Viti 0 në financa

07/03/2020 12:22 PM 0 komente

Pas amnistisë së 2.7 miliardë eurove pritet revolucion fiskal

Qeveria e Shqipërisë synon ta shndërrojë 2020-n në vitin 0 në financa. Projekti i Amnistisë së Fiskale, më i madhi i ndërmarrë deri tani, synon të amnistojë kapitalet e padeklaruara të biznesit dhe të ardhurat e individëve, kundrejt një taksimi 3-5%. Do të zerohen borxhet tatimore të biznesit dhe individëve. Studimi i ri për informalitetin zbulon 2,7 miliardë euro në ekonominë gri. Ministria e Financave lajmëron se, pas amnistisë do të aplikohet një politikë krejt e re fiskale dhe një administrim tjetër i taksave. Ja skema si e mbartin evazionin në bilance bizneset. Rreziku i amnistimit të parave të krimit. Pse është pothuajse e pamundur amnistia e emigrantëve

 

Blerina Hoxha

Bizneset në të gjithë vendin po e mirëpresin amnistinë fiskale për kapitalin dhe borxhet tatimore të propozuara javën e kaluar nga qeveria. Amnistia do të mundësojë pastrimin e bilanceve nga borxhet fiktive që kamuflohen në bilancet zyrtare të kompanive si “detyrime të tjera të pagueshme”.

Kjo lloj mënyre e akomodimit të evazionit e ka përkeqësuar artificialisht levën financiare të bizneseve, duke bërë që qindra kompani në vendin tonë të vijojnë aktivitetin me borxhe, vlera e të cilave e kalon disa herë kapitalin. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, projekti i amnistisë fiskale parashikon të legalizojë kapitalet dhe të ardhurat e individëve kundrejt një tatimi 3-5%, të falë borxhet e bizneseve dhe të çlirojë gati 90 mijë biznese nga regjistri pasiv e mijëra individë nga detyrimet tatimore.

Amnistia do të jetë më gjithëpërfshirësja e ndërmarrë deri më tani dhe do t’i paraprijë një politike krejt të re fiskale, që është bërë gati gjatë fundit të 2019-s në bashkëpunim me FMN-në. Amnistia fiskale, e cila pritet të përmbyllet brenda këtij viti, synon t’i hapë rrugë një legjislacioni krejt të ri fiskal, që do të prezantohet vitin tjetër në një paketë fiskale afatmesme, e cila do të hyjë në fuqi në janar të vitit 2021. Ligji për amnistinë fiskale kërkon 84 vota , të cilat maxhoranca i zotëron, duke e bërë kështu projektin të realizueshëm.

 

Ekonomia gri, 2.7 miliardë euro

“EY Building a Beter Workingworld”, një lider global në çështjet që lidhen me taksat, ka bërë një studim për ekonominë informale të Shqipërisë. Studimi, që është prezantuar së fundmi, ka gjetur se pjesa e punësimit të paregjistruar informal në totalin e punësimit është pothuajse 40% për Shqipërinë në vitin 2017. Po kjo nuk nënkupton se njëjta situatë është edhe në ekonominë hije të Shqipërisë. Sipas vlerësimeve të EY, niveli i përgjithshëm i ekonomisë gri në Shqipëri arriti në 22.0 % e PBB-së ,shumë kjo e barabartë me 341.1 miliardë lekë 2.7 miliardë euro në vitin 2017. Nga të cilat 19.1% e PBB-së (297.0bn lekë) ishte e lidhur me pagesa të parave cash dhe 2.8% e PBB-së (44.2 miliardë lekë ekonomia hije në prodhim).

Komponenti pasiv (i cili mund të zvogëlohet përmes promovimit të pagesave elektronike) zë 57.1% të ekonomisë-hije të parave (10.9% të PBB-së, ose 164.5 miliardë lekë), ndërsa paratë që nuk mund të kalojnë në këtë sistem janë 8.2% të PBB-së, ose 148.1 miliardë lekë në Shqipëri në 2017. Reduktimi i ekonomisë së vendosur në hije mund të rrisë më tej rëndësinë e masave që adresojnë problemin e ekonomisë së hijes pasive.
Humbjet e vlerësuara të TVSH-së dhe Tatim Fitimit për shkak të ekzistencës së ekonomisë gri në Shqipëri në vitin 2017 arritën në 2.85% të PBB-së ose 44.3 miliardë lekë, nga të cilat 1.63% e PBB-së 25.3 miliardë lekë ishin të lidhura me ekonominë-hije pasive. Humbjet e TVSH-së arritën në 2.11% të PBB-së (24.2% të totalit të të hyrave të TVSH-së të mbledhura) dhe të hyrat e humbura të Tatimit mbi Fitimin u vlerësuan në 0.75% të PBB-së (35.7% të të ardhurave totale të mbledhura nga CIT).

