dhjetor do të marrim frymë përsëri” tha Conte.
Lexo edhe këtë: Italia po shtrëngon masat: Mbyllen baret pas orës 18:00 dhe të dielën, s’ka më kinema, pishina, palestra
Kryeministri spanjoll kërkon të mbajë gjendjen e jashtëzakonshme deri në maj 2021
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha se ai do t’u kërkojë grupeve parlamentare të mbështesin zgjatjen e një gjendje të re emergjente të njoftuar të dielën deri më 9 maj të vitit 2021, në një përpjekje për të frenuar rritjen e rasteve të reja të Covid-19.
“Beteja do të jetë e ashpër, por me disiplinë shoqërore, me rezistencë, me unitet dhe me një frymë fitoreje, ne do ta fitojmë përsëri,” tha ai.
Nën gjendjen e re të jashtëzakonshme, do të ketë një shtetrrethim për të gjitha rajonet, përveç Ishujve Kanarie, nga ora 23:00 deri në orën 6 të mëngjesit duke filluar nga sot. Autoritetet lokale do të jenë gjithashtu në gjendje të kufizojnë udhëtimin midis rajoneve dhe të kufizojnë tubimet publike në vetëm gjashtë persona, tha Sanchez.
“Realiteti është se Europa dhe Spanja janë zhytur plotësisht në valën e dytë të pandemisë,” tha ai. “Situata në të cilën jetojmë është ekstreme”.
Spanja ka një nga shifrat më të larta të koronavirusit në botë, me 1,046,132 raste dhe 34,752 viktima deri të dielën, sipas të dhënave të fundit nga Universiteti Johns Hopkins.
Franca shënon rritjen më të lartë ditore, me më shumë se 52 mijë të infektuar
Franca regjistroi 52,010 raste me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit, niveli më i lartë ditor, sipas Autoritetit Shëndetësor Francez. Shkalla e pozitivitetit në vend tani është 17%, sipas ministrisë së shëndetësisë. Kjo është më shumë se dyfishi i normës së pozitivitetit në Shteteve të Bashkuara.
Që nga e Shtuna, pothuajse gjysma e të gjitha shtretërve në njësitë e kujdesit intensiv (ICU) janë të zënë nga pacientët e Covid-19. Në rajonin e Parisit, kjo normë e shfrytëzimit u rrit në 64 për qind.
Gjithashtu, nga e shtuna 54 nga 101 zonat administrative të Francës janë në një shtetrrethim gjatë natës, që i detyron njërëzit të qëndrojnë brenda nga ora 21:00. deri në 6 të mëngjesit, masë e cila do të qëndrojnë në fuqi deri në fund të dhjetorit.
Shënohet shifra më e lartë e të infektuarve në 48 orë në Austri
Austria është një tjetër vend që shënon rritjen më të lartë të rasteve në një fundjavë të vetme.
Austria regjistroi 6,396 raste të reja me Covid-19 gjatë fundjavës, shifra më e lartë për 48 orë, sipas të dhënave të fundit nga Agjencia Austriake për Shëndetin dhe Sigurinë e Ushqimit (AGES).
Numri i përgjithshëm i infeksioneve të raportuara në vend qëndron në mbi 84 mijë. 1,225 të infektuar po trajtohen në spitalet COVID, nga të cilët 174 në kujdesin intensiv. Të paktën 979 perosna kanë humbur jetën si pasojë e virusit.
Në Austri vijojnë të jenë në fuqi në sërë masash, si kufizimi i tubimeve në ambientet e mbyllura në vetëm 6 persona dhe një maksimum pre 12 personash në ambientet e jashtme. Sezoni i skive do të jetë i hapur, por me kufizime të ashpëra. Festa popullore pas skive do të ndalohen për të parandaluar përhapjen e virusit./CNN