Sa po preket kompanitë që realizojnë shërbimet e transportit të mallrave në vend nga kriza ekonomike globale. Efektet nga rënia e eksporteve dhe planet për t´u bërë me eficienteSektori i transportit të mallrave duket se është vënë në vështirësi për shkak të krizës botërore financiare, por edhe faktorëve të brendshëm, siç janë luhatjet e forta në kursin e këmbimit. Operatorët privatë, të cilët kryejnë transportin e mallrave për llogari të kompanive të ndyshme të huaja dhe vendase shprehen se pas një ecurie të mirë të evidentuar gjatë pjesës së parë të vitit 2008, vazhdimi dhe viti 2009 do të paraqesin vështirësi në këtë shërbim. Uljen në këtë sektor e konfirmojnë edhe të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave. Sipas të dhënave të agjencive private të transportit të mallrave, ka rënë ndjeshëm niveli i mallrave që eksportohet nga Shqipëria drejt tregjeve të huaja, ndërsa nuk mund të thuhet e njëjta gjë për importet.
Dy janë rrugët kryesore nëpërmjet të cilave agjencitë bëjnë transportin e mallrave, ajo tokësore dhe ajo detare.
Agjencitë, do të vihemi në vështirësi
Europa është destinacioni më kryesor në transportin ndërkombëtar të mallrave, por kompanitë shpesh shkojnë edhe më tej, në Lindjen e Largët, në Kinë.
Administratori i një prej agjencive të transportit të mallrave, “Shega Group”, Artur Koçiaj thotë se gjatë një muaji kryhen 250 deri në 300 transporte jashtë kufijve, të cilat në pjesën më të madhe janë importe sesa eksporte dhe 450 deri në 500 transporte kryhen po brenda kësaj periudhe brenda vendit, nga Porti i Durrësi e deri në destinacion.
“Në transportin tokësor xhiroja mujore llogaritet nga 300,000 deri në 400,000 euro, ndërsa në transportin detar shifra është e njëjtë po e shprehur në dollarë. Deri në mesin e vitit 2008 kemi pasur një rritje si në transportin detar, ashtu edhe në atë tokësor, në krahasim me vitet e tjera”, -thotë administratori i kësaj kompanie.
Sipas tij, shkak për uljen e transportit të mallrave është kriza financiare botërore, e cila ka ndikuar kryesisht në eksporte. Kjo kompani ka mbuluar shumicën e eksportit të mineraleve dhe kryesisht të kromit drejt Kinës. Rënia në bursë e çmimit të këtij produkti bëri që të bjerë ndjeshëm eksporti, madje mund të thuhet se për muajt e parë të këtij viti, eksporti është në nivelin zero.
“Nëse do t´i hidhnim një sy të përgjithshëm të dhënave, do të vihet re se ka një rritje gati 20% të volumit të punës, mirëpo kjo rritje është fiktive, pasi ne kemi rritur sasinë e mjeteve për transport nga 26 koka tërheqëse në 48, duke investuar në rritjen e aktiveve të kompanisë në mjete. Ky investim nuk i përgjigjet realitetit, pasi me rritjen e kapaciteteve jemi në rreth 70% deficit”, -thotë Koçiaj.
Një tjetër problem i cili vihet në dukje nga operatorët privatë është edhe kreditimi.
Për të kryer investimet e nevojshme këto agjenci janë të detyruara të marrin hua te sistemi bankar. “Pavarësisht lehtësive në disbursim për shkak të shërbimit “leasing” nga ana e bankave, aktualisht po ndeshemi edhe me problemin e kursit të këmbimit. Shumica e operacioneve tona kryhen në monedha të huaja dhe luhatjet e larta të kursit të këmbimit krijojnë raporte të zhdrejta në kredinë e cila merret kryesisht në euro, monedhë e cila përfaqëson edhe shumat më të mëdha të transportit në rrugë detare”, -shprehet Koçiaj.
Me një eksperiencë 10-vjeçare në tregun e transportit të mallrave, “Shega group” vlerësohet si një nga kompanitë më të mëdha në vend. Kjo kompani llogarit 10 milion euro xhiro në vit. Ka një grup tokësor mjetesh me rreth 55 koka tërheqëse, 51 gjysmë rimorkio me mushama dhe 48 platforma për transportin e kontenierëve. Me një park me sipërfaqe 11,000 metra katrorë, me një numër prej 113 punonjësish, kompania është duke menduar për zgjerimin e mëtejshëm të saj, në Vlorë, Fier, Shkodër.