 

BURIMI: BANKA E SHQIPËRISË (EY)

 

Si do të ndahen paratë e krimit nga evazioni

Ministria e Financave do të aplikojë amnistinë fiskale në bazë të vullnetarizmit. Kjo do të thotë se të gjitha bizneset dhe individët që mendojnë se duhet të përfitojnë nga ky proces, duhet të vetëdeklarohen. Pasi të kenë bërë vetëdeklarimin, ligji për amnistinë do të ngrejë komisione të posaçme me referenca ligjore për të verifikuar origjinën e të ardhurave dhe kapitaleve që do të amnistohen, nëse kërkesa për amnisti nuk përfshin të ardhura që janë krijuar nga aktivitete të ligjshme. Por ekspertët ekonomisë dhe bizneset hedhin dyshimin se do të bëhet ky verifikim. Kryetari i Dhomë së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, kërkon që drafti i qeverisë duhet të ndajë në mënyrë të qartë paratë e krimit nga evazioni fiskal. Sipas tij, nëse nuk do të vendosen filtrat për të mos legalizuar paratë e krimit, atëherë do të konkurrohen në mënyrë të pandershme bizneset e ligjshme në Shqipëri. Në këtë rast, amnistia do t’i hapte rrugë legalizimit të ekonomisë së krimit.

 

Nikolin Jaka

Drafti i qeverisë duhet të ndajë në mënyrë të qartë paratë e krimit nga evazioni fiskal.Nëse nuk do të vendosen filtrat për të mos legalizuar paratë e krimit, atëherë do të konkurrohen në mënyrë të pandershme bizneset e ligjshme në Shqipëri. Në këtë rast, amnistia do t’i hapte rrugë legalizimit të ekonomisë së krimit

 

Pas amnistisë, revolucion fiskal

Kjo amnisti po aplikohet për t’i hapur rrugë një politike të re fiskale që do të ndiqet në tre vitet në vijim. Në fund të vitit të kaluar, qeveria shqiptare në bashkëpunim me FMN-në ka përgatitur një strategji të re për politikat fiskale, të cilat do të ndryshojnë tërësisht bashkë me mënyrën se si bëhet administrimi fiskal. Burimet nga Ministria e Financave shpjegojnë se kjo politikë fiskale afatmesme synon që të rrisë të ardhurat në raport me PBB-në në 30 për qind, nga rreth 27 që është aktualisht, niveli më i ulët në Europë. Mirëpo, që kjo politikë e re fiskale të funksionojë, qeveria e Shqipërisë mendon të nisë një vit zero në sistemin fiskal, ku pas amnistisë fiskale është bërë gati të aplikojë një model të ri taksimi. Mirëpo këto projekte rrezikojnë të jetësohen për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, që do të mbahen gjatë vitit të ardhshëm.

 

BURIMI: BANKA E SHQIPËRISË (EY)

 

Skema, ja si e kanë kamufluar evazionin bizneset në bilance

Një nga kompanitë e njohura në vend në sektorin e tregtisë për ndriçues, pajisje hidraulike dhe elektrike, i ka borxhet në bilancin e 2018-s gati 7 herë më të larta se kapitali. Borxhet që arrijnë vlerën e 10 milionë eurove, në masën 90 për qind nuk janë detyrime ndaj bankave, por raportohen nën zërin “të tjera të pagueshme”, ndërsa kapitali i kompanisë është vetëm 1,5 milionë euro. Teorikisht, kompania duhet të kishte shpallur falimentin pasi me një ekonomi me rregulla, kur borxhet janë mbi 1.5-2 herë më të larta se kapitali, aktiviteti bëhet i pamundur.

Por në rastin e Shqipërisë, kjo teori nuk gjen zbatim për të paktën 50 për qind të 200 bizneseve të mëdha, për të cilat Qendra e Kërkimeve “Monitor”, verifikoi në vitin 2014 se kishin borxhe shumë herë më të larta se kapitali në bilancet zyrtare. Ekonomistët shpjegojnë se akumulimi i lartë e detyrimeve ndaj të tretëve është pikërisht zëri, që në një masë të madhe tregon evazionin fiskal, i cili në bilance raportohet si borxh. Të ardhurat që janë siguruar nga kompanitë prej mosfaturimit ose deklarimit më të ulët të çmimit të shitjeve, janë raportuar në bilanc si hua nga tretët.

