Estela Koçi, Administratore e Përgjithshme Credins Invest
Numri i atyre që po informohen mbi mënyrën sesi funksionojnë fondet e investimit po vjen në rritje nga viti në vit duke shërbyer si një bazë e mirë për zhvillimin e përgjithshëm të tregjeve financiare dhe segmenteve të caktuara brenda tyre. Nga ana tjetër fondet kanë qenë aktivë për të investuar në instrumente që kanë siguri dhe një kthim relativisht të mirë për anëtarët për të garantuar një marrëdhënie afatgjatë.
Estela Koçi, Administratore e Përgjithshme Credins Invest, shprehet se në kushtet e mungesës së një tregu kapitali të mirëfilltë në Shqipëri, që është në hapat e para të ngritjes, alternativa e vetme janë titujt e borxhit të qeverisë. Gjithsesi, ajo nënvizon se zhvillimet te fondet pritet të jenë pozitive, duke qenë se viti 2019 ka nisur me një dinamikë më pozitive sesa viti i shkuar.
Si e vlerësoni ecurinë e fondeve të investimit gjatë vitit 2018 për fondin tuaj dhe për tregun në përgjithësi?
Shoqëria Credins Invest ka nën administrim Fondin e Investimit Credins Premium, i licencuar në gusht të vitit 2016, dhe i denominuar në monedhën Lek. Vetë Shoqëria Administruese është licencuar në vitin 2011 dhe ka nën administrim edhe Fondin e Pensionit Vullnetar “Credins Pension”, me një numër prej mbi 15,000 anëtarësh në fund të 2018-s ose rreth 60% të tregut të pensioneve vullnetare.
Fondi i investimit Credins Premium, gjatë vitit 2018 rriti vlerën e aseteve me mbi 1 miliard lekë, pra e dyfishoi atë, paralelisht u dyfishua dhe numri i investitorëve krahasuar me fundin e vitit 2017. Gjithashtu, edhe pjesa e tregut që zë Credins Premium është rritur krahasimisht me një vit më parë.
Fakti që prej kohësh, norma bazë e interesit që përcaktohet nga Banka e Shqipërisë është në nivele shumë të ulëta, ka bërë që bankat të ulin interesat e depozitave dhe individët të kërkojnë alternativa të tjera më fitimprurëse për kursimin e parave të tyre.
Këto karakteristika pozitive të Fondit shoqërohen nga një risk i ulët dhe kjo është shumë e rëndësishme ende për nivelin e pranimit të riskut të investitorit shqiptar. Risku i ulët lidhet me politikën e investimit, që është mbi 90% në tituj të emetuar dhe garantuar nga qeveria shqiptare, bono dhe obligacione thesari.
Diçka shumë pozitive që vihet re nga viti në vit është që ka gjithnjë e më shumë investitorë shqiptarë të informuar mbi fondet e investimit dhe përfitimet që sjell ky produkt mjaft fleksibël. Mekanizmi mbi të cilin ndërtohet fondi është administrimi dhe investimi i parasë nga profesionistë dhe investitori ka mundësinë ta “delegojë” këtë, gjë që i jep lehtësi dhe përfitueshmëri më të lartë. Me këtë po edukohen investitorët tashmë dhe kjo është një arritje për t’u përmendur për nivelin e besimit dhe kulturës financiare që ka tregu shqiptar sot.
Cilat janë zhvillimet që u vunë re gjatë vitit të kaluar në këtë treg, arsyet e uljes me 9.12% të vlerës neto të aseteve në raport me 2017 si dhe rënies së numrit të anëtarëve?
Në gjykimin tim, tregu i fondeve të investimit gjatë vitit 2018 ka pasur zhvillime pozitive. Është zgjeruar tregu me licencimin e një shoqërie të re administruese, si dhe fondeve të reja të investimit, që mundësojnë diversifikim për investitorët.