Përsa i takon transportit detar sipërmarrja ka në pronësi 2 mjete detare, ku ofrohet edhe shërbimi spedicioner detar. Kompania kryen një aktivitet transportues deri në 600 teus (njësi matëse, e cila është e barabartë me 20 ton). Kjo kompani është partnere e disa kompanive të huaja, që veprojnë në fushën e transportit detar, si MSC, “China Ship”, “Kosko” (transporti detar zë rreth 70% të totalit të transportit në Botë).
Ulen çmimet e transportit detar
Sipas agjencive private të transportit të mallrave, transporti në rrugë detare ka pësuar një rënie të ndjeshme me rreth 50% në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë. Drejtuesit e agjencisë A&A, shprehen se po kështu janë ulur edhe çmimet e transportit, kjo për shkak të krizës dhe mungesës së eksporteve. Natyra e mallrave që transportohen nga kjo agjenci janë kryesisht ushqimore dhe industriale, ndërsa përsa i përket eksporteve agjencia thotë se janë kompanitë e nxjerrjeve të mineraleve ato që kërkojnë këtë shërbim. Për drejtuesit e agjencisë “A&A”, çmimet e transportit tokësor mendohet se do të pësojnë rritje, për shkak edhe të informalitetit të lartë.
Përveç këtyre shërbimeve, agjencitë në bashkëpunim edhe me kompanitë e sigurimeve ofrojnë për klientët edhe sigurimin e mallrave.
Shqipëria më pas se rajoni
Sipas administratorit të agjencisë A&A, gjatë periudhës 2007-2008 ecuria e transportit të mallrave ka qenë më pozitive, duke iu referuar edhe përfitimeve që biznesi shqiptar pati nga përkeqësimi i marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Greqisë.
“Gjatë kësaj periudhe kemi arritur të kryejmë rreth 24 tranzite në muaj me Maqedoninë dhe 16 me Kosovën. Nëse do të krahasonim Shqipërinë me vendet e rajonit mund të themi se jemi ende pas në këtë sektor”.
Sipas operatorëve privatë të transportit të mallrave, Shqipëria, ndryshe nga vendet e tjera është e detyruar të paguajë një taksë specifike për peshën gjatë kalimit në Itali dhe kjo bën që të rriten së tepërmi kostot e shpenzimeve, të cilat llogariten nga 300 deri në 400 euro kosto shtesë. “Tregu ka një prurje nga jashtë, nga agjenci të cilat vijnë nga Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi apo edhe Maqedonia. Përpos kësaj ndodhemi përballë një konkurrence aspak të ndershme dhe bëhet fjalë për agjencitë informale, të cilat veprojnë me aktive të vogla, si dhe me çmime të ulëta”, -thotë administratori i “Shega Group”. Sipas tij, pavarësisht se shteti ka ndërmarrë disa lehtësi fiskale në uljen e taksave, ai duhet të ndërhyjë në rregullimin e tregut, me qëllim që të rritet konkurrenca dhe të dalin jashtë tregut operatorët joligjorë.
Një tjetër problem i cili ndoshta nuk është vetëm për mallrat është edhe ai i pengesave që hasin këto agjenci në pajisjen e automjeteve me leje qarkullimi jashtë territorit që njihen me termin “disvolta” dhe kjo përbën edhe një tjetër kosto shtesë. Sipas operatorëve, nëse një automjet qëndron pa qarkulluar, atëherë kostoja e tij në ditë varion nga 70 deri në 100 euro dhe kjo për agjencinë do të thotë humbje.
Teknologjia e re do të ulë kostot
Sipas drejtuesve të agjencisë “Alba Trans” një problem që vihet re në këtë sektor është edhe mungesa e zbatimit të teknologjisë së përparuar në përpunimin e mallrave, kryesisht në portet detare, gjë e cila do të rriste aftësinë përpunuese të mallrave, uljen e kohës së përpunimit të mallrave, uljen e kostos për ton/m3 të mallrave të përpunuara, uljen e dëmtimeve të mallrave dhe përcaktimin e efektivitetit ekonomik.
“Aktualisht, teknologjia e përdorur në përpunimin e mallrave është e pranueshme dhe mbeten për t´u përmirësuar masat organizative, përshtatur kjo me teknologjinë që përdoret. Për përpunimin e anijeve që shkarkojnë kryesisht miell, grurë, misër, çimento të paambalazhuar etj., është e domosdoshme ndërtimi i sillosave”, shpjegojnë drejtuesit e kësaj agjencie. Dhe natyrisht, shembulli më i mirë është Italia.