Kontabilisti Ahmet Gjinishi shpjegon se borxhet ndaj të tretëve në bilancet e kompanive në pjesën dërrmuese të tyre është evazioni fiskal.
Në përpjekje për të paguar më pak taksa, ka biznese që kanë rritur fiktivisht detyrimet, si përmes fryrjes së faturave, ashtu dhe huave fiktive nga ortakët apo të tretët. Rudina Malaj, ekonomiste në disa kompani në fushën e tregtisë, shpjegon se disa kompani, kryesisht ato që punonin me mall të importuar dhe që e kishin të pamundur që në vendin e origjinës të “rregullonin” vlerën e mallit, pasi deklaronin në tatime fatura shitjeje malli me çmim më të ulët se ajo që realisht shisnin (me qëllim që të shmangnin detyrime të tilla si TVSH apo Tatim Fitimi) përfundonin me pasqyra financiare të mbifryra artificialisht në zërin e detyrimeve.

Ekonomistët e firmave pohojnë se një tjetër manovër e bizneseve që ka rritur detyrimet në mënyrë fiktive është marrja e huave fiktive nga ortakët apo të afërmit për të mbuluar të hyrat e pajustifikuara në arkë (të krijuara p.sh. nga diferencat e çmimeve reale me ato të raportuara, me synim shmangien e TVSH-së). Ndonëse kjo sa vjen e bëhet më e vështirë për shkak të uljes së kufirit të transaksioneve që kryhen përmes bankave, detyrimet fiktive në bilancet e kompanive po kthehen në një gangrenë për shumë biznese, që po ndërgjegjësohen se tashmë po u kushton më shumë të mbajnë këto bilance të fryra.

Ky evazion pritet të legalizohet nga Qeveria e Shqipërisë sipas një nisme për amnisti të kapitaleve që ka propozuar kryeministri Edi Rama gjatë kongresit të Partisë Socialiste në ditët e fundit të muajit shkurt.

 

Projekti për amnistinë, 3% tatim për kapitalin, 5% për individët

Burimet nga Ministria e Financave pohuan se, propozimet për draftin janë ende në fillesa, por po diskutohet legalizim i kapitaleve, ku përfshihen edhe të ardhurat e individëve dhe bizneseve brenda dhe jashtë vendit kundrejt një taksimi prej 3% për kapitalin dhe 5 % mbi të ardhurat e individëve. Drafti, i cili do të hartohet me ndihmën edhe të ekspertëve dhe grupeve të interesit jashtë qeverisë, pritet të kalojë në një bazë të gjerë konsultimi. Të njëjtat burime njoftojnë se Ligji për Amnistinë e kapitalit, më e madhja e ndërmarrë deri më sot, pritet të hyjë në fuqi në gjysmën e dytë të vitit dhe të shtrihet në disa faza edhe përgjatë vitit 2021, duke përkuar edhe me zgjedhjet e përgjithshme..

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, tha se biznesi ka 12 vite që kërkon amnistinë e kapitalit. Një tarifë 3 për qind, sipas tij, është e logjikshme, por ai tha se ky proces duhet të zhveshë nga amnistia paratë e krimit dhe personave dhe organizatave që janë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit (OFL).

Por kontabilistët shpjegojnë se ky proces është shumë i vështirë, pasi paratë e krimit tashmë po pastrohen në biznese të ligjshme. Mundësitë për të ndarë rrjedhat e parasë së krimit në një biznes të ligjshëm janë të pamundura. Penetrimi i parave të krimit te bizneset është bërë një fenomen i zakonshëm në Shqipëri, teksa Banka Qendrore vitin e kaluar në raportin e mbikëqyrjes vuri në dukje se llogaritë e fryra të biznesit në banka shpesh nuk justifikoheshin me burime të ligjshme.

Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka vënë në dukje se, gjatë vitit 2018 vihet re një dominim i treguesve si: transfertat e dyshimta, blerjet e pasurive të paluajtshme/luajtshme me burim të panjohur të fondeve, përdorimi i llogarisë individuale për qëllime biznesi me derdhjet e larta në para fizike, si dhe sponsorizime, dhurime, dhënie huaje nga për të tretë te biznesit që shpeshherë janë tentativa për pastrim parash nga krimi dhe korrupsioni.