Fondi Credins Premium, gjatë vitit, ka pasur vetëm rritje kuotash neto (blerje – shitje kuotash), ku gjatë tre tremujorëve të parë, rritja neto ka qenë mesatarisht 200 milionë lekë çdo 3-mujor, dhe në 3-mujorin e katërt, rritja e vlerës neto të aseteve ka qenë afërsisht 400 milionë lekë.
Fondet në tërësi kanë epërsi likuiditetin e lartë dhe kjo i bën më të aksesueshëm e më fleksibël se produktet tradicionale të kursimit që kanë një maturitet të caktuar dhe kosto e penalitete në dalje apo shitje. Si të tilla, fondet kanë edhe luhatshmëri të lartë, kjo është karakteristika kryesore e tyre. Rënia e tregut me rreth 9%, krahasuar me një vit më parë, jo domosdoshmërisht duhet parë si tregues negativ, por duhet të shihet edhe si tregues i dinamikës së këtyre fondeve.
Cilët janë faktorët që sipas jush kufizojnë rritjen e fondeve, duke e lidhur këtë me edukimin financiar apo elemente të tjera të ngjashme?
Ka disa faktorë që ndikojnë në zhvillimin e tregut të sipërmarrjeve të investimeve kolektive në Shqipëri, i cili është ende në fillesa, duke konsideruar numrin e fondeve, asetet nën menaxhim që janë sa 5.6% e tregut të depozitave, si dhe politikat e investimit që ofrojnë fondet ekzistuese.
Niveli i edukimit financiar të publikut është ende i ulët, gjë që kombinohet edhe me mungesën e besimit. Individët kanë pak ose aspak informacion rreth fondeve si alternativë kursimi dhe mënyrës se si funksionojnë, duke e trajtuar ende si depozitë me maturitet të caktuar e me normë fikse. Ajo për të cilën përpiqemi shumë ne si aktorë tregu, është pikërisht informimi sa më i saktë dhe transparenca në sqarimin e të gjitha tipareve të fondeve.
Individi duhet të jetë i qartë se kur derdh para në fond bëhet zotërues i kuotave, e për këtë konsiderohet edhe “aksioner” i fondit. Gjithashtu, individi duhet të informohet se ku do të investohen paratë e tij, dhe duhet të dijë se çmimi i kuotës është i luhatshëm në varësi të ecurisë së investimeve, gjë që përcakton edhe nivelin e riskut që investitori merr përsipër kur investon në fond.
Procesi i edukimit financiar të publikut është proces i vazhdueshëm dhe afatgjatë dhe përfshin shumë aktorë të rëndësishëm, si operatorët në treg, rregullatorët dhe institucionet e arsimit.
Detyra jonë si administratorë fondesh është të maksimizojmë kthimin për investitorin, duke ruajtur vlerën dhe duke mbajtur likuiditete të mjaftueshme për të mundësuar tiparin kryesor të fondit: likuiditetin. Gjithashtu, duhet të krijojmë mjaftueshëm alternativa përmes fondeve për t’ua përshtatur kërkesave e profileve të ndryshme të investitorëve.
Për ne, nuk është edukimi financiar pengesa kryesore, por hapësirat për të investuar fondet. Legjislacioni aktual ka mjaft kufizime për sa u përket investimeve të lejuara të fondeve të investimit. Ne si Shoqëri Administruese jemi pajisur me licencë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për të administruar sipërmarrje investimesh kolektive, dhe jo të kufizuar në numër, pikërisht për t’u ofruar investitorëve alternativa të ndryshme në varësi të riskut që ata marrin përsipër dhe kthimit që kërkojnë.
Në kushtet e mungesës së tregut të kapitalit në Shqipëri edhe mundësitë e investimit janë të limituara në vetëm tituj borxhi qeveritarë (bono dhe obligacione thesari), që janë kryesisht të përshtatshëm për investitorët konservatorë dhe që nuk e pranojnë riskun më të lartë.
Ne mirëpresim çdo zhvillim të ri të Bursës Shqiptare të Titujve, që do të na hapë mundësi të reja të investimit dhe licencimit të fondeve të diversifikuara. Me licencimin e Regjistrarit të Titujve nga AMF dhe Banka e Shqipërisë, shpresojmë të fillojë tregtimi i obligacioneve korporative dhe në një të ardhme, edhe listimi i aksioneve të korporatave.
Si e prisni vitin 2019, duke pasur parasysh ecurinë e muajve të parë?
Fondi Credins Premium e mbylli tremujorin e parë me një rritje mbi 900 milionë lekë, krahasuar me fundin e vitit 2018, gjë që rikonfirmon rritjen e vazhdueshme dhe progresive. Rritja përfshin klientë të rinj, por edhe mjaft klientë ekzistues. Numri i investitorëve në fondet e investimit parashikoj që do të jetë në rritje të vazhdueshme, pasi aktualisht është alternativa më e mirë dhe më fleksibël e investimit, si për individët, ashtu edhe për investitorët institucionalë. Por këta të fundit duhet të përditësojnë rregulloret e tyre të investimit për të parashikuar edhe këtë alternativë relativisht të re në politikat e tyre të brendshme, në linjë me ecurinë aktuale të legjislacionit financiar dhe pjekurinë e konfirmuar nga shoqëritë administruese.
Vit pas viti, numri i investitorëve që e provojnë fondin si një alternativë kursimi financiar do të vijë duke u rritur, dhe tregu i fondeve të investimit nuk do të jetë më një përqindje e ulët e tregut financiar, por do të ketë pjesën që i takon si në vendet e zhvilluara.
Thirrja drejtuar individëve çdo ditë në punën tonë është që të informohen siç duhet mbi fondet e investimit, informacioni nuk ka kosto. Dhe më pas ta provojnë investimin në fond, duke pasur mundësinë edhe të investimit të shumave të vogla në formën e një plani kursimi mujor. Vetëm duke e provuar dhe duke e ndjekur në vazhdimësi, kupton më mirë tiparet e produktit dhe mënyrën si funksionojnë fondet.
Ka një draft-ligj “Për sipërmarrjet kolektive”, që është në konsultim, keni dijeni për të dhe a mund të kemi një opinion të përgjithshëm tuajin mbi atë çfarë sjell ky draft i ri?
Ligji aktual Nr. 10198 “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” daton në dhjetor 2009. Tashmë është domosdoshmëri që ky ligj të përditësohet dhe të jetë sa më afër standardit të menaxhimit të SIK-eve në vendet e zhvilluara. Ne si operatorë të tregut jemi përfshirë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, duke dhënë opinionet tona të drejtpërdrejta për aspekte të ndryshme të draft-ligjit, si dhe duke u bërë pjesë e grupeve të punës të iniciuara nga AMF për hartimin e draft-ligjit.
Ndryshimet kryesore kanë të bëjnë me tipet e reja të fondeve, të cilat nuk i parashikon ligji aktual, gjë që do të mundësojë funksionimin e fondeve më moderne e të sofistikuara, duke krijuar diversifikimin e munguar në tregun shqiptar. Gjithashtu, draft-ligji ka si synim përputhshmërinë me direktivat e Bashkimit Europian për menaxhimin e fondeve, duke adresuar mungesat e legjislacionit aktual, Draft-ligji specifikon karakteristikat e çdo tip fondi, duke futur nocione të reja për tregun tonë, si fondet ombrellë, apo edhe fondet master/feeder, si dhe parashikon edhe menaxhimin ndërkombëtar të fondeve dhe depozitarëve të fondeve.
Draft-ligji është ndërtuar me frymën për të përgatitur tregun e fondeve të investimit, për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Zhvillimet e legjislacionit janë veçse pozitive, ndonëse do të marrin kohën e duhur deri në zbatimin e tyre në treg, pasi nuk reflektojnë stadin aktual të integrimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.