Performanca ekonomike e Shqipërisë po shpërfaqet si një monedhë me dy pamje të kundërta, që e bën të vështirë përcaktimin e vlerës së saj.
Nisja e disa reformave, në energji, pensione, arsim, ndërhyrjet e forta rregullatore, apo paketa stimuluese të veçanta, premtojnë potencialisht uljen e risqeve buxhetore, rritjen e mbështetjes në investime dhe relaksimin në përgjithësi të tregut. Edhe operatorët ekonomikë, megjithëse me vështirësi, kanë nisur një ringritje dhe besimi i tregut ka nisur të jetë mbi mesataren, sipas indikatorëve të Bankës së Shqipërisë. Shifrat e një konsumi megjithëse me rritje modeste, por të vijueshme, apo performanca e përmirësuar e bankave, janë shenja të mira. Edhe procesi i integrimit, edhe pse vjen më shumë me presion të shtuar nga jashtë, po shfaqet një nxitës i mirë. Shqipëria shpreson që në fillim të vjeshtës të ketë edhe një përgjigje pozitive për hapjen e negociatave për anëtarësim, duke marrë edhe një konfirmim pozitiv nga përfaqësuesit e BE-së dhe pret që angazhimi në projekte të mbështetura financiarisht të jetë më i lartë. Por kjo anë e monedhës po vihet në kundërpeshë me anën tjetër. Vihet re që ritmi dhe rezultati i reformave nuk janë në masën e duhur, dhe se ndërhyrjet duket se janë të paplota dhe jo të menduara mirë. Kjo bën që të kemi një tjetër pamje antagoniste. P.sh., reforma e cilësisë së arsimit të lartë nuk po mbështetet nga tregu, i cili në mungesë të kapitalit, është orientuar nga krahu i pakualifikuar i punës për shkak të kostos së lirë. Vjelja e detyrimeve të prapambetura në energji, dhe ndërhyrjet në sistem për të rritur performancën financiare, po tregojnë se janë të pamjaftueshëm, pasi pengohen nga pamjaftueshmëria e investimeve në akse të tjera dhe humbjet, megjithëse janë rritur arkëtimet, po mbeten sërish të larta, për shkak të rrjetit të amortizuar. Megjithëse ka një reformë në skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore, rezultati financiar i pritshëm nuk është i tillë, pasi të ardhurat në arkën e shtetit nga këto kontribute kanë rënë.
Ditë e fundit, FMN tha se nuk po kuptojnë sepse gjithë ai likuiditet, i dhënë biznesit duke i kthyer borxhet që shteti i kishte, nuk shërbeu për uljen e kredive të këqija dhe se po përdoren në ekonomi. Kjo deklaratë ishte gati ‘shok’, sepse pa u bërë më parë një analizë e mirëfilltë u mor e mirëqenë, që shlyerja e detyrimeve medoemos do të jepte efektin e pritshëm, dhe së dyti mungoi një skenar, që do të garantonte që ky borxh do të shkonte në objektivin e dëshiruar.
Ia vlen, tha FMN, që ta shikojmë fenomenin më gjerësisht, në mjedisin ekonomik shqiptar, duke përfshirë më shumë fusha të tilla, se si merren vendimet gjyqësore, si ekzekutohet kolateriali etj.
Kjo konsideratë e fundit është ndoshta edhe shpjegimi i drejtë. Sot rezultatet, edhe pse pozitive, janë të vogla, dhe nuk janë dëshmi e plotë se do të jenë të qëndrueshme, pasi reformat, ende nuk janë të plota dhe gjithëpërfshirëse.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.