Sipas tyre, ndërtimi i sillosave me një kapacitet rreth 20-25 mijë ton dhe shkarkim efektiv 350 ton/orë do të ndikonte shumë pozitivisht në lehtësimin e portit të Durrësit dhe uljen e kostos së përpunimit. “Teknologjia moderne e kohës, ajo e përpunimit të kontenierëve lë ende për të dëshiruar për shkak se volumi i shkarkimeve është i madh, por kapacitetet përpunuese janë të ulëta”, thonë drejtuesit e kësaj agjencie. Sipas tyre transporti me kontenierë ose, siç e quajnë, transporti “door to door” (transporti nga dera në derë ose nga prodhuesi te konsumatori), është transporti më me leverdi që ekziston. Njësi prodhimi, të cilat kanë mjaft afër stacionet hekurudhore ka mjaft, si fabrika e miellit, Kashar, fabrikat e çimentove, Fushë-Krujë, Elbasan, të cilat e bëjnë transportin me mjaft kosto të ulët.
Ministria e Transporteve: Ka mangësi në sistemet e informacionit
Aktualisht në Shqipëri aktiviteti i transportit detar dhe tokësor të mallrave është një aktivitet ku ndërthuret sektori shtetëror me atë privat, me tendencë drejt privatizimit të pjesës dërrmuese të shërbimeve portuale. Numri i subjekteve private të licensuara nga Ministria e Transportit në sektorin detar arrin në rreth 115. Sipas ekspertëve të kësaj ministrie ende vihen re mangësi në sistemet e informacionit në transport dhe kjo për shumë arsye, si mbizotërimi në mënyrë të njëanshme i sistemit manual të informacionit, përdorimi i kompjuterave jobashkëkohor, numri jo i mjaftueshëm i pajisjeve elektronike, përdorimi i rrjeteve vendore të shkëputura apo edhe mungesa e rrjeteve në tërësi. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Transporteve shumë shpjet do të bëhet e mundur që gjatë vitit 2009 të bëhet i mundur nisja e dhënies me koncesion të hekurudhave shqiptare, ku shërbimi i transportit të mallrave, por jo vetëm ai, është shtetëror. Sipas burimeve të ministrisë, treguesit janë pozitivë përsa i përket realizimit të transporteve në ton mallra, por vihet re një realizim jo i kënaqshëm i transportit të udhëtarëve. Gjatë vitit 2008 transporti i mallrave është realizuar në masën 99.7% të planit ose 232,333 ton mallra, ndërsa transporti i udhëtarëve është realizuar në masën 74.3% të planit.
INSTAT, ulje e ndjeshme e trasnportit të mallrave
Sipas të dhënave të këtij institucioni për vitin 2008 vihet re një ulje e ndjeshme e treguesve të këtij sektori, si në transportin tokësor, hekurudhor dhe në atë detar.
INSTAT, deklaron se shifra e afarizmit në transportin hekurudhor e vlerësuar me çmime korente ka shënuar rënie prej 13.8% në tremujorin e tretë të vitit 2008 krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2007, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës ky tregues ulet me 26.3%. Shifra e afarizmit në transportin detar, vlerësuar me çmimet korente, ka shënuar rënie prej 2.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës ky tregues paraqitet me rënie 33.2%. Sipas INSTAT, shifra e afarizmit në transportin ajror e vlerësuar me çmime korente ka shënuar rënie prej 17.9% në tremujorin e tretë të vitit 2008 ndaj tremujorit të tretë të vitit 2007, ndërsa, krahasuar me tremujorin pararadhës ky tregues paraqitet me rritje 6.1%. (shih grafikun 1)
Sipas të dhënave të këtij institucioni në muajin dhjetor të vitit 2008 u eksportuan 6,969 milion lekë mallra, me ulje 23.4% në krahasim me muajin nëntor të vitit 2008 dhe rritje me 4.5% në krahasim me muajin dhjetor 2007.
Nga të dhanat e këtij institucioni, u importuan 43,156 milion lekë mallra me rritje
11% në krahasim me muajin nëntor 2008 dhe me një rritje 24.5% në krahasim me muajin dhjetor të vitit 2007.
Deficiti tregtar i këtij muaji është 36,187 milion lekë, duke shënuar një rritje prej 21.4% krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 29.2% krahasuar me muajin përkatës të vitit 2007.
Sipas të dhënave të INSTAT, tregtia me vendet e Bashkimit Europian zuri 63%. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Me Italinë eksporti është 70.1% dhe importi 27.5%, kurse me Greqinë, eksporti është 7.2% dhe importi 11.2%.
Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë: për eksportin, Austri, Kinë, SHBA, Ukrainë, Kosovë etj., dhe për importin, Austri, Britani e Madhe, Gjermani, Ukrainë, Zvicër etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.