Flet Gjergj Buxhuku, administrator i “Konfindustria”
Cili është parashikimi juaj në lidhje me ecurinë që do të mund të ketë ekonomia shqiptare gjatë 2016-s?
Viti 2016, sipas gjithë pritshmërive, parashikohet të jetë i vështirë për ekonominë shqiptare. Nëse zhvillimet ekonomike europiane dhe globale nuk do të shkojnë kah përmirësimit (dhe mesa duket do të jetë kështu për vitin e ardhshëm) nuk mund të shpresohet për ecuri pozitive në ekonominë shqiptare. Për më shumë, edhe nëse pranojmë se gjendja e tregjeve ndërkombëtare do të jetë e njëjtë me vitin 2015, ekonomia shqiptare do të dobësohet më tej në vitin e ardhshëm.
Kjo për shkak të problematikave të rënduara, të brendshme, strukturore të sistemit ekonomik, financiar, që rëndohen edhe më shumë nga politikat e gabuara fiskale që po ndiqen në vazhdimësi.
Si e parashikoni mjedisin e të bërit biznes gjatë 2016-s?
Ndryshimet e shpeshta dhe thelbësore në politikat fiskale i kanë tronditur ndjeshëm nismat sipërmarrëse. Kjo ka vlerë negative për gjithë mjedisin e të bërit biznes. Aq më shumë që në paketat fiskale të 3 viteve të fundit shohim jo vetëm rritje të pandalshme të barrës tatimore, por edhe shtim të llojeve të taksave të reja.
Mbi të gjitha, problematike dhe me pasoja shkatërrimtare për biznesin është dhe thellimi i tejskajshëm i ndryshimit ligjor të detyrimeve fiskale për kategorinë e të ashtuquajturve biznes “i madh” dhe “i vogël”. Kulmi ishte pikërisht përjashtimi dhe/ose ulja e tatimfitimit për biznesin “e vogël” në paketën fiskale 2016.
Në opinionin tuaj, çfarë efekti do të kenë masat kundër informalitetit?
Praktikisht, brenda më pak se 4 muajsh u kalua nga nisma e shtatorit për formalizimin e ekonomisë në legjitimimin e tij, nëpërmjet përjashtimit nga tatim fitimi i biznesit të vogël në Paketën Fiskale 2016. Bizneset do të priren të copëtojnë artificialisht aktivitetin për të përfituar privilegjet e kategorive të biznesit të vogël, në të kundërt rrezikojnë deri falimentin. Pasojat parashikohen të rënda për ekonominë, fiskun dhe biznesin në tërësi, përfshi dhe investimet e vendit dhe sidomos të huaja.
Gjithnjë e më shumë po flitet për nevojën e një modelimi të ri ekonomik, teksa burimet e deritanishme të rritjes po shterojnë. Cili është rekomandimi juaj, ku dhe si duhet të përqendrohet qeveria?
Mendoj, se të paktën deri në periudhën afatmesme, Shqipëria duhet të ketë nevojë vetëm për një kryereformë strukturore: Ndalimin e daljes së paarsyeshme të parave të shqiptarëve jashtë vendit. Ky është ‘kanceri’ i vërtetë i ekonomisë shqiptare.
Gjergj Buxhuku: Shqipëria duhet të ketë nevojë vetëm për një kryereformë strukturore: Ndalimin e daljes së paarsyeshme të parave të shqiptarëve jashtë vendit
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.