Viti 2020 forcoi besimin te tregu, por jo ndërgjegjësimin e qytetarëve për t’u siguruar

29/01/2021 10:02 PM 0 komente

Intervistë me Dritan Çelaj, drejtor i përgjithshëm i shoqërisë së sigurimeve Atlantik

 

As viti 2020 nuk solli rritje të ndërgjegjësimit të shqiptarëve rreth nevojës për të qenë të siguruar. Dritan Çelaj, drejtor i përgjithshëm i kompanisë së sigurimeve Atlantik, thotë që, megjithëse kompanitë e sigurimeve u provuan të besueshme dhe korrekte në shlyerjen e dëmeve të tërmetit, nuk pati rritje të sigurimit të pronave nga fatkeqësitë.

Sipas tij, rritja e numrit të sigurimeve të detyrueshme është e domosdoshme për të siguruar një jetesë normale dhe për të mbrojtur interesat ekonomike të qytetarëve.

 

Si do ta vlerësonit performancën e tregut të sigurimeve gjatë vitit 2020? Sa u ndien pasojat e krizës dhe në cilat drejtime ato ishin më të prekshme?

Tregu i sigurimeve gjatë vitit 2020 u ndikua nga dy faktorë madhorë, tërmeti i fundit të nëntorit 2019 dhe pandemia e Covid-19. Efektet financiare të tërmetit u shtrinë kryesisht në vitin 2020 dhe provuan aftësinë e kompanive të sigurimeve për t’iu shërbyer të siguruarve në korrektësi, edhe në rastin e një katastrofe natyrore me faturë të lartë dëmesh.

Megjithëse ngjarja dëshmoi aftësinë dhe gatishmërinë paguese të kompanive, fatkeqësisht ajo nuk solli një rritje të ndërgjegjësimit të publikut rreth rëndësisë së sigurimit.

As gjatë vitit, numri i kontratave të sigurimit të fatkeqësive natyrore nuk u rrit dhe mbeti kryesisht i lidhur me sigurimin e pronave të lëna si kolateral për kreditë bankare.

Edhe pandemia ishte një ngjarje me ndikim të konsiderueshëm për tregun. Mbyllja dhe kufizimi i aktiviteteve sociale dhe ekonomike ka sjellë rënie të primeve shkruara me rreth 5% në nivel industrie. Megjithatë, edhe në raport me pandeminë, tregu i sigurimeve provoi besueshmërinë e vet, sepse ka vazhduar t’u përgjigjet detyrimeve të veta gjatë kohës, edhe në momentet më të vështira.

E rëndësishme është që ne kemi fituar besim të shtuar te konsumatorët. Pavarësisht se ndonjëherë krijohet një imazh jo shumë pozitiv, mund t’ju them se koha e trajtimit të dëmeve për sigurimet shëndetësore dhe materiale është ndër më të shkurtrat në Europë.

Por, duhet pasur parasysh se këto janë procese që kërkojnë kohën e tyre, të parashikuar edhe në ligj. Shlyerja e dëmit nuk është një proces automatik, por një proces vlerësimi dhe kompanitë e sigurimeve monitorohen dhe mbikëqyren për mënyrën sesi bëhen përllogaritjet. Ne jemi ndoshta kompania që ka më pak çështje gjyqësore dhe përpiqemi gjithmonë të gjejmë zgjidhje në mirëkuptim me klientët tanë.

 

Projekti për një skemë të detyrueshme të sigurimit të fatkeqësive duket se ka ngecur. Cili mund të jetë një model për t’u ndjekur në këtë drejtim?

Ka disa modele. Është një propozim i Bankës Botërore, ku kompanitë kanë kryesisht një rol agjenti dhe gjithë produkti risigurohet. Ne sidoqoftë jemi të gatshëm të përshtatemi me formulën që institucionet e gjykojnë më të arsyeshme dhe që mbështeten në përvojat më të mira botërore. Qëllimi, në fund të fundit, është t’i shërbejmë sa më mirë publikut në rast të një katastrofe natyrore.

 

Cilat janë problematikat kryesore të tregut dhe si mendoni që mund të adresohen nga institucionet vendimmarrëse?

Problem në treg mbetet numri i madh i mjeteve të pasiguruara. Industria jonë mbështetet në ligjin e numrave të mëdhenj. Ne sigurojmë shumë individë dhe paguajmë një numër më të vogël, por që ka vlerë shumë të madhe. Nëse ky ekuilibër prishet, atëherë edhe skema nuk mund të funksionojë normalisht. Shteti duhet të bëjë rolin e arbitrit për të garantuar zbatimin e ligjit për sigurimin e detyrueshëm. Jemi në një situatë kritike, sepse ne vlerësojmë se rreth 21% e mjeteve janë të pasiguruara.

Probleme të këtij lloji në vendet e tjera janë zgjidhur me ligj. Austria dhe Bullgaria kanë miratuar ligje që parashikojnë se mjetet që nuk paguajnë ose rinovojnë siguracionin e detyrueshëm marrin një gjobë automatike nga sistemi, madje nëse rinovimi nuk bëhet brenda 15 ditëve, mjetet çregjistrohen automatikisht dhe bllokohen. Kjo siguron barazinë e shtetasve dhe nuk lejon që personat e siguruar të paguajnë edhe barrën të cilën e krijojnë personat e pasiguruar. Ne e kemi bërë këtë propozim për ndryshime në Kodin Rrugor dhe shpresojmë të merret parasysh. Përveç problemeve të tjera, mossigurimi shkakton edhe të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit nga taksa mbi primet.

Duhet të kuptojmë se sigurimet e detyrueshme nuk janë interes i kompanive të sigurimeve, por nevojë për një jetesë normale. Për shembull, sigurimi i hapësirave të përbashkëta të ndërtesave është i domosdoshëm. Veç dëmeve, kjo shpesh krijon edhe konflikte mes banorëve. Këto gjëra zgjidhen me ligj, në mënyrë që shoqëria të funksionojë normalisht. Përveç kësaj, duhet kontroll për sigurimin e atyre përgjegjësive të parashikuara në ligj, por që realisht nuk sigurohen dhe askush nuk i kontrollon.

 

Cilat do të jenë sfidat kryesore dhe faktorët që do të ndikojnë ecurinë e biznesit të sigurimeve në vitin 2021?

Ne shpresojmë që besimi i shtuar i konsumatorëve të reflektohet në ndërgjegjësimin rreth nevojës për të qenë të mbrojtur te prona dhe te shëndeti. Nga Shoqata e Siguruesve duhet një fushatë sensibilizimi dhe emancipimi, sepse nevoja për t’u siguruar është nevoja e një shoqërie vizionare.

 

Cilat janë pritshmëritë tuaja për ecurinë e ekonomisë shqiptare për vitin 2020? Prisni një rimëkëmbje të shpejtë apo vijimësi të ndjeshme të efekteve të krizës së pandemisë?

Besoj se pas pranverës do të kemi një përmirësim gradual të ekonomisë. Shqipëria është një ekonomi e lidhur me turizmin dhe besoj se tejkalimi gradual i emergjencës së pandemisë do të sjellë rritjen e flukseve të turistëve. Ne jemi nga ato vende ku lidhjet me emigracionin janë të mëdha. Shpresoj se do të çlirohet ajo energji e frenuar në vitin 2020.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of