Grupi AGNA shpjegon ecurinë
Vështirësitë e tregut dhe ngurtësimi i shpenzimeve të konsumatorëve, pa diskutim që përbëjnë sfida të vazhdueshme, por kompania bën përpjekje, që të përballojë sfidat e biznesit…
Si do ta vlerësoni ecurinë e grupit për vitin 2014 dhe pritshmëritë për vitin 2015?
Viti 2014 nuk ka qenë i lehtë, por gjithsesi, gjatë vitit 2014, të gjitha departamentet e kompanive Alfa SHA dhe Agna SHA (pjesë e Agna Group) patën rritje dhe përmbushën e objektivat vjetorë. Edhe viti 2015 nuk është i lehtë, pasi vihet re tkurrje e shpenzimeve të konsumatorëve, por gjithsesi, periudha e deritanishme e vitit 2015 është përgjithësisht e mirë. Ka ndihmuar edhe fakti që vera ka qenë e nxehtë, të paktën për kategorinë e pijeve freskuese, ujit dhe birrave. Kjo edhe për faktin se vera është periudha më e rëndësishme në arritjen e objektivave vjetorë. Pritet që viti 2015 të mbyllet pozitivisht.
Cilat janë avantazhet tuaja konkurruese në tregun e retail në Shqipëri dhe atë të prodhimit të pijeve freskuese?
Duke qenë një ndër kompanitë e para në tregun shqiptar, ne kemi avantazhin që, me kalimin e kohës, të mbledhim të dhëna të rëndësishme, duke krijuar kështu një databazë informacioni e cila ndihmon në mbarëvajtjen e një strukture efektive funksionimi.
Me një numër të madh punonjësish dhe mjetesh, me një rrjet shpërndarje në çdo qytet të Shqipërisë dhe me një sistem informacioni të avancuar, ne kemi mundësi që t’u përgjigjemi në kohë klientëve tanë, duke ofruar produkte dhe shërbime cilësore. Gjithashtu, besojmë se avantazh konkurrues për ne është edhe trajnimi i vazhdueshëm i punonjësve përmes Agna Leadership Akademi. Kjo ka ndihmuar shumë në rritjen profesionale të punonjësve, çka ka dhënë rezultatet e veta në treg.
Duke parë ecurinë e tregut, për herë të parë në Shqipëri, risi për vitin 2015 ishin paketimet e reja të Pepsi, IVI, 7UP duke ofruar +250 ml dhuratë; kjo u bë e mundur falë investimeve teknologjike në fabrikën e botilimit dhe prodhimit në Glinë. Këto janë paketime unike, që nuk i ka konkurrenti dhe vijnë për herë të parë në Shqipëri.
Një tjetër avantazh në tregun e pijeve freskuese janë gjithashtu edhe shijet: IVI ricoco, IVI pjeshkë dhe IVI portokall pa gaz të cilat janë tepër të suksesshme në treg.
Duke pasur përherë prioritet klientin, ne zhvillojmë studime tregu në mënyrë që të njihemi me kërkesat e tregut dhe të sjellim pranë konsumatorit produkte të një cilësie të lartë dhe çmime konkurruese.
Produktet që tregtojmë janë të një game të gjerë duke mbuluar çdo kategori si: ushqime dhe snack, produkte të ngrira dhe akullore, ujë, pije freskuese, lëngje frutash, birra, pije energjike, pije alkoolike, detergjentë, etj.
Duke qenë se kompania juaj është e fokusuar në retail, sa ka ndikuar ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe konsumit në vend në ecurinë e grupit?
Vështirësitë e tregut dhe ngurtësimi i shpenzimeve të konsumatorëve, pa diskutim që përbëjnë sfida të vazhdueshme, por kompania bën përpjekje përmes një organizimi më të mirë, trajnimeve të vazhdueshme, projekteve kërkimore rreth konsumatorëve dhe klientëve, që të përballojë sfidat e biznesit. Një rol të rëndësishëm luan edhe fakti se portofoli i Agna Group përbëhet nga brande të mirënjohura ndërkombëtare dhe lokale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.