Flet Z. Frédéric BLANC, drejtor ekzekutiv i Societe Generale Albania
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe bankës tuaj në 2016?
Performanca e sistemit bankar në Shqipëri ishte shumë e qëndrueshme në vitin 2016. Duke pasur parasysh rreziqet e vazhdueshme si informaliteti, ndikimin e reformave të papërfunduara të sistemit ligjor si dhe transparencën në aktivitetin e institucioneve publike, bankat kanë regjistruar në bilancet e tyre një vit të vështirë, por të suksesshëm.
Banka jonë në një mjedis të tillë ka treguar gatishmëri konkrete, duke qenë ndër mbështetësit më të mirë të rritjes së kredisë në vend, duke mbeshtetur ekonominë shqiptare në të dy kahet: kompanitë, në nevojat për likuiditet dhe investime dhe individët në planet dhe kapacitetet konsumatore. Kjo, e kombinuar me elasticitetin e lartë ndaj rasteve që u paraqitën me risk, i ka vënë një theks të veçantë suksesit të vitit të kaluar të Societe Generale Albania.
Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2017?
Planet dhe pritshmëritë tona janë për të vazhduar një rritje stabël dhe të qëndrueshme të të gjithë treguesve bankarë. Ne do të vazhdojmë me një përqasje më të balancuar midis depozitave e kredive të individëve dhe korporatave, duke u fokusuar veçanërisht në përmirësimin dhe zgjerimin e gamës së shërbimeve tona. Kjo do të ndikohet gjithashtu dhe nga inovacioni, veçanërisht në fushën dixhitale, ku grupi ynë dhe SGAL ka përqendruar përpjekjet dhe investimet. Ne besojmë se faktorët e sipërpërmendur, të lidhura me rritjen e presioni mbi marzhin dhe kostot do të jenë një sfidë shumë më e madhe për bankat në vitin aktual.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për rritjen e kredisë në sektorin bankar dhe bankën tuaj dhe faktorët që do të ndikojnë?
Societe Generale Albania vazhdon strategjinë e rritjes së qëndrueshme duke reflektuar pritshmëritë e rritjes së ekonomisë shqiptare. Si një vit elektoral, një ngadalësim i aktivitetit mund të jetë i dukshëm përgjatë vitit, që ne do të përpiqemi ta trajtojmë dhe kuptojmë si sezonal. Ne do të fokusohemi veçanërisht në sektorët ku shohim potencial të qëndrueshëm rritjeje, si ato tradicionale dhe ato të lidhura me zhvillimet e avancuara në agro-biznes ose energji, përfshirë eficiencën e energjisë. Fuqia konsumatore, e mbështetur direkt dhe indirekt nga realizimi i buxhetit, ndërkohë që investimet e huaja janë ende të kufizuara, do të bëjë që rritja tek individët të jetë me një ritëm shumë më të shpejtë sesa për korporatat.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Gent Sejko në një intervistë të fundit për Monitor ka shprehur shqetësimin për nivelin e lartë të euroizimit të vendit dhe ka deklaruar se po hartojnë një plan së bashku me Ministrinë e Financave për të dekurajuar përdorimin e euros. Po ju sa problematik e shikoni euroizimin dhe çfarë masash propozoni për të ulur përdorimin e euros në vend?
Kjo çështje në Shqipëri vjen dukshëm në axhendë në mënyre periodike, një herë në 4-5 vjet. Argumentet pro dhe kundër kësaj çështjeje varen nga perspektiva që i sheh. Në të gjitha rastet, duke qenë një kompani anëtare besnike lokale e Rrjetit Global Ndërkombëtar ne jemi në përputhje me ritmin e rregullimit të politikës monetare të përshtatshme për të stimuluar ekonominë lokale në mënyrë që të mbrohemi në afatin e shkurtër nga shtrembërimet e konkurrencës.
Inflacioni mbetet kërcënimi kryesor për autoritetet vendase rregullatorë dhe mekanizimi i mundshëm i kursit të këmbimit mund të jetë një mjet i kombinuar.
Cilat janë sfidat me të cilat sistemi bankar do të përballet në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Tradicionalisht, ujërat e turbullta në rajon gjithmonë e ndikojnë sistemin bankar nga pikëpamja gjeopolitike. Sfida tjetër e madhe është realiteti i një vendi që po ecën më shpejt sesa pritej në dixhitalizim dhe në mënyrë automatike kjo ndryshon industrinë tonë në mbarë botën. Kjo po ndodh me shpejtësi edhe në Shqipëri, i përqafuar nga tregu dhe i orientuar kryesish nga pranimi masiv i klientëve. Në anën tjetër të këtij zhvillimi dixhital ne kemi kujdesin real të lidhur me nivelin e NPL-ve, dhe reformat në tërësi që po e çojnë vendin drejt Bashkimit Europian. Kapaciteti investues për të lehtësuar ose mbuluar këto nevoja e karakteristika të tregut dhe për të kapërcyer hendekun në kthimin e oreksit të aksionerëve do të vijojë të jetë në afatin e mesëm sfida kryesore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.