Ministrja e Financave, Anila Denaj, tha se ende nuk mund të jepen detaje lidhur me nivelin e taksimit që do të zbatohet. Ajo tha se do të aplikohet një nivel i ulët taksimi, që do të mundësonte të mund të realizojë deklarimin e aseteve kundrejt realitetit dhe të ketë mundësi t’i japë një frymëmarrje edhe biznesit drejt formalizimit të tij, sidomos atyre të mesme dhe të mëdha drejt tregjeve të kapitalit, shpjegoi ajo. Ministrja Denaj tha se po merren referenca nga vendet e tjera. Ajo tha se kjo nismë do të përfshijë edhe ekspertë të huaj dhe do të jetë brenda standardeve ndërkombëtare.

“Natyrisht, ky është një proces që nuk ka nisur tani, jemi duke diskutuar me grupet tona teknike dhe më pas do të jepet si një propozim shumë shpejt edhe për grupet e interesit, por detajet do të mund t’i japim pasi të kemi në dorë një draft. Koha dhe elementë të tjerë gjithashtu do të jenë pjesë e diskutimeve dhe të këtij drafti, pasi është pak herët për të folur në këtë stad ku jemi aktualisht.
Për qeverinë shqiptare, formalizimi i ekonomisë është një prioritet për zhvillimin e saj, po kështu edhe forcimi i të gjitha masave që merren për të përmirësuar edhe barazinë mes bizneseve”, tha Denaj, në një deklaratë zyrtare në tentativë për ta sqaruar procesin.

Kryeministri Edi Rama që lajmëroi këtë proces tha se, amnistia do të jetë e përgjithshme për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit që të gjitha paratë, asetet t’i deklarojnë. “Paratë t’i fusin në banka dhe asetet t’i deklarojnë. Dhe jo një apo dy organizata të ngrihen, por bota mbarë të thotë kjo nuk bëhet, do të bëhet. Emigrantët shqiptarë nuk mundet të rrinë më, të mbajnë para me një mijë e një vështirësi dhe as nuk mund të torturohen t’i çojnë këtu se fillon pastrimi i parave”, tha kryeministri. Ai shtoi se, të gjithë ata që nuk i kanë bërë paratë me drogë, terrorizëm, prostitucion, me ato që parashikohen tek krimi special, ose të gjithë ata që janë politikanë, gjykatës, prokurorë, këta nuk mund të amnistohen.

 

Kompanitë VIP, të zhytura në borxhe

Qendra e Kërkimeve “Monitor” ka përpunuar të dhënat e bilanceve të vitit 2013 për 200 kompanitë më të mëdha sipas qarkullimit vjetor (përjashtuar institucionet financiare) të dorëzuara në QKR dhe ka nxjerrë treguesin e detyrimeve mbi kapitalin, që tregon se sa pjesë e aktivitetit financohet nga fondet e vetë kompanisë dhe sa me borxhe.

Nga përpunimi i të dhënave rezulton se nga 200 kompanitë më të mëdha sipas qarkullimit vjetor (përjashtuar institucionet financiare), 51% kanë një raport të detyrimeve ndaj kapitalit më të lartë se 1.5, sa është dhe kufiri maksimal, ku një sipërmarrje vlerësohet se ka aktivitet të qëndrueshëm. 4% e kompanive janë me kapital negativ, ndërsa pjesa tjetër e ka këtë tregues të qëndrueshëm. Kompanitë me nivel të lartë detyrimesh në raport me kapitalin janë ato të tregtisë, sektorit të hidrokarbureve, por edhe kompani të ndërtimit.

Në vitin 2014 ishin së paku 8 kompani në listën e 200 më të mëdhenjve sipas xhiros me kapital negativ, të krijuar si rrjedhojë e kalimit të humbjeve në kapital.

Raporti optimal i borxhit ndaj kapitalit konsiderohet të jetë 1, pra detyrimet-kapitalin, por ky raport është shumë i varur nga industria specifike, sepse varet nga përbërja e aktive korente dhe jo korente. Sa më shumë aktive jo korente (si industritë me kapital intensiv), aq më shumë kapital kërkohet për të financuar këto investime afatgjata.

Për pjesën më të madhe të kompanive, raporti i pranueshëm maksimal i detyrimeve ndaj kapitalit është maksimumi 1.5-2.

Për kompanitë e mëdha publike, ky raport mund të jetë më shumë se dy, por për pjesën më të madhe të kompanive të mesme dhe të vogla, kjo nuk është e pranueshme.

Kompanitë e vendeve të zhvilluara (SHBA, Europë etj.) kanë një raport prej 1.5.

Fondet e aksionerëve (pronarëve) përfaqësojnë një burim të përhershëm të financimit dhe detyrimet afatshkurtra (që duhen paguar brenda një viti) janë një burim afatshkurtër i financimit të kompanisë. Mes këtyre dy ekstremeve është një burim i tretë financimi borxhi afatgjatë (më shumë se një vit)

